OKB-ja: Ndihmë Shqipërisë nga “cunami"i ri në Europë

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë rrezikun e daljes jashtë kontrollit të katastrofës humanitare
Kombet e Bashkuara po ndihmojnë Shqipërinë të përballojë përmbytjet në Veri të vendit, që kanë detyruar mijëra njerëz të lënë shtëpitë. Nga Kombet e Bashkuara, në terren janë të angazhuar OCHA, UNCTAD, UNICEF, PNUD dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar (ICRC) - të gjitha këto agjenci humanitare të OKB-së, si dhe shumë organizata nga Bashkimi Europian.
Mbi 10 mijë persona sot në Shqipëri, kryesisht në rrethinat e Shkodrës me rrethinë, janë viktimë nga pasojat e vërshimeve. Ndërkaq 4025 persona të tjerë ose mbi 1000 familje janë evakuuar nga zonat e rrezikuara, ndërsa 2025 shtëpi janë shkatërruar nga përmbytjet e ditëve të fundit. Mbi 10 mijë hektarë tokë pjellore janë dëmtuar tërësisht. Ndërkaq 9.800 kokë kafshë shtëpiake janë në rrezik për zhdukje. Janë këto vetëm disa shifra alarmante nga zyrtarët e Kombeve të Bashkuara, që u dhanë gjatë konferencës së djeshme për shtyp në Gjenevë, duke iu përgjigjur edhe pyetjes për bilancin e pasojave të vërshimeve të fundit në Shqipëri, si dhe angazhimin e OKB-së në këto zhvillime shqetësuese.
Elizabeth Byrs, përgjegjëse e Fondacionit të OKB-së për Ndihma, deklaroi për “Shqip” se “Shqipëria, fatkeqësisht sot është zhytur në një katastrofë humanitare të paprecedentë. Sipas zyrtarëve të OKB-së, për të parandaluar një ‘cunami’ të ri në Europë, që tani Kombet e Bashkuara dhe mbarë komuniteti ndërkombëtar, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, janë mobilizuar nëpërmjet një serë aktivitetesh, duke marrë masa parandaluese. Prandaj, për të penguar zgjerimin e kësaj katastrofe humanitare në Shqipëri, aktualisht në terren gjenden 1200 përfaqësues dhe ekspertë të ekipeve të shpëtimit vendor dhe ndërkombëtar. Shqipërisë i kanë ardhur në ndihmë edhe shumë shtete të tjera, si Kosova, Austria, Sllovenia, Franca etj.”.
Ndihmat e ofruara vendit tonë nga vende të ndryshme të botës, sipas Byrs, kryesisht janë me ushqim, veshmbathje, batanije ose me ekipe shpëtimi ose ushtarë, si dhe me zjarrfikës ose me makina transporti, duke përfshirë këtu edhe helikopterë a barka të vogla. Kur është fjala për katastrofën humanitare në Shqipëri, qysh tash edhe shqiptarët në Zvicër e në diasporë kanë filluar të organizohen dhe të ofrojnë ndihma për të zvogëluar sadopak vuajtjet e viktimave të vërshimeve në vendin tonë.
#