Jonida Maliqi: Ndihem shumë e vlerësuar
Jonida Maliqi, këngëtarja e njohur e skenës muzikore shqiptare, ka fituar së bashku me Big Bastën, çmimin “Kënga më e mirë Hip-Hop & RnB”. Për herë të parë Jonida interpreton një këngë të kësaj rryme, dhe e ka shijuar mjaft performnavcën e saj. E titulluar “Sot t’i japim fund”, kjo këngë ka bërë për vete publikun, i cili e ka ndjekur në të gjitha fazat e “Top Fest 7”, e mbi të gjitha i ka lumturuar këngëtarët që e ngjitën në skenë.
Jonida, për herë të parë shfaqeni në “Top Fest 7” me një rrymë të re, atë Hip-Hop dhe RnB. Përse kjo zgjedhje?
Gjatë 17 vitesh eksperiencë muzikore, jam munduar të aplikoj në artin tim rryma të ndryshme. Edhe pse e ndiej veten qind për qind te baladat, kam provuar muzikën alternative, rok të mirëfilltë, RnB, dhe kësaj here erdha me rrymën e ndërthurur Hip-Hop dhe RnB me Big Bastën.
Si lindi bashkëpunimi me Big Bastën?
Ky bashkëpunim lindi thjesht nga një intuitë artistike që pata në momentin e parë që kam takuar Big Bastën. Kështu lindi dëshira të kishim këtë bashkëpunim. është shumë e rëndësishme kur gjen një gjuhë të përbashkët muzikore me një artist tjetër, sepse shumë herë ndodh që ti mund të bashkëpunosh, por nuk ke një lidhje të mirë artistike. Mund të them se Bigu, si artist i ri, ka premisa për t’u bërë një artist shumë i madh dhe jam shumë e lumtur që patëm këtë mundësi bashkëpunimi, por edhe për të sjellë një risi në muzikën shqiptare.
Ju fituat çmimin “Kënga më e mirë Hip-Hop & RnB”. Si ndiheni?
Ndihem shumë e vlerësuar për më tepër, duke marrë edhe parasysh që në botën muzikore ndërkombëtare çmimet për këtë rrymë i kanë marrë divat e muzikës ndërkombëtare muzikore si Beyonce, Alisia Keys etj. Edhe unë në Shqipëri do të dëshiroja shumë që t’u ngjaja atyre dhe të isha një imazh kaq i mirë në vendin tim sa janë ato në botë. Kaq më mjafton. Pastaj atmosfera e mrekullueshme në “Top Fest”, ku të gjithë artistët ishin mjaft dashamirës ndaj njëri-tjetrit dhe gjithsecili nxori në pah vlerat e tij duke interpretuar ‘live’.
E shijuat këtë “Top Fest”, ku për herë të parë pati interpretim ‘live’ nga këngëtarët dhe orkestra njëkohësisht?
Unë në fakt të kënduarit ‘live’ nuk është se e kisha për herë të parë. Shpesh herë nëpër festivale apo spektakle të ndryshme nuk më ka trembur asnjëherë e kënduara ‘live’, përkundrazi kam qenë gjithmonë pro kësaj mënyre. Emocionin që të jep e kënduara ‘live’, nuk ta jep asnjëherë e kënduara playback.
Nëse “Top Fest” do të vazhdojë sërish në të tillë parametra kaq cilësorë, a ju nxit për një tjetër konkurrim vitin tjetër?
Në fakt strategjitë e mia në lidhje me artin ose me kompeticionet muzikore kanë qenë të tilla që unë nuk kam qenë e pranishme dy vite radhazi në të njëjtin festival. Gjithmonë mundohem që të krijoj paksa suspansë artistike, të mos bëhem e lodhshme në sytë e publikut, dhe pse jo t’i mungoj atij derisa të vijë momenti që të më kërkojë vetë të interpretoj në festivale të ndryshme.
#