Josipoviç, profili i një Presidenti proeuropian
Koment
Me zgjedhjen e Ivo Josipoviçit si President i ri, i treti për nga radha, Kroacia konfirmoi përcaktimin e saj të fortë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE), respektimit dhe kultivimit të vlerave europiane themelore. Ky është shkurtimisht thelbi i të gjitha konkluzioneve dhe i analizave të ekspertëve dhe të politologëve kroatë pas fitores bindëse të këtij profesori të Fakultetit Juridik të Universitetit të Zagrebit dhe kompozitori amator në zgjedhjet presidenciale të pesta që nga shpallja e pavarësisë së Kroacisë në vitin 1991.
Sikurse u bë e ditur, Josipoviç i PSD-së mblodhi 60.26 për qind të votave, kurse rivali i tij kryesor, kandidati i pavarur Millan Bandiç – 39,74 për qind të votave, ndërkohë që në zgjedhje morën pjesë 50,2 për qind të zgjedhësve të regjistruar. Bie në sy fitorja e Josipoviçit në të gjitha qytetet e mëdha kroate, me përjashtim të Gospiçit dhe të Kninit, ku e djathta mbizotëruese mbështeti Bandiçin. Me fjalë të tjera, sikurse theksohet sot edhe në median kroate, Josipoviçi siguroi një mbështetje të gjerë plebishitare të qytetarëve kroatë të të gjitha ngjyrave e orientimeve politike, gjë të cilën analistët vendës e interpretojnë si “triumf mbi atë trup elektoral të ndotur nga qeverisja e HDZ-së (Unioni Demokratik Kroat), të prekur nga një seri aferash e skandalesh korruptive, kriminaliteti, kriza ekonomike dhe mungesa e respektimit të ligjshmërisë”.
Tani vëmendja e analistëve dhe politologëve vendës është përqendruar te çështja kryesore se çfarë do të thotë fitorja e Josipoviçit për Kroacinë dhe jo vetëm për të, por edhe për rajonin që e rrethon atë. Përgjigjja e parë është se asgjë e re e rëndësishme nuk do të ndodhë, të paktën jo brenda periudhës së afërme afatshkurtër, për arsyen e thjeshtë se nuk është Presidenti i Kroacisë që ai që bën politikën e vendit, por, megjithatë, ai mund të ndikojë tek ajo. Kjo, në radhë të parë, do të varet nga prestigji i tij personal, dijenitë dhe autoriteti si personalitet. Dhe Josipoviçi të gjitha këto i ka dhe, duke zotëruar këto cilësi, ai shumë mirë mund të prezantojë atë Kroaci simpatike dhe plot kulturë që do të mund të ketë ndikimin e saj pozitiv te percepsionet e qarqeve dhe mjediseve politike të caktuara rajonale dhe më gjerësisht.
Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike të Zagrebit, Ivan Grdeshiç, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri të Kroacisë, e vlerëson Josipoviçin si një “njeri që arriti të zërë një vend të mirë në një kohë të mirë”, duke konsideruar se përvoja e tij juridike dhe njohja nga ana e tij të institucioneve juridike “do ta ndihmojnë Kroacinë në rrugën e saj drejt BE-së”, ndërkohë që në planin e brendshëm zgjedhja e tij, sigurisht, që do të ndikojë te ripërtëritja e besimit të lëkundur të qytetarëve tek institucionet e drejtësisë të këtij vendi, veprimtaria jobindëse e të cilëve vitet e fundit ka lënë shumë për të dëshiruar.
“Vetëkuptohet se nuk i takon Presidentit të kapë të dyshuarit për korrupsion ose kriminalitet të organizuar, por ai mund të përshëndesë publikisht ata që do ta bëjnë këtë dhe kjo do të nxisë institucionet e tjera që të veprojnë e të ndikojnë për krijimin e një tabloje pozitive të sistemit juridik në opinionin publik”, theksoi profesori i lartpërmendur. Dhe, në fund të fundit, parulla kryesore paraelektorale e Josipoviçit ishte lufta pa kompromis kundër korrupsionit e kriminalitetit të organizuar dhe kthimi i besimit të qytetarëve te drejtësia dhe institucionet e shtetit. Lidhur me këtë, Presidenti i ri i Kroacisë thotë: “Lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar duhet të bëhet prioritet kombëtar jo vetëm në letër, por në veprime konkrete.
Krahas drejtësisë së ndershme dhe policisë, një rol të veçantë në këtë mund të luajë edhe sistemi i sigurimit dhe i zbulimit”. Analistët politikë, në përgjithësi, e cilësojnë Josipoviçin si një “person kooperues, në ndryshim nga Millan Bandiçi autoritar” dhe janë dakord me vlerësimin e përgjithshëm ndërkombëtar si fitorja e Josipoviçit është “me të vërtetë një fitore e modestisë civile dhe e inteligjencës”.
#