Josipoviç: Qëndrimin ndaj Kosovës e kemi treguar me njohjen e saj
Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, ka thënë se në marrëdhëniet e vendit të tij dhe Serbisë, pikat e diskutueshme janë ato të kufirit dhe problemet e lidhura me luftën dhe pasluftën, ndërsa përsa i përket çështjes së Kosovës, presidenti i ri kroat ka thënë se vendi i tij e ka treguar qëndrimin e vet, kur e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Në një intervistë dhënë dhënë për shtypin e shkruar, Josipoviç e ka konsideruar irracionale mospjesëmarrjen e presidentit serb Boris Tadiç në ceremoninë e tij inauguruese, duke thënë se Kroacia nuk ndërhyn në raportet e Serbisë ndaj Kosovës. "Mendoj se edhe opinioni serb dhe politikanët serbë e kanë të qartë se unë përfaqësoj një politikë paqësore, një politikë të bashkëpunimit dhe të zgjidhjes së problemeve. Fatkeqësisht më duhet të konstatoj se arsyen e mospjesëmarrjes së Tadicit në inaugurim, e konsideroj tërësisht irracionale, sepse çështja e marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës në tërësi është jashtë politikës kroate. Ne as nuk mundemi, e as nuk dëshirojmë të ndikojmë në raportet serbo-kosovare. Ne qëndrimin tonë ndaj Kosovës e kemi treguar me njohjen e pavarësisë së saj dhe nga kjo nuk zmbrapsemi", ka thënë presidenti kroat në deklaratën e tij.