Mici: "Miqesorja.Kjo që po ndodh është për Giness"

"Një histori për librin Guinness", kështu e ka quajtur historinë maratonë të ndeshjes miqësore Shqipëri-Kongo që do të zhvillohej më 15 nëntor në Londër, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Rolnad Mici. Telenovela nis ditën e mërkurë kur dje, të gjitha mediat vizive dhe të shkruara deklaronin se ndeshja miqësore e kombëtares është anulluar pasi autoritetet policorë të Londrës kërkonin plot 85 mijë euro për të siguruar zhvillimin normal të ndeshjes me preteksin se të dyja tifozeritë klasifikoheshin në grupin C që do të thotë se mbartin rrezikshmëri të lartë.Kompania që ka organizuar këtë ndeshje është gjendur keq dhe nuk ka pasur mundësi që të sigurojë shumën për një kohë kaq të shkurtër dhe ka kërkuar ndihmën e Federatës dhe kjo e fundit është treguar e gatshme pasi shumën që do të paguante do ta merrte sërish më vonë nga kompania. Por kur drejtuesit e institucionit të futbollit kanë shkuar për të tërhequr shumën në bankë kanë ngelur të shtangur pasi të gjitha llogaritë bankare të FSHF-së nëpër banka ishin të ngrira nga Drejtoria e Tatim-Taksave. Të irrituar nga kjo mënyrë e veprimit të shtetit, Sekretari i Përgjithshëm, Roland Mici u shpreh: ". "Ne si Federatë kërkonim dje(pardje) që të tërhiqnim nga bankat ku kemi llogaritë tona bankare një shumë për të bërë pagesën për zhvillimin e ndeshjes miqësore ku më pas këto lekë do të na ktheheshin nga kompania që kishte organizuar këtë ndeshje, por të gjitha bankat na thanë se llogaritë e Federatës janë ngrirë nga Drejtoria e Tatim-Taksave. Kjo e fundit e ka bërë një veprim të tillë pa na vënë në dijeni ne si Federatë dhe me këtë veprim ata ndikuan drejtëpërsëdrejti në anullimin e ndeshjes miqësore Shqipëri-Kongo" deklaroi Mici. Ndërkohë që dje gjatë të gjithë ditës deri në orët e vona të natës Federata në bashkëpunim me kompaninë dhe Federatën Kongoleze kanë diskutuar dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për organizimin e miqësores por autoritetet policore londineze nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre financiare. Në këtë mes kanë ndërhyrë për të zgjidhur situatën dhe për të bërë të mundur zhvillimin e ndeshjes miqësore edhe Ambasade Angleze në Tiranë dhe Federata Angleze e Futbollit. Për këto tratativa i kontaktuar me telefon nga gazeta, Sekretari Mici deklaroi: "Deri më tani(dje) që është ora 20:40 ende nuk është arritur asgjë përsa i përket ndeshjes miqësore Shqipëri-Kongo. Jemi duke diskutuar bashkë me kompaninë dhe me Federatën Kongoleze të Futbollit por autoritet policore londineze nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre por do të presim deri në orët e vona të natës dhe shpresojmë se mund të arrihet akordi. Kjo është një histori për librin Ginness pasi gjëra të tilla nuk besoj se ndodhin në vende të tjera të botës" përfundoi Mici. Ndërkohë që përpara disa ditësh zëdhënësi Nurishmi deklaroi se tashmë marrëveshja midis policisë londineze dhe kompnisë është arritur: "Autoritet policore të Londrës i konsiderojnë të dyja tifozeritë si të rrezikshme dhe kështu që kërkonin nga kompania plot 50 mijë paund për zhvillimin normal të miqësores. Kompania e ka paguar tashmë këtë shumë dhe ne si Federatë do të bëjmë me dije Federatën Angleze të Futbollit për këtë cështje dhe është ajo e fundit që do të japi "OK-in" përfundimtar". Tashmë duket se gjithcka ka qenë një bllof i vërtetë.