Shpëton nga vetëhelmimi i dytë 16-vjeçarja
Shpëton nga vetëhelmimi 16-vjeçarja P.Minga, e cila tri ditë më parë tentoi të vriste veten duke pirë fostoksinë. Mjeku toksikolog, Kilo Stoja, tha për gazetën “Shqip” se ishte shumë i gëzuar që pacientja e tij shpëtoi paq. Dita e premte ka qenë afati i fundit për shpëtimin e jetës së 16-vjeçares nga fshati Bishan i Komunës Levan të Fierit. Sipas mjekut, afati i shpëtimit të saj përmbushej mesditën e së premtes dhe sapo ka kaluar ky afat, tepër i lumtur ai i ka uruar familjarët, të vetëhelmuarën si dhe kolegët e vet. “Ishte një afat 72 orësh që na kërkohej ne si mjekë për të pritur një përmirësim të ndjeshëm të shëndetit të vajzës. Shpresa nuk kishte, por për këtë rast duhet të themi se ka qenë një fitore e madhe”, tha mjeku Stoja. Duke e cilësuar mrekulli, mjeku ka thënë se sasia e lëndës helmuese që kishte gëlltitur vajza ishte e madhe dhe nuk jepte shpresa për shpëtim, por marrja e shpejtë e ndihmës ka bërë që ajo të shpëtojë. P.Minga do të qëndrojë edhe disa ditë nën kujdesin e mjekëve. Edhe pse ka dëmtime të organeve tretëse, shpresohet që shumë shpejt ato të rigjenerohen dhe vajza të gëzojë shëndet normal. Pas daljes nga gjendja kritike, ajo është trajtuar nga shërbimi i psikologut. Kjo ka qenë tentativa e dytë për vetëvrasje nga ana e adoleshentes dhe sipas familjarëve, ajo kishte rënë në depresion pas një historie të ngatërruar dashurie. Mjeku Kilo Stoja, i cili trajton raste të tilla prej vitesh, tha se që nga viti 2008 ky është rasti i dytë i shpëtimit të jetës së një pacienti në gjendje kaq të rëndë”. Sipas Stojës, mjekësia është shpesh e pafuqishme përballë këtyre akteve, por mund të bëhet shumë ndihmë për parandalimin e tyre dhe për këtë qëllim duhet të hartohen politika nga shteti.
#