Nga Laçi në Tiranë për të grabitur, një ndalohet, tjetri në kërkim
Ora shënonte 02:00 kur dy persona të armatosur i janë afruar karburantit te Xhamllëku dhe kanë marrë prej aty nën kërcënimin e armëve plot 300 mijë lekë. Fillimisht ata kanë kërkuar nga punonjësi i karburantit lekët që gjendeshin në arkë, por ky i fundit nuk ka denjuar t’u bindet dhe atëherë ata kanë hapur zjarr në ajër për ta frikësuar. Ky veprim iu doli për mirë grabitësve, të cilët kanë boshatisur arkën dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të pallateve aty pranë. Krisma i ka dekonspiruar keqbërësit, pasi ka vënë në lëvizje forcat e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 4. Uniformat blu kanë ndjekur nëpër pallate dy të rinjtë duke vënë në pranga, vetëm pesë minuta më pas, një prej tyre. Atij i është gjetur pistoleta e kalibrit të vogël me të cilën dyshohet se ka kryer edhe grabitjen. Nga krahasimi i gëzhojës së gjetur në vendngjarje dhe pistoletës që mbante i riu, patrulla e policisë së Komisariatit Nr.4 ka arritur në përfundimin se i riu është autori i dyshuar i grabitjes së karburantit. Burime policore thanë për gazetën se më pas, për vetë specifikën e saj, ngjarja është marrë për hetime të mëtejshme nga seksioni i grabitjeve me dhunë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës. Nga të dhënat e para mësohet se dy autorët e dyshuar nuk janë banorë të Tiranës, por kanë ardhur nga Laçi për të kryer këtë vepër penale në kryeqytet. Madje, hetuesit mendojnë se këta persona janë të dyshuar edhe për disa grabitje të tjera në kryeqytet. Inspektorët e krimeve po punojnë për zbardhur edhe disa ngjarje pa autorë, që mendohet se protagonistë të tyre janë dy të rinjtë nga Sanxhaku i Laçit. Ndërkohë është shpallur në kërkim policor bashkëpunëtori i të arrestuarit, që mendohet se ndodhet në rrethinat e metropolit.
#