Jonuzi në dilemë midis Shabanit dhe YmeritTrajneri i Maqedonisë ende nuk i ka emëruar bashkëpunëtorët. Selektori i ri i Maqedonisë paralajmëron befasi për lojtarët shqiptarë

RESHAT IBRAHIMI- Seleksionuesi i ri i reprezentacionit të Maqedonisë në futboll, Mirsad Jonuz deri të premten duhet të kompletoj stafin e tij më të cilët duhet të punojë. Për bashkëpunëtorë të tij përfliten emra të shumtë, ndërsa edhe vetë ai është në dilemë se për cilët të përcaktohet.
“Jam në biseda me shumë emra të futbollit. Së shpejti do të dihet se kush do të jenë bashkëpunëtorët e mi. Kryesorja është se unë i kam duart e lira nga FFM-ja rreth zgjedhjeve që do t’i bëjë. Nga trajnerët e portierëve jam duke biseduar me Gogo Jovçevin dhe Danço Celevskin, kurse nga trajnerët jam në kontakte me Vllatko Kostovin, Uran Ymerin dhe Nexhat Shabanin. Këta të fundit i çmoj shumë, sepse janë trajner që i njoh mirë, por më duhet të përcaktohem për njërin. Unë e di se cili do të jetë, por s’dua ta publikojë para së premtes”, është shprehur Jonuzi.
I pyetur nga “Lajm” nëse do të ketë më shumë lojtarë shqiptarë në përzgjedhjen e tij, ai tha: “Për mua të gjithë futbollistët janë të barabartë, por them se do të ketë befasi për lojtarët shqiptarë. Kemi shumë punë për të bërë, prandaj na duhet një konsolidim”, shtoi trajneri i ri i Maqedonisë. Mirsad Jonuzi për të premten ka caktuar një takim me gazetarët, ku do të bëjë publike emrat e lojtarëve për dy ndeshjet kualifikuese me Norvegjinë (6 qershor) dhe Islandën (10 qershor). Këto dy ndeshje zhvillohen në Shkup.
E Merkure, 20 Maj 2009