E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josa “puth” kokat e Salihit dhe Pemës

Tirana ia arriti pjesën e dytë të kthejë në avantazhin e saj ndeshjen duke shënuar dy gola dhe fituar gjithë takimin me Dinamon 2-1, gola të shënuar nga i zakonshmi Hamdi Salihi në të 61 ‘(goli i tij gjashtë sezonal) dhe Eleandro Pema në minutën e 81-të.
"Gjyqtari Cekaj ndikoi jo pak në rezultatin e ndeshjes me vendimin e tij për të nxjerrë jashtë loje Kastelin. Dha një penallti të paqenë por na la dhe me dhjetë lojtarë", u shpreh jo pak i revoltuar trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini.
"Loja e Tiranës nuk ndryshoi vetëm kur Dinamo mbeti me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Zoran Kastel", - u shpreh tekniku bardheblu, Mirel Josa. "Edhe ne në Shkodër kundër Vllaznisë një javë më parë luajtëm me dy lojtarë më pak dhe luajtëm më mirë kur ishim në inferioritet numerik. Nuk kam asnjë lloj problemi me gjykimin. Dua të them se cdo palë ka pretendimet e veta, por unë besoj se sot ishte një gjykim normal".
Dinamo arriti ta mbyllë me fitore pjesën e parë të takimit me Tiranën. Golin e vetëm e shënoi mesfushori Julian Ahmataj nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 10-të. Ky është goli i dytë i Ahmataj që shënon nga pika e bardhë pas atij më Teutën (1-3). Tirana goditi dhe shtyllën me anë të Arjan Pishës. Dinamo e kontrolloi takimin duke përfituar edhe nga konfuzioni i Tiranës në organizimin e lojës, kjo dhe për shkak të mungesave të rëndësishme në mesfushë, por rastet për shënim nuk munguan nga të dyja skuadrat. Një pjesë e parë që pati katër kartona të verdhë: 3 Dinamo, 1 Tirana. Në pjesën e dytë Tirana ushtroi një presing të vazhdueshëm ndaj Dinamos, që pati vetëm një lojtar në sulm, senegalezin Gudjabi, shumë pak në lojë ( u zëvendësua nga ukrainasi Sergei Romanishin). Tirana arriti të fitojë një 11-metërsh në minutën e 47-të, por goleadori Salihi goditi shtyllën. Pas këtij rasti të humbur, bardheblutë e zhvendosën lojën në mesfushën dinamovite duke përfituar edhe nga superioriteti numerik, kur në rolin e një trekuartisti u pa dhe qendermbrojtësi Nevil Dede. Salihi shpërdoroi disa raste të pastra shënimi përpara se të shënonte me kokë pas krosimit të Eldorado Merkocit, që dha dhe asistin e golit të dytë të realizuar nga Eleandro Pema.
Në minutën e tretë shtesë, Julian Ahmataj goditi bukur me të majtën brenda zonës, por Nallbani reagoi mirë duke i hequr cdo mundësi Dinamos për të barazuar ndeshjen.
"Ishte një fitore si të gjitha fitoret e tjera. Kjo fitore i shërben skuadrës dhe na ndihmon për ndeshje e ardhshme".
Me fitoren e sotme të Tiranës në takimin e 121-të midis tyre, dy ekipet kanë numurë të barabartë fitoresh nga 45 të tilla për cdo ekip.
SKEDA
TIRANA 2
DINAMO 1
Shënues: H.Salihi 61', E.Pema 81/ J.Ahmataj 10' (pen)
Gjyqtarë: S. Cekaj, E. Doda, A. Mali.
Stadiumi "Qemal Stafa", Tiranë
Në minutën e 47-të, Salihi (Tirana) humbi një penallti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›