Joni Peçi: Fundviti, mos harroni shallin e madh të kuq
Cilat janë tendencat e fundit në veshje? Marrëdhënia që kanë ende femrat shqiptare me ekstravaganten dhe a po shkojnë ato drejt prakticitetit? Një intervistë me stilistin Joni Peçi për sa i takon modës në vendin tonë dhe çfarë sugjeron ai që të ndihemi jo vetëm në modë, por edhe komod me veshjet tona. Gjithashtu, disa këshilla për fundvitin tashmë që vetëm dy javë na ndajnë.
Joni, jemi në dimër. Cilat janë tendencat e fundit të modës sa i përket stinës?
Vitin e kaluar kanë qenë palltot apo trikuartet, ndërsa këtë vit është kthyer kombinimi i lëkurës me copa mëndafshi. Lëkura është në modë këtë dimër, e kombinuar me ndonjë copë tjetër si kashmir, sepse rrinë shumë mirë bashkë dhe e zbut agresivitetin e lëkurës.
Vihet re se këtë vit femrat janë më komode në linjat dhe në veshjet e tyre, sepse nuk rrinë më me veshjet e ngushta apo me prerjet që janë në linjat e tyre. Gjithçka vjen në firma më praktike, duke të lënë të fantazosh më shumë për linjat e tyre. Duke e sjellë në forma më të çrregullta, nuk është më ajo femra shumë precize, por është një femër e sigurtë në vetvete, dhe jo imponuese në linjat dhe format e saj.
Cilat ngjyra po preferohen?
Këtë dimër është në modë e bardha dhe e zeza, jeshilja mbretërore është në modë, por edhe ngjyra që është e kuqe në vishnje, gjithmonë kjo në copa kashmir dhe copa të mëndafshta që mjafton duke i shtuar edhe një aksesor të vogël, si: një palë rruaza apo ndonjë aksesor që është me ngjyrë të përshtatshme, veshja kompletohet dhe është moderne.
Sa të këshillueshme janë në përditshmëri takat dhe a abuzojnë femrat me takat e larta?
Historikisht femrat në vendin tonë kanë abuzuar jo vetëm me takat e larta, por edhe me mënyrën e të veshurit jo siç duhet në momentin e caktuar. Problemi i takave është shumë subjektiv sepse ka femra që i përdorin për shkak se duan të duken më të gjata. Domethënë si përdorin se janë në modë takat e larta, por në njëfarë mënyre kanë edhe kompleksin e gjatësisë. Por mendoj se ky nuk është një pretekst shumë i mirë për të mbajtur takat. Niveli i një femre nuk ndahet nëse është e gjatë apo e shkurtër. Janë gjëra të tjera. Një femër është e kompletuar, mjafton të ketë elegancën që vjen nga brenda dhe është në rregull.
Meshkujt i ndjekin tendencat e fundit të modës, si edhe femrat?
Femrat gjithmonë janë munduar të ndjekin modën. Shumë gjëra kanë ndryshuar, sepse vite më parë i shikoje me tualet të rënduar, me veshje ekstravagante deri në vulgaritet, por tani ka ndryshuar situata. Sot i shikon më të sigurta në vetvete, me të sheshta si këpucë apo balerina të cilat kanë dalë në modë.
Përsa i përket meshkujve, gjithmonë janë më pak problematikë në veshje, sepse i bien shkurt: një këmishë apo bluzë. Gjithsesi, kjo tendencë ka filluar të rafinohet dhe ka filluar të ketë më shumë kërkesë dhe tek meshkujt që të personalizojnë lukun e tyre.
Që të kalojmë sërish tek prakticiteti i femrave. Vihet re që tashmë përdorin veshje praktike, kjo sepse po i përshtaten modës apo është një ndërgjegjësim i tyre për veshjet më praktike?
Është çështje ndërgjegjësimi për ato, por edhe çështje estetike. Sepse është moda që në njëfarë mënyre edhe i edukon njerëzit. Por në Shqipëri, për fat të mirë, kanë filluar të ndryshojnë gjërat dhe kjo gjë shikohet tek studentet dhe vajzat e reja, të cilat nuk e shohin më sigurinë e tyre tek takat e larta dhe veshjet ekstravagante, por tek të sheshtat dhe veshjet praktike.
Sigurisht që ka sërish femra të cilat kalojnë në vulgaritet, mbajnë thonj shumë të gjatë dhe përdorin zgjatje të flokëve, por në rast se flasim për masën e gjerë, vihet re që gjërat kanë ndryshuar. Tani shpesh ndodh në biseda mes grupe shokësh që thuhet se nuk pëlqehen femrat të cilat janë shumë vulgare. Tani i duan të thjeshta, të pastra dhe pa shumë ndërlikime.
Për sa i takon festave të fundvitit, çfarë sugjeroni?
Ngjyrat e festive dihet se janë e kuqja dhe floriri. Por do tu sugjeroja femrave që të mos lënë pas dore edhe aksesorët me tendencat e ngjyrave të kuqe apo ndonjë aksesor tjetër, si: shallet e dimensioneve të mëdha që përdoren shpesh edhe si ndonjë veladon që hidhen mbi supe, e jo shaje të vegjël milimetrikë, që nuk janë as të ngrohtë dhe as komode. Do të sugjeroja shajet e mëdhenj të kuq apo ngjyrë floriri, që japin tamam idenë e atmosferës së festive të fundvitit.
A është e rëndësishme mënyra se si do vishen për festa njerëzit duke ditur se ata do festojnë në vende të ndryshme si në punë apo në lokale luksoze?
E rëndësishme është që të kesh ngjyra që janë festive, por në të njëjtën kohë nuk duhet të harrohet komoditeti. Sepse kur shkohet në darka, është problem i madh. Për shembull, një femër vesh një fustan, por nuk ndihet komode, pastaj veshja e saj bëhet e bezdisshme sepse do pinë, do lëvizin, kërcejnë dhe veshja nuk do të doja që të ishte problem për ata. Ndaj jam më shumë për përdorimin e ngjyrave, por në veshje komode, sepse pas 10 minutash në ambjentin ku shkohet, duhet të shkohet drejt linjës komode.
Për sa i takon dhuratave, çfarë sugjeroni?
Për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri do të ishte shumë interesante që të zgjidhej edhe dhurata e duhur për njerëzit e dashur. Në të tilla raste, duke dalë nga format shumë klishe që zakonisht jepen dhurata aksesorë, do të sugjeroja një libër për dhuratë, duke dalë nga format e zakonshme, parfume apo kollaret. Do të sugjeroja edhe orën, sepse janë të preferuara. Për më tepër, personit që ia dhuron, sa herë që sheh orën kujtohet për ty. Do të sugjeroja edhe çokollatat pa diskutim. Janë dhurata e duhur.
