E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komforti intelektual dhe një vizitë në kohën e karavidheve

"Darka e gabuar" ngre dy pyetje: për hapësirën që i jepet antiteatrit dhe për helmimin e opinionit publik me histori armiqsh që dje quheshin fitimtarë.


Regjisori Fatos Haxhiraj dikur e shikonte ndërtimin e Rendit të Ri me dylbitë e "Epopesë së Ballit Kombëtar", ndërsa sot me ndërgjegje antikomunisti bën apel për distancim nga e kaluara


Në Shqipëri janë bosh vendet e intelektualit koherent, atij që nuk bie në kundërshtim me veten. Është koherenca njëra forcë që mban rendin e komunikimit mes njerëzve. Mungesa e saj ka shkaktuar me përpikmëri dëmin e helmimit të opinionit publik tek ne: e informimit me një lloj të vërtete në funksion të interesave të çastit.


2010


Shtator 1943. Italia fashiste kapitullon. Gjermanët vijnë për të kaluar në Shqipëri dhe premtojnë "Shqipëri etnike". Goditen duke hyrë në Gjirokastër. Gjenerali Fritz Von Schwabe hyn brenda në qytet për t'u hakmarrë, por sidomos për të takuar një shok universiteti, një vëlla e shkuar vëllait. Është doktor Gurameto i Madh. Gjenerali ndihet i prerë në besë, i kujton mikut shqiptar kodet e vjetra, Nibelunget, Lek Dukaxhin.


Por pranon një ftesë për darkë te Gurameto Madhi, madje liron 80 pengje shqiptarë në emër të miqësisë së vjetër. Ajo darkë shtatori bëhet akuzë për bashkëpunim me armikun në vitet e para të ndërtimit të Rendit të Ri.


Me përshkallëzimin e luftës së klasave darka hetohet nga agjentët e shërbimit sekret si pjesë e komplotit me qendër hebraike që kishte për qëllim zhdukjen në masë të udhëheqësve komunistë dhe Baba Stalinit! Në hetimin e Gurametos hyjnë edhe oficerë gjermanolindore dhe rusë.


Dështimi i hetimit dhe vdekja e Stalinit rëndojnë "fajin" e humanistit dhe çojnë në ekzekutimin e Gurametos, për të cilin aludohet të ketë qenë personazh real, bashkëkohës i Eqrem Çabejt e Lasgush Poradecit, i një elite që u shkollua në botën gjermanike.


"Darka e gabuar" është një prodhim i Teatrit Kombëtar që pati premierë më 15 maj. Ajo u shpall vepër fituese ndër disa drama shqiptare në konkursin e pranverës që shkoi. Regjisori Fatos Haxhiraj ka bërë një dramatizim të romanit "Darka e gabuar" (2008) të shkrimtarit Ismail Kadare. Vepra është zgjedhur për simbol të 65-vjetorit të Teatrit Kombëtar. Rishfaqet për këtë rast gjatë kësaj jave, vetëm me ftesa.


Haxhiraj mendon se ka sjellë në skenë një vepër kombëtare (shih deklaratat para premierës). Ai thotë se i bazuar në një ngjarje të vërtetë, Ismail Kadare bën autopsinë jo vetëm të qytetit por sidomos të periudhës historike të fillimit të vendosjes së diktaturës komuniste, "këtij mashtrimi të madh viktimë e të cilit janë në radhë të parë intelektualët.


Fatkeqësisht, akoma edhe sot, ne nuk jemi ndarë nga ajo e kaluar e hidhur. E qindra janë viktimat që të cilët ende nuk kanë një varr."


Në epilogun e romanit me të njëjtin titull, "Darka e gabuar", shkrimtari lë të kuptojë se për këtë histori kishte marrë shkas nga kërkesa që Bashkimi Evropian i ka bërë më 2007 Shqipërisë, si gjithë ish-bllokut komunist, për dënimin e krimeve të komunizmit, kohë kur u rihap edhe dosja e doktor Gurametos së Madh, i cili i përkiste një lobi progjerman.


Kadare "shpjegon" se këtij lobi i përkiste "ajka e elitës nacionaliste" që ishte ose "me formim kulturor gjerman ose progjerman". Ishte fjala për Mehdi e Mit'hat Frashërin, për arkitektin Karl Gega, "për Eqrem Çabejn, gjuhëtarin më të madh shqiptar, Lasgush Poradecin, poetin më të adhuruar, Patër Anton Harapin, figurë e pacenueshme morale, Lef Nosin, dijetarin në zë...".


E përmendëm këtë moment nga romani, sepse flitet për figura, disa prej të cilëve kanë qenë protagonistë armiq në një komedi të Haxhirajt: "Karavidhet". Këtë temë do ta rimarrim më poshtë.
Haxhiraj ka dramatizuar romanin.


Më e saktë është që i është nënshtruar verbërisht romanit, aq sa nuk krijon dot një copë pavarësi si artist që është për të bërë prerje, për të lënë jashtë gjëra s'e kënaqin, për t'u ngritur përtej motiveve e ideve të Kadaresë dhe për të bërë fluturime fantastike që ia lejon e drejta si krijues.


Ashtu si njëzet e ca vjet më parë me "Kush e solli Doruntinën", Haxhiraj mbetet peng i një motivi të fabrikuar nga letërsia zyrtare: motivi i besës. Ai e bën kryemotiv edhe te drama "Darka e gabuar" duke e interpretuar si element magjie, folklorik e zakonor, fjalën e dhënë e bashkë me të Kodin e Lekë Dukagjinit.


Në këtë mënyrë Haxhiraj bën një interpretim të pabazë të jetës dhe marrëdhënieve që shqiptarët kanë pasur mes tyre dhe me botën (perëndimi, gjenerali gjerman).


Por është një ngërç i madh estetik për veprën e cila me këto argumente të cekëta për njeriun shqiptar i kthen ato elemente të natyrës fantastike (ftesa për darkë, ardhja e një të vdekuri për darkë, dyzimi i Gurameto Madhit) në elemente arbitrare.


Janë arbitrare sepse regjisorit tonë nuk i intereson se ç'ndodh në botën e një njeriu nën hetim. Haxhirajt i intereson interpretimi politik dhe politizimi i teatrit.


Ai merret me rrjete botërore spiunazhi, me baba Stalinin, Enver Hoxhën, duke përdorur një antiestetikë me të cilën gjoja vë në vë në lojë "personazhet tërësisht negative", të ulët, dinakë.


"Darka e gabuar" ngre dy pyetje. Cila dëshirë, cila ambicie profesionale e drejtuesve të Teatrit Kombëtar i jep hapësirë antiteatrit?


Elementët e tjerë të "Darkës së gabuar" është e kotë të merren me radhë në analizë kur vepra vetë, dramatizimi, ka lindur i vdekur. Kjo nuk do të thotë se u pa ndonjë shenjë jete tek muzika e Gjebresë që futet vend e pavend; tek skenografia e Taulant Pustinës që dyshon tek vetja: krijon mure me gurë butaforikë, po fut edhe një projektor për të dhënë një qytet me mure e gurë; kostumet e Durim Nezirit, të cilit i kishte ikur duarsh Artan Imami (Shaqo Mezini në rol, hetues në vitet '50) i veshur me kostum nga koleksionet më të fundit; apo zinxhiri vezullues floriri, alla bad guy, i Bujar Asqeriut (në rol Gurameto i Madh); përdorimi i pandërgjegjshëm i flashback-ut. Nuk ka asgjë nga atmosfera e qytetit që përshkruhet në roman, sidomos nga ajo pjesë ku qyteti vihet përballë zonjave të tij.


Pyetja e dytë që ngre vepra është e karakterit etik. Regjisori Fatos Haxhiraj dikur e shikonte ndërtimin e Rendit të Ri me dylbitë e "Epopesë së Ballit Kombëtar", ndërsa sot me ndërgjegje antikomunisti bën apel për distancim nga e kaluara. Çfarë duhet më shumë se kaq që ky qëndrim të mos quhet i helmuar dhe që e vërteta të mos jetë parë në funksion të interesave të çastit të një arti konformist?


Meqë regjisori bën apel për distancimin nga mashtrimi në të kaluarën, po kthehemi për atje ku kërkon zëri. Po ndalemi tek viti 1979, kohë kur Fatos Haxhiraj vinte në skenë komedinë "Karavidhet" bazuar në poemën "Epopeja e ballit Kombëtar". Pikërisht "Karavidhet" sepse regjisori si te ajo vepër si tek "Darka e gabuar" i referohet të njëjtës epokë historike.


1979


"Komedia nis me kapitullimin e Italisë fashiste. Balli po e shikonte se po i ikte pushteti nga dora dhe kërkonte rrugëdalje. Rrugëdalja ishte të mashtrohej populli duke u ngritur kundër miqve të djeshëm, pra Italisë fashiste.


Populli nuk u mashtrua dhe "Balli" u kthye ashtu si ishte nisur. Erdhi nazizmi gjerman dhe ata për të ruajtur lëkurën dhe pozitat e tyre u bashkuan me të. Bashkimi me okupatorët shpejtoi vdekjen dhe fundin e përbashkët të tyre.


Populli u inkuadrua në Frontin Nacionalçlirimtar që udhëhiqej nga Partia Komuniste Shqiptare. Ky front jo vetëm që shporri okupatorin, por shkatërroi dhe organizatën tradhtare të Ballit.


Finalja e komedisë që mbaron me çlirimin e Tiranës, është një finale optimiste dhe kuptimplote." Kjo copë teksti është marrë nga revista "Teatër" Nr 1. -1979 ku Fatos Haxhiraj flet për "Platformën regjisoriale për komedinë "Karavidhet" e cila u vu në skenë nga Haxhiraj në vitin 1979.


Në platformën e tij ai sqaron se është bazuar poemën satirike "Epopeja e ballit kombëtar" e Shefqet Musarajt i vitit 1944, "ndër veprat e para të rëndësishme letrare që shënon fillimin e letërsisë së realizmit socialist."


Thotë gjithashtu se ngjarjet që paraqiten në të janë të jetuara dhe personazhet të njohur historikisht. Personazhe realë janë Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, Qazim Mulleti, Abaz Ermenji, apo personazhe "fiksionalë" si gjenerali gjerman "njeri i vrazhdë, cinik dhe përbuzës".


Armiku te "Karavidhet" është qesharak, i ulët, dinak, dëmprurës, djallëzor, këmbëngulës në ligësitë (cilësime të Haxhirajt) ndërsa te "Darka e gabuar" është parë në kampin e humanizmit. Edhe gjenerali gjerman pavarësisht kryqit të thyer në krah, plagëve të luftës etj., "është tjetër gjë", është një mik.


Autori i inskenimit të "Karavidheve" shkruan se është nisur nga pozita optimiste... për të pasqyruar problemet në vepër është bazuar në ideologjinë e partisë dhe është mbështetur fort në tabanin kombëtar.


Stacioni i krizës


I pyetur në një konferencë për shtyp për transparencën e vendimeve të bordit dhe të çdo lloj vendimi tjetër që ka të bëjë së paku me repertorin dhe programin (gazetarit nuk i jepet e drejta për t'u njohur me çështje financiare dhe të buxhetit të teatrit), drejtori i Teatrit Kombëtar dha një përgjigje rutinë, ndërsa një aktor mori pozë sikur donte të thoshte "kush ha kumbulla e kujt i mpihen dhëmbët."


U bë kohë që Teatri Kombëtar është ndalur në një stacion krize. Kujtojmë
"Këmbanat e muzgut" e Teodor Laços, "Antigona kërkon të atin" e Mihal Luarasit, "Hijet e natës" e Vedat Kokonës, apo edhe më herët "Nata e trokitjeve mbi xhama" e Dhimitër Anagnostit.


Shenjë e krizës është mendimi i ngulët se vepra të këtij lloji, si "Darka e gabuar", "vepra kombëtare", autorë shqiptarë që operojnë me tema të traditës dhe të truallit shqiptar, japin më shumë siguri për identitetin e lëkundur dhe gjendjen ku jemi, po edhe sallën e mbushin më mirë.


Programuesve të teatrit u mungon kurioziteti dhe fantazia në zgjedhjet që bëjnë. Për fat të keq kësaj i përgjigjet edhe publiku. Përndryshe si mund ta shpjegosh që një vepër e këtij niveli si "Darka..." mbush sallën dhe duartrokitet gjatë?


Pas premierës së "Darkës së gabuar" pati një aktor që nuk doli në skenë të përshëndetej me publikun. Ka menduar se nuk e meriton? Edhe në mos qoftë kështu, edhe sikur veprimi i tij të mos ketë lidhje me një gjest fisnik, herët a vonë aktorët e trupës së Teatrit Kombëtar që mbajnë familjet me këtë punë do të vihen përballë një ndjenje përgjegjësie për konformizmin dhe për përdorimin që po iu bëhet nga dramaturgë dhe regjisorë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›