E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nje gol ne pozicion te dyshimte nisi permbysjen e Vllaznise ne Zvicer

Një gol në pozicion shumë të dyshimtë shkaktoi fillimin e rënies së kuqebluve. Një zviceran me origjinë shqiptare si Milaim Rama, realizoi golin e barazimit për skuadrën zvicerane Tun, në minutën e 89-të të ndeshjes së dytë të turit të dytë të Ligës së Europës, gol që nisi kthesën e madhe të vendasve.

Deri në atë moment, Vllaznia po kryesonte 1-0 me golin e shënuar nga Xhevahir Sukaj që në minutat e para të takimit, në atë të 14-të, duke gjuajtur shpejt në zonë, pas një topi që iu shërbye nga e majta.

Më tej, Tun organizoi një rrethim të portës shkodrane duke sulmuar pa pushim deri në minutat e fundit shtesë, i detyruar edhe nga rezultati 0-1 që i jepte kualifikimin skuadrës shqiptare pas 0-0 të ndeshjes së parë në “Loro Boriçi”. Por, barazoi Rama, siç e thamë në pozicion shumë të dyshimtë, ndoshta, ndoshta i mbajtur në lojë nga krahu i zgjatur i Rajoviçit.

Shqiptaro-zvicerani, me origjinë nga Kosova, nuk festoi pas golit, ndoshta në shenjë respekti ndaj shqiptarëve kuqeblu, ndërsa një sulm i fundit i Tunit solli kualifikimin e tyre dhe tragjedinë e Vllaznisë. Një top i gjatë në zonë u dërgua në zonën e vogël dhe aty portieri i shkodranëve, Vujadinoviç, nuk arriti të largonte topin, top që u dërgua me të shpejtë në rrjetë nga Lyti. Dy gola nga dy zëvendësues, ndërsa Vllaznia pretendoi edhe për ndërhyrje të gabuar nga portierit të saj, ndërhyrje që për hir të së vërtetës nuk duket e tillë.

Gjithsesi, një eleminim heroik i Vllaznisë, që mbetet skuadra shqiptare më mirë e përfaqësuar në Europë, duke kaluar një tur dhe duke u ndarë me 1 fitore, 2 barazime e 1 humbje dhe me golaverazhin e barabartë, 4-4, pasi në turin e parë eleminoi skuadrën malteze, Birkirkara.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›