E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jonez: SHBA do mbështesë projektet për ekonominë e Kosovës


Gjatë vizitës së tij në SHBA-së, ministri kosovar Fatmir Limaj ka patur një takim me zëvendës ndihmësin e sekretarit të Shtetit amerikan Stuart Jones. Temë e diskutimit në këtë takim ishte gjendja aktuale politike në Kosovë si dhe të tjera procese që lidhen me punën që po bën ministria e transportit dhe telekomunikacinit në Kosovë. Gjatë këtij takimi, Jones, sic bëhet e ditur nga një komunikatë e kësaj ministrie, e vlerësoi lart procesin e zgjedhjeve në Kosovë, me theks të veçantë përfundimin e fazës më sfiduese të Propozimit gjithëpërfshirës për statusin, të hartuar nga presidenti Ahtisaari, e kryesisht atë të krijimit të komunave të reja dhe të procesit të decentralizimit, përmes organizimit të zgjedhjeve komunale. Sipas Jones, këto zgjedhje kanë qenë thelbësore, pasi kanë qenë të parat që janë organizuar pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve e ka legjitimuar krijimin e komunave të reja. Limaj ndërkaq, e njoftoi Jones edhe me planet dhe veprimet aktuale të Ministrisë së Transportit të Kosovës për këtë vit, duke e vënë theksin në infrastrukturën rrugore respektivisht rreth ndërtimit të autostradës Morin-Merdare dhe po ashtu edhe për koncensionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Jones ripërsëriti qëndrimin se Qeveria amerikane do të mbështesë të gjitha projektet të cilat janë në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, sidomos mbështetjen për projektet të cilat kanë impakt rajonal, projekte të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›