Eneida Tarifa: Më joshi të kënduarit live

Për Eneida Tarifën, interpretimi në skenën e “Top Fest” ishte për herë të parë. Për herë të parë ishte edhe fitorja e një çmimi të parë, në një festival kaq të rëndësishëm të muzikës moderne shqiptare për një këngëtare karriere si ajo. Kësaj here duket se kënga ishte ajo e duhura. “Me veten”, kompozuar nga Flori, e bëri menjëherë për vete publikun dhe këngëtarja e ndjeu. Kështu ndodhi edhe me atë vetë. Ende nuk i besohet që ka fituar çmimin e madh të “Top Fest 7”, por ka një kohë për të gjitha. E njohur për interpretimet e saj të veçanta, për temat e zgjedhura me kujdes në këngët që ka sjellë për publikun ndër vite, kësaj here Eneida ishte në kërkim të një kënge më të thjeshtë e disi më ritmike. Bashkëpunimi me Florin u vlerësua suksesshëm, ndërsa Eneida mendon se pas më shumë se dhjetë vitesh në skenë, ky çmim ka ardhur në momentin e duhur për karrierën saj si këngëtare.
Fituese e çmimit të madh të “Top Fest 7”. çfarë përfaqëson për ty ky çmim?
Unë kam marrë çmime edhe më parë, edhe në skena të huaja si në Maqedoni, Mal të Zi, por ky është një çmim shumë i rëndësishëm për nga përmasat e madhështisë që përfaqësonte si festival. “Top Fest” është tashmë një festival i përvitshëm, por këtë vit më shumë se çdo herë tjetër ka qenë i organizuar në parametrat më të lartë, përfshirë këtu teknologjinë, por sidomos të kënduarit ‘live’.
Cilat ishin ndjesitë e para?
Nuk mund të përshkruhen me fjalë. Gëzim, befasi, emocione të mrekullueshme. Para se të vinte çmimi, mendova se ndoshta mund të mos vlerësohesha në asnjë kategori dhe thjesht po prisja të vinte fundi, ku asnjëherë nuk dihet ç’ndodh. Por gëzimi më i madh nuk ishin as lekët, as emri që mbante ky çmim. çmimi më i madh ishte publiku i ngritur i gjithi në këmbë, që këndonte këngën në kor me mua dhe asnjë nuk u largua deri në fund. Kjo do të thotë se çdo gjë ka shkuar mirë dhe kënga ka ngjitur te publiku.
A mendon se ky çmim erdhi në momentin e duhur në karrierën tënde?
Absolutisht po. Nuk e kam kërkuar shumë një çmim të tillë dhe nuk e kam pretenduar, sepse për mua ai duhet të jetë mbi të gjitha tregues i një pjekje të karrierës. Po e fitove që në fillim të karrierës do të thotë që nuk ke më se çfarë të arrish dhe të bësh. Ose duhet të mendosh që të punosh jashtë dhe të futesh në tregun e huaj muzikor, gjë që nuk e mendoj, sepse e kam të ndërtuar këtu jetën time. Nëse do të depërtojë muzika shqiptare jashtë do të ndodhë vetëm sepse ne do të rregullohemi ligjërisht dhe do hapen kufijtë artistikë të paktën.
Konkurron për herë të parë në “Top Fest”. Cili ishte motivi i fortë që të shtyu drejt këtij festivali?
Të kënduarit ‘live’ dhe vetëm ‘live’. Një festival me superpozim nuk do të thoshte asgjë për mua. Dorian Gjoni mblodhi një kast artistësh shumë të mirë dhe u prezantoi idenë e “Top Channel” për realizimin e këtij edicioni ‘live’. Ky propozim na joshi vërtet. Kështu që në këto kushte më duhej që të gjeja këngën dhe kompozitorin dhe sigurisht që unë zgjodha Florin, duke qenë se edhe bashkëpunimet e fundit i kam pasur me të. Kishte bërë një këngë rok që përkonte shumë mirë edhe me shijet e mia muzikore të momentit, pasi këtë vit jam marrë më shumë me këtë rrymë nëpër vendet që kam punuar. është një rrymë në modë dhe rroftë roku, sepse ka qenë një periudhë e artë. Kështu që jam shumë e kënaqur që repertorit tim i shtohet edhe një këngë shumë e bukur. Para se të bëhesha gati për në spektakël kam marrë në telefon Florin dhe i kam thënë se çfarëdo që të ndodhë unë e kam fituar çmimin. Ishte e gjithë audienca para natës finale, atmosfera që më kënaqi shumë, telefonata, mesazhet e përditshme për një këngë që ndihej si fituese, ishte mjaft madhështore. Por unë ndjenjën e fitores jam munduar ta largoj siç bëj gjithmonë për të mos u zhgënjyer në fund.
Tregu i sotëm muzikor është paksa i “çoroditur”. E mendove ndonjëherë se kjo këngë kishte elementet që mund të çonin drejt suksesit?
Kjo këngë më pëlqente. Nuk e mendova gjatë për të bërë llogari të tipit që mund të jem apo jo fituese. E nisëm shumë thjesht dhe natyrshëm këtë bashkëpunim, sa herë-herë konkurrimin e përdornim si shaka. Doja një këngë të thjeshtë, sepse gjithmonë kam pretenduar të bëj këngë me tema të vështira apo serioze, ndërkohë që edhe vetë e kam kuptuar se njeriu lodhet në një moment. Pavarësisht se e dimë shumë mirë që këngët e vështira janë ato që mbesin gjithmonë të kërkuara dhe bëhen hite të mëvonshme të një karakteri të veçantë. Unë kisha nevojë për një këngë pak më të thjeshtë, pak më të kapshme për veshin e më pozitive dhe kjo është një këngë energjike.
Ndjeve konkurrencë?
Sigurisht, prandaj edhe gëzimi ishte i dyfishtë. Kishte emra këngëtarësh të njohur dhe këngë shumë të mira. Deri në fund mbizotëroi një emocion i madh, për asnjë moment nuk u mor vesh se kush mund të fitonte.
Në “Top Fest” u ndanë 10 çmime në kategori të ndryshme. Ku e shihje veten të përfaqësuar?
Ndoshta mund të mendoja çmimin e Internetit apo çmimin si “Kënga më e Mirë”. Gjithsesi duhej të ishte një çmim që të përfaqësonte publikun, sepse gjithë kohës më vinin mesazhe, më përgëzonin për këngën dhe e këndonin. Ishte krijuar atmosfera e duhur për të ndier që kjo këngë u kishte pëlqyer.
Për herë të parë protagoniste, si do ta përkufizoje “Top Fest”-in e këtij viti?
është hera e parë që unë shikoj një organizim ‘live’ kaq të bukur, kaq madhështor, që secili do të donte ta realizonte, por ja që “Top Channel” e ka bërë më së miri. “Top Fest”-i u ringrit me shumë sukses dhe shpresoj që të vazhdojë kështu çdo vit tjetër. Kam marrë një dhuratë mjaft të bukur lidhur me emrin e “Top Channel” dhe “Top Medias” dhe shpresoj që edhe festivale të tjera këtej e tutje të jenë ‘live’. Kështu do të seleksionohen këngëtarët e vërtetë, do të kemi muzikë më të mirë dhe do të luhet edhe më mirë.
#