E Diel, 1 Nëntor 2026

Jonela: Ermela nuk ka epilepsi, ajo duhet të fitojë

SHKRUAN: Ilda Lumani 05-03-2011 11:24

E skualifikuara e fundit nga edicioni i katërt i reality show-t “Big Brother”, është Jonela. Ajo vjen sot në një intervistë për gazetën “Mapo”, duke rrëfyer eksperiencën e saj prej 42 ditësh qëndrimi në shtëpinë e famshme. Jonela tregon për marrëdhëniet që krijoi me banorët e tjerë, konfliktin me Nedën dhe Ogrenin, marrëdhëniet e mira me Ermelën, si edhe miqësitë që do të vazhdojnë në përfundim të këtij edicioni.

Jonela, ju vjen keq që mbaroi kaq shpejt aventura e “Big Brother”, dhe kur ishit brenda në shtëpi, e shihnit veten ndonjë moment si fituese?

E kam jetuar çdo sekondë aty brenda, të 42 ditëve të qëndrimit tim në shtëpinë e madhe, dhe daljen time ashtu sikurse është parë e kam marrë me tepër sportivitet. Është mëse normale që ka pasur momente që e kam menduar finalen edhe fitoren, por dalja ime nuk më ka lënë shije të hidhur. Mund të them që më vjen keq që dola para disa banorëve, që duhet ta linin me kohë shtëpinë. Megjithatë, kjo është një lojë.

Mendoni se mos stabiliteti i marrëdhënieve që krijuat në shtëpi, në fillim shoqëri me Ogrenin e pastaj me Ermelën, ndikoi për keq për ju në sytë e publikut?

Kur hyra në shtëpi, m’u desh të rrija nga pak me të gjithë banorët, për t’i njohur më mirë, e jo vetëm me Ogrenin. Lëvizjet e mia kanë ardhur natyrshëm e jo të mirë planifikuara. Nuk mendoj se kjo është një arsye e fortë, për të ndikuar keq në publik. Origjinaliteti im është vënë re në çdo sekondë brenda shtëpisë së “Big Brother”.

Kur ju u afruat me Ogrenin, ai po kalonte një moment ftohjeje me Nedën. Mendove në ato moment se mes jush mund të kishte diçka më tepër se miqësi…?

Po është e vërtetë, që në kohën kur ne të dy kalonim kohë bashkë, duke biseduar, Ogreni nuk fliste me Nedën se po të mos ishte kështu s’do kisha mundësi ta njihja kurrë Ogrenin. Unë nuk e kam menduar kurrë më shumë se miqësi, sa për Ogrenin edhe mundet ...

Në një prej netëve të spektaklit, pati një acarim të madh mes teje dhe Nedës. Ogreni, në qëndrimin e tij, ishte i vërtetë apo thjesht mbështeste Nedën?

Është e vërtetë që pati një acarim midis meje dhe Nedës, një prej netëve të spektaklit, për disa keqkuptime që kishim ne me njëra- tjetrën. Ndërhyrja e Ogrenit ishte diçka që edhe mund të parashikohej lehtë, s’është se më surprizoi, duhej patjetër që dhe Ogreni të luante rolin e tij prej "protektori të devotshëm" në debatin tonë...

Marrëdhënia e shoqërisë me Ermelën mori hov pas zënkës me Nedën dhe Ogrenin. Aleanca kundër tyre, ju bashkoi më shumë?

Jo nuk është e vërtetë, unë me Ermelën kam pasur gjithmonë marrëdhënie të mira, megjithëse ato morën nisje nga një debat i vogël, ku protagonistë dhe nxitës të situatës ishin më shumë të tjerët sesa unë. Marrëdhënia jonë nuk është bazuar në interes të lojës, por ka ardhur shumë natyrshëm. Jonela dhe Ermela shoqëroheshin bashkë se ndiheshin shumë mirë me njëra-tjetrën dhe dëshira për t’u njohur më shumë shtohej çdo ditë.

Është shkruar në shtyp, se fillimjavës së shkuar, Ermela pati probleme me shëndetin. Asaj i ra të fiktë dhe u komentua si shenjë epilepsie. A mund të na e përshkruani konkretisht se çfarë i ndodhi asaj?

Ishte një moment që Ermela ndihej e pafuqishme dhe e lodhur, nga një ditë tepër e ngarkuar, si pasojë pati një luhatje tensioni dhe asgjë më shumë se kaq, ashtu sikurse u pa, e mori veten menjëherë.

Si e komentoni ndërhyrjen e nënës së Marielit, në lidhje me Mirjetën, dhe juve vetë si ju dukej kjo lidhje?

Mua personalisht më duket marrëdhënie tepër e sinqertë Mariel - Mirjetë. Unë e kuptoj që shqetësimi i nënës për fëmijën është tej mase i madh por besoj se Marieli është në gjendje e në moshën e duhur për të bërë zgjedhjet e tij. Në ato momente nuk m’u aspak e përshtatshme ajo ndërhyrje.

A kishte marrëdhënie të vërteta në shtëpi? Po miqësi të vërtetë?

Për sa i përket marrëdhënieve që kam pasur unë, me të gjithë banorët, ishin më se të vërteta. Marrëdhënia Mariel-Mirjeta më është dukur gjithmonë e vërtetë, ajo Neda-Ogren jam pak dyshuese, ose më mirë jam bërë dyshuese, duke parë sjelljet e tyre në vazhdim, më duket më shumë si marrëdhënie e sforcuar... Për miqësitë e krijuara në shtëpi them se kanë qenë të vërteta të gjitha.

Ju vetë, me kë do të mbani miqësi nga banorët e “Big Brother”?

Me të gjithë banorët do të kem kontakt, por jo detyrimisht miqësi. Mendoj se me disa do kem kontakte të shpeshta e me disa ndoshta vetëm për festa.

Kë do të donit të shihnit fitues dhe kë jo?

Për mua, Ermela është fituese e këtij edicioni, është banorja tek e cila kemi parë lojën, dashurinë, dhimbjen, zgjuarsinë, shkathtësinë e mjaftueshme për të qenë fituese. Nuk do të doja kurrsesi të shikoja fitues Ogrenin.

Me çfarë do të merreni tani e tutje dhe mendoni se do të ndikojë për më shumë sukses në të ardhmen tuaj “Big Brother”?

Unë po vazhdoj të merrem me obligimet, të cilat i kisha lënë pezull gjatë kohës që kam qenë në shtëpinë e madhe, punën dhe shkollën. Uroj me dëshirën më të madhe, që të kem sa më shumë dyer të hapura për të ecur përpara shpejt.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›