Tatimet bllokojnë llogaritë e FSHF-së

Pas shumë ditësh diskutime dhe shkrimesh nëpr media të ndryshme, më në fund Federata Shqiptare e Futbollit ka pranuar se ka detyrime financiare të pashlyera ndaj shtetit dhe tashmë i ka paguar por kjo i ka kushtuar më shtrenjtë nga cka mund ta mendonin drejtuesit e institucionit të futbollit. Kështu, Drejtoria e Tatim-Taksave zbuloi se FSHF-ja kishte 12 milion lekë të vjetra detyrime që kishin të bënin me 10%-in e pagës së punonjësve dhe që nuk ishin paguar nga "qeveria" e futbollit.Federata e pranoi këtë shkelje ligjore dhe pagoi shumën e 12 milion lekëve por për këtë shkelje Drejtoria e Tatim-Taksave e gjobiti institucionin e futbollit me plot 100 milion lekë të vjetra, gjobë që ka shkuar tashmë në zyrat e kësaj të fundit. Një fakt të tillë e bëri të ditur vetë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Roland Mici, i cili u shpreh se kjo është një gjobë absurde dhe vetëm Drejtoria e Tatim-Taksave e di si e ka llogaritur një gjë të tillë. "Drejtoria e Tatim-Taksave zhvilloi në institucionin tonë një kontrroll të imtësishëm një mujor në të gjitha aspektet financiare që atyre ju a lejon ligji. Ne ju krijuam mundësitë më të mira duke ju vënë cdo gjë që ju duhej në dispozicion. Pas kontrollit, ata zbuluan se Federata ka shkelje financiare që kapin shumën e 12 milion lekëve të vjetra që konsistojnë në mospagimin e 10%-it të pagës së punonjësve që është një detyrim ligjor. Ne e pranuam një gjë të tillë dhe bëmë pagesën e shumës prej 12 milion lekëve të vjetra. Për këtë shkelje financiare, Drejtoria e Tatim-Taksave na ka gjobitur me një shumë që është absurde, më shumë se 100 milion lekë të vjetra. Vetëm ata e dinë se ku janë bazuar dhe cfarë kanë llogaritur që kanë nxjerrë një gjobë që është mëse absurde. Fleta e gjobës është tashmë në zyrën time dhe ata na kanë lënë 30 ditë afat për ta shlyer këtë gjobë. Dhe cfarë është më absurd, ka të bëjë me faktin se ne si Federatë kërkonim dje(pardje) që të tërhiqnim nga bankat ku kemi llogaritë tona bankare një shumë për të bërë pagesën për zhvillimin e ndeshjes miqësore ku më pas këto lekë do të na ktheheshin nga kompania që kishte organizuar këtë ndeshje, por të gjitha bankat na thanë se llogaritë e Federatës janë ngrirë nga Drejtoria e Tatim-Taksave. Kjo e fundit e ka bërë një veprim të tillë pa na vënë në dijeni ne si Federatë dhe ne e kemi marrë vesh nga bankat në momentin kur do të tërhiqnim një sasi parash. Me këtë veprim ata ndikuan drejtëpërsëdrejti në anullimin e ndeshjes miqësore Shqipëri-Kongo pasi ashtu sic edhe e thashë më lartë ne si Federatë do të pagunim një pjesë të shumës që kërkonte policia angleze dhe më vonë këto lekë do të na ktheheshin nga kompania që kishte bërë të mundur organizimin e miqësores. Duke qenë se llogaritë tona ishin të ngrira me urdhër të Drejtorisë së Tatim-Taksave ne nuk kishim mundësi të tërhiqnim shumën që na duhej dhe kështu që miqësorja u anullua ku shkaktari është vetëm shteti. Me këto veprime shteti po na sulmon dhe nuk na le të bëjmë normalisht punën tonë" deklaroi Mici. Më tej ai vazhdoi duke thënë se Federata nuk e pranon një gjobë të tillë dhe se tashmë cështjen do ta zgjidhë vetëm gjykata. "Ne nuk mund ta pranojmë kurrsesi një gjobë të tillë pasi është mëse absurde dhe është vënë me qëllimin e vetëm për ti shkaktuar sa më shumë dëme institucionit tonë. Ata na kanë lënë 30 ditë afat por ne do ta cojmë më tej cështjen" deklaroi Mici duke nënkuptuar se do të jetë vetëm gjykata që do ta zgjidhë këtë konflikt.