E Shtunë, 31 Tetor 2026

Joshja që përbën “ëndrra amerikane”, sfida më e madhe e Kinës

19-11-2012 / Nga Dominique Moisi

Kina mbase mund të jetë vetëm disa vjet larg të qenit fuqia prijëse ekonomike, dhe Amerika brenda pak vjetësh mund ta humbë shkëlqimin si ekonomia më e madhe (mbase sot askush nuk flet më për Shtetet e Bashkuara si  “superfuqia” e botës). Por njerëzit ëndërrojnë Amerikën dhe ajo ende ia del emocionalisht të mbetet një vend unik i botës. Në këtë sens java e kaluar solli dy fitore: jo vetëm fitorja e Barack Obamas karshi sfiduesit republikan, Mitt Romney, në zgjedhjet presidenciale, por edhe fitorja e sistemit demokratik të Amerikës karshi autoritarizmit njëpartiak të Kinës. Me pak fjalë në fjalimin e tij të fitores - një moment magjik - Obama festoi “misterin e demokracisë” në një mënyrë shumë konkrete, por pothuajse religjioze. Obama gjeti fjalët e duhura me të cilat ai nderoi qytetarë të panjohur, duke shkuar derë më derë për t’i bindur bashkëqytetarët amerikanë për të votuar kandidatin e tyre të preferuar. Ai përshkroi demokracinë si sistemin më të mirë, më fisnik, por jo edhe idealin. Falënderoi burrat dhe gratë që dolën në zgjedhje me qëllim të ndryshimit të kursit të fatit të tyre. Në këtë moment, sado i shkurtër qoftë, fuqia e butë e Amerikës e goditur nga një “knockouti” të Kinës, e cila një ditë më vonë me solemnitet – dhe në mënyrën më të errët – hapi Kongresin e tetëmbëdhjetë të Partisë Komuniste Kineze. Miliona njerëz të mbarë botës më parë do të preferonin të shihnin një palë zgjedhje si të Amerikës, sesa të ishin pjesë e planeve për pushtet afatgjatë në Kinë. Afërmendsh, Amerika nuk është qysh ka qenë. Është larg prej asaj së dikurshmes kur kishte politikën më moderne strategjike dhe të sigurisë ekonomike për aleatët, sikur ndodhte në të kaluarën. Ama nëse fuqia mbrojtëse e Amerikës ka shënuar sprapsje, fuqia e saj për të frymëzuar mbetet unike dhe ende mund të vjelë përftimet e veta në mënyrën më spektakolare. Fitorja e Obamas nuk ishte vetëm triumf i demokracisë, por ishte një e një vizioni dhe mesazhi i Amerikës. Duke mbajtur një qëndrim të hapur ndaj emigrantëve, duke ruajtur një diskurs të respektuar karshi të gjithë atyre që duan të përjetojnë përvojat e tyre të lira, dhe duke i marrë gratë në konsideratë në një mënyrë moderne dhe të dinjitetshme, Obama ishte i zoti të mobilizonte fuqinë e jashtëzakonshme të Amerikës, që bazohet në fjalën kryesore: diversitet. Duke injoruar me qëllim këtë diversitet dhe duke shprehur nostalgji për të kaluarën e largët, Partia Republikane – e prirë nga konservatorët e regjur – ishte më përgjegjëse për humbjen në zgjedhje, sesa kandidati i saj. Faji i Romneyt ishte se u lidh fort me këto ide që ishin shumë radikale edhe për të – dhe për Amerikën. Fati i kandidaturës së Romneyt përmban një mesazh universal për të gjitha regjimet demokratike: Askush nuk mund të fitojë asgjë duke kultivuar ekstremet ose duke u bërë peng i atyre ideve. Në fakt, ai që ndjek këtë qasje jo vetëm që nuk mund të fitojë zemrën e dikujt, por i humb edhe zgjedhjet. Ky ishte fati i Nicole Sarkozy në Francë: ai ishte mposhtur pasi kishte humbur mbështetjen e qendrës së elektoratit të tij. Obama është rizgjedhur, sepse Partia Republikane kishte humbur zemrën e qendrës në Amerikë. Afërmendsh, madhështia e demokracisë së Amerikës nuk duhet të mbulojë mosfunksionimin dhe çarjet e kohëve të fundit. Kostoja e këtyre zgjedhjeve ka kapërcyer dymiliardëshin, të gjitha të shpenzuara për të riprodhuar një status-quo: presidentin e njëjtë, dhe baraspeshën e njëjtë në Kongresin amerikan. Paraja është bërë një agjent brejtës që po gërryen dhe ridefinon procesin demokratik, me mobilizim të energjive personale, duke u hapur rrugë buxheteve të pakufishme të fushatave.
Përtej çështjes së parasë, ka një problem me një sistem të kontrollit dhe baraspeshës, që po çon drejt paralizës qeveritare. “Vetokracia” - e reflektuar në pengesat e zakonshme të Kongresit në mandatin e parë të Obamas - është një kërcënim për demokracinë. A do ta pranojë partia, e ngatërruar pas humbjes së zgjedhjeve, përgjegjësinë e vet përpara popullit amerikan, e jo vetëm përpara anëtarëve dhe mbështetësve të vet? Rizgjedhja e Obamas dërgon një mesazh, por një që do të rezonojë gjerësisht - përfshirë në shtëpi - vetëm nëse retorika nuk shmanget prej realitetit, sikur ka ndodhur shpeshherë në mandatin e parë të Obamas. Amerika nuk mund të vazhdojë të jetojë me padrejtësi të sistemit të saj të shëndetësisë ose me infrastrukturë në shembje, ose të dëmtuar. Askush nuk mund të qëndrojë duarkryq karshi kushteve të papranueshme të buxhetit që ndahet për studentët e universiteteve. Në të njëjtën kohë, derisa Amerika mund të mos jetë më aktor ndërkombëtar sikur ishte dikur, prodhimi i brendshëm i naftës dhe gazit duket se e ka të shkruar ta rishkruajë ekuacionin e energjisë amerikane – sikur mund të ndodh për Francën dhe vendet e tjera perëndimore, që një ditë mund t’u ndodhë të mos ia dalin pa ndihmën e energjisë së sjellë nga Lindja e Mesme. Sfida më e madhe globale e Amerikës është të pranojë se më nuk do të jetë e vetme në krye të listës. Asnjëherë më parë nuk i ka rënë hise të merret me të tjerët si të barabartë, ndryshe prej fuqive tradicionale të Evropës, të cilat kanë bërë kështu për shekuj me radhë. Sfida e Kinës, sidoqoftë, mund të jetë më e zorshme. Kina jo vetëm që duhet të jetojë me realitetin e fuqisë së Shteteve të Bashkuara; duhet gjithashtu të marrë në konsideratë idealin amerikan. Më 1989, një numër i madh studentësh dolën në sheshin “Tiananmen” për të kërkuar më shumë të drejta, duke përshtatur një simbol që kujtonte Shtatoren e Lirisë. Sot, gjithashtu, nuk është forca ushtarake që kërcënon ose sfidon Kinën, por më shumë joshja që përbën “ëndrra amerikane”.

Autori është themelues i Institutit Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IFRI). Komenti u botua së pari në “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›