E Diel, 1 Nëntor 2026

Jovanoviç: Serbia ta tërheqë rezolutën për Kosovën

Propozimi Kreu i liberaldemokratëve serbë: Duhet një marrëveshje historike Prishtinë-Beograd

Politika shtetërore e Serbisë për Kosovën duhet të ndryshojë patjetër, theksoi kryetari i Partisë Liberal-Demokratike (LDP), çedomir Jovanoviç, duke shtuar se ai mund të përpiqet për atë lloj pavarësie të saj që do t’u përgjigjej serbëve që jetojnë atje. “Për 22 shtete europiane, anëtare të BE-së, Kosova është e pavarur. Po ashtu, Kosova është e pavarur edhe për 70 shtete të botës dhe, ka shumë të ngjarë, që Kosova të pranohet anëtare e OKB-së”, deklaroi dje (më 10 gusht) kryetari i LDP-së në një konferencë shtypi me gazetarët në Skupshtinën (parlamentin) serbe, me rastin e paraqitjes së afërmi nga partia e tij të një projektrezolute për Serbinë dhe Kosovën të gjithë grupeve parlamentare serbe. Duke argumentuar paraqitjen e kësaj projektrezolute, ky politikan i ri serb, që konsiderohet përgjithësisht si nga mendjet më racionale e proeuropiane në Serbi, tha se LDP-ja nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, por se këtë mund ta bëjnë njerëzit që jetojnë në këtë vend. “Unë mund të përpiqem dhe do të përpiqem për njohjen e asaj pavarësie të Kosovës, e cila do të jetë e pranueshme për serbët e Kosovës. Unë do të përpiqem për zgjidhjen e problemeve”, tha Jovanoviçi, duke vlerësuar se ndryshimi i politikës shtetërore serbe duhet të nënkuptojë edhe përshpejtimin e integrimeve europiane dhe anëtarësimin e Serbisë në NATO. Sipas kryetarit të LDP-së serbe, ekziston nevoja për arritjen, sikurse theksoi ai, të një marrëveshjeje historike mes Beogradit dhe Prishtinës, që “duhet të respektojë realitetin” dhe e cila do të mundësojë vendosjen e marrëdhënieve të veçanta mes Serbisë dhe Kosovës, ekstraterritorialitetin e manastireve serbe dhe mbrojtjen e të gjithë atyre njerëzve që jetojnë atje”. Ai tha se, sipas vlerësimit të tij, gjithçka tjetër do të ishte një politikë boshe dhe një ideologji që do të përbënte një vazhdimësi të politikës së Sllobodan Millosheviçit, si dhe do të linte pasoja shkatërrimtare tek e ardhmja e vendit. Sipas tij, projektrezoluta e LDP-së si objektiv më të rëndësishëm të politikës shtetërore të Serbisë përcakton “zgjidhjen përfundimtare të të gjitha çështjeve të hapura që rëndojnë të ardhmen politike, ekonomike dhe të sigurisë së vendit, si dhe përqendrimin te përmbushja e shpejtë e kushteve për pranimin në BE”. Gjithashtu, në këtë projektrezolutë vihet në dukje se Serbia duhet të jetë e ndërgjegjshme që çështja e statusit përfundimtar të Kosovës nuk mund të zgjidhet me një kompromis të zakonshëm, ndërsa propozohet që të gjitha problemet të zgjidhen duke rregulluar gradualisht marrëdhëniet e ndërsjella dhe duke krijuar rrethana të reja, që do të përmbajnë garancitë përkatëse, që Serbia të hyjë në BE e NATO dhe që forcat e NATO-s të vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë. “Shpejtimi i procesit të pranimit të Serbisë në BE, pranimi i saj në NATO dhe garancitë institucionale të statusit të veçantë për komunitetin serb në Kosovë, do të krijonin hapësirën që Serbia të heqë dorë nga bllokada politike e integrimit të Kosovës në organizatat që do të mundësojnë përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve të saj”, theksohet në projektrezolutën e LDP-së.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›