Moti i keq, paralizohet puna në portin e Durrësit dhe të Vlorës

Moti i keq që ka përfshirë vendin tonë, shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm dhe me erëra të forta ka sjellë probleme të mëdha në portin e Durrësit dhe të Vlorës duke vështirësuar ankorimin e anijeve dhe trageteve. Mësohet se fuqia e dallgëve të detit në Durrës ka kapur vlerat 5-6 ballë, duke krijuar vonesa në largimin dhe mbërritjen e trageteve.
Bëhet e ditur se tragetet e linjës Bari-Durrës do të mbërrijnë në portin detar me disa orë vonesë, për shkak të detit të trazuar, ndërsa në kalatat portuale procesi i përpunimit të anijeve tregtare me mallra ushqimore nuk ka nisur nga era e fortë.
Po kështu një pjesë e motopeshkatoreve janë rikthyer nga peshkimi, në pritje të qetësimit të kushteve detare. Ndërkohë, trageti i linjës Vlorë-Brindizi, me 100 pasagjerë në bord, nuk po arrin të ankorohet për shkak të valëzimit të lartë të detit.
Gjithashtu mësohet se si rezultat i erës së fortë një pjesë e mirë e qytetit të Vlorës ka mbetur pa energji elektrike.