Josip Kuzhe si gjerman, disiplinë mes kuqezinjve
Deri më tani është shfaqur si një trajner i hapur, një komunikues i mirë me futbollistët, e deri-diku edhe mjaft tolerant. Megjithatë, në grumbullimin për dy testet e radhës, Josip Kuzhe ka paraqitur anën e tij “të fortë”. Në prag të miqësores me Malin e Zi, më 25 maj në Podgoricë dhe ndeshjes me Andorrën, më 2 qershor në Tiranë, drejtuesi i stolit kuqezi ka vendosur disiplinë brenda grupit. Gjithçka bëhet me orare fikse: nisja për seancat stërvitore, ushqimi dhe më pas të gjithë në dhomat e tyre për të fjetur, në mënyrë që të rikuperojnë forcat. Dy ndeshjet do të shërbejnë për të krijuar kontingjentin e Kombëtares shqiptare, i cili do të luajë në eliminatoret e Euro 2012 dhe Kuzhe pretendon që të gjithë të jenë në maksimumin e formës. Vetëm në këtë mënyrë, trajneri dhe ndihmësit e tij do të arrijnë të vlerësojnë më së miri formën e elementëve që tashmë janë pjesë e përhershme, por edhe cilësinë e “prurjeve” të reja. Rregulli gjatë grumbullimit është shndërruar në moton e kuqezinjve, ndërsa “monotonia” thyhet kur në hollin e hotelit hyjnë gazetarët. Bisedat me lojtarët kuqezinj janë të zakonshme dhe në këtë pikë, tekniku kroat nuk shpreh asnjë shenjë pakënaqësie. Përkundrazi, ai përshëndetet përzemërsisht me të gjithë. Ashtu si zakonisht, lojtari që më së shumti kërkohet për biseda apo intervista mbetet mesfushori Lorik Cana.
#