E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria shqiptare i ka respektuar liritë e komuniteteve fetare”

21-05-2013 / Gazeta 55

Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin për lirinë fetare

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor për tolerancën fetare, përfshirë edhe Shqipërinë. Raporti i DASH thekson  se liria fetare në Shqipëri mbrohet me Kushtetutë dhe ligj dhe se qeveria përgjithësisht i ka respektuar liritë e komuniteteve fetare. “Qeveria vazhdoi të trajtonte pretendimet nga grupet fetare lidhur me kthimin ose kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit; megjithatë, shumë pretendime pronësore mbetën të pazgjidhura. Pas arritjes së marrëveshjeve dypalëshe në vitin 2008 midis qeverisë dhe komuniteteve myslimane, ortodokse, dhe bektashiane, qeveria udhëzoi Agjencinë Shtetërore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave që t’i jepte përparësi pronave të zotëruara nga grupet fetare. Megjithatë, sfidat administrative dhe ligjore të lidhura me pretendimet pronësore në përgjithësi e bënin kthimin e pronave të vështirë për individët dhe organizatat, përfshi grupet fetare, dhe përparimi ishte i ngadaltë. Për shembull, procedurat e ngecura administrative vazhduan ta pengonin komunitetin bektashian nga rimarrja e pronave në Ksamil, prona të cilat një gjykatë ia kishte kthyer në vitin 2009”, thekson raporti. Më pas në raport i jep rëndësi regjistrimit të popullsisë dhe përkatësisë fetare duke vlerësuar përgjithshisht censusin. “Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, popullsia përbëhet nga 2.8 milionë banorë. Është e vështirë të vlerësohen përmasat e grupeve fetare sepse afro 20 përqind e të intervistuarve refuzuan t’i përgjigjeshin pyetjeve opsionale të regjistrimit mbi përkatësinë fetare. Një numër udhëheqësish fetarë i sfiduan rezultatet e regjistrimit. Sipas regjistrimit, myslimanët sunitë përbëjnë afro 57 përqind të popullsisë, katolikët romanë 10 përqind, të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë) afro 7 përqind, dhe bektashinjtë (një formë e sufizmit shiit) 2 përqind. Grupe të tjera përfshijnë Bahait, Dëshmitarët e Jehovait, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditës së Shtatë (mormonët).  Komiteti Shtetëror për Kultet raporton mbi 230 grupe, organizata, fondacione, dhe institucione fetare që kryejnë aktivitetin e tyre në vend”, vijon raporti. Gjithnjë sipas raportit, në Shqipëri nuk ka patur raportime për abuzime apo diskriminim shoqëror bazuar në përkatësinë fetare. Më tej, theksohet se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, është angazhuar dhe takuar rregullisht me udhëheqësit fetarë dhe me aktorë të tjerë, për të diskutuar çështje fetare, përfshirë edhe rëndësinë e kthimit dhe kompensimit të tokës. Ambasada, thekson raporti, ka promovuar lirinë fetare, nëpërmjet shtrimit të iftarit, tryezave të rrumbullakëta si dhe nëpërmjet dialogut ndërfetar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›