E Diel, 1 Nëntor 2026

Joserioze dorëheqjet e KQZ-së, duhen veprime të shpejta për zgjedhje të rregullta

21-05-2013 / Gazeta 55

Flet Robert Hand, Këshilltari i Komisionit amerikan të Helsinkit

Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit Robert Hand, shprehu në një intervistë për Zërin e Amerikës keqardhjen për ato që i quajti lojra politike, përfshirë situatën e krijuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për dorëheqjen e tre anëtarëve. Zoti Bob Hand theksoi se nëse arrihet një marrëveshje për KQZ-në duhet të jetë afatgjatë dhe në mbështetje të ligjit. “Pikëpamja ime për KQZ-në është se këta njerëz (anëtarët) zgjidhen nga partitë politike, por pasi janë miratuar, duhet të pritet prej tyre që të sillen me profesionalizëm, jo në mënyrë politike. Do të duhet një marrëveshje politike për ta rikthyer këtë formulë, por do të duhet gjithashtu një rikonfirmim i qartë që do ta respektojnë kodin, do të respektojnë ligjet dhe jo thjesht të bien në ujdi për atë që duan apo nuk duan të bëjnë”, theksoi ai. E ndërsa parashikon si zgjidhje marrëveshjen mes palëve, Hand thekson se kjo nuk duhet të jetë një zgjidhje e momentit, por një rikonfirmim i respektimit të kodit dhe ligjeve. “Do të thotë që një situatë e tillë mund të përsëritet. Do të thotë që kurdo që i intereson dikujt, mund të luajë me KQZ-në. Mendoj se për këto zgjedhje, por edhe për zgjedhje të ardhshme, integriteti i KQZ-së dhe gjithë organizmave të tjera zgjedhore duhet të respektohet, në mënyrë që njerëzit të kenë besim tek to. Prandaj nuk duhet të jetë një zgjidhje e momentit që lejon ecurinë e këtyre zgjedhjeve. Duhet të ketë një rikonfirmim i respektimit të kodit, të ligjeve dhe që këto institucione që duhet të rregullojnë në mënyrë të paanshme procesin e zgjedhjeve, të bëjnë të mundur që njerëzit të hedhin votën, të numërojnë votat siç duhet. Që gjithkush të besojë dhe rrjedhimisht të respektojë rezultatet, ka nevojë për instucione që gëzojnë besim dhe duhet bërë më shumë për krijuar besim tek këto institucione”, theksoi Hand. Në mungesë të marrëveshjes, Hand vlerëson se një KQZ me 4 anëtarë do ishte problematike, aq më tepër nëse do të ketë rezultat të ngushtë mes partive. “Kjo na rikthen tek KQZ-ja, sepse vetëm me katër anëtarë, nuk besoj se do të jetë në gjendje të marrë vendime për ankesat dhe ky duhet të ishte një nga hapat në përpjekje për të zgjidhur sfida ndaj procedurave zgjedhore dhe pastaj do të shkonte tek kolegji elektoral. Do të jetë e vështirë për këto zgjedhje për shkak të zhvillimeve të deritanishme. Mendoj se shumë varet nga fakti nëse ditën e zgjedhjeve, gjërat shkojnë mbarë në mënyrë të mjaftueshme që të mos ketë kontestime. Mendimi im është se nuk duhet të depozitohen ankesa, nëse nuk ka një bazë për ankesën. Nuk duhen bërë ankesa thjesht që të ketë ankesa. Por shpresoj që nëse votimi shkon mbarë, nuk do të ketë shumë ankesa dhe rezultatet do të respektohen. Ndoshta do të ketë disa pikëpyetje nëse gjykatat do të mund t’i gjykojnë siç duhet këto çështje, por në fillim le të shpresojmë që të mos ketë shumë probleme, në mënyrë që të mos ketë shumë ankesa për të shqyrtuar. Ndoshta partitë politike, duke mësuar nga përvoja me KQZ do të mësojnë të sillen më mirë dhe të mos ketë shumë ankesa për të cilat duhet marrë vendim. Me kalimin e kohës duhet bërë punë e mëtejshme me gjykatat për të garantuar më shumë respekt për shtetin ligjor, gjë që do të rriste besimin tek zgjedhjet e ardhshme” deklaroi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›