E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problematike, rënia ekonomike e Kinës dhe vazhdimi i krizës amerikane

Financë Tregjet ndërkombëtare pësojnë lëkundje në prag të deklaratave së Fed

Tregjet financiare të botës kanë lëshuar dje shenja të tjera të një rënieje, si pasojë e shenjave për një ngadalësim të rritjes ekonomike në Kinë dhe në pritje të një deklarate shumë kyçe në lidhje me politikën e afërt të Rezervës Federale në Amerikë. Fokusi kryesor i tregut tani është ai i konsiderimit të të dhënave të fundit të ekonomisë amerikane, përfshi edhe shifrat e papunësisë për muajin korrik, të cilat kanë qenë në vazhdim të atyre të muajve të fundit jo të mirë. Kjo do të ndikojë edhe në deklaratën e Bankës Qendrore të Amerikës, e cila ndoshta do të vazhdojë që të operojë me një politikë monetare më të liruar për t’i dhënë mundësi dhe hapësirë rritjes ekonomike dhe rimarrjes së vendit nga kriza e gjatë nga e cila nuk është shëruar. Një pjesë e madhe e ekonomistëve mendojnë se Rezerva Federale në Amerikë do të deklarojë se ekonomia amerikane ndodhet në një moment kur edhe presioni i inflacionit është qetësuar. Shifrat për ekonominë të publikuara dje flasin për rënie të produktivitetit amerikan gjatë tremujorit të dytë të vitit. Por shumë analistë mendojnë se banka qendrore nuk mund të vazhdojë që të pompojë para në treg, sa herë që paraqiten vështirësi. Ndërkohë dollari ka pësuar rënie kundrejt monedhave të tjera gjatë javëve të fundit dhe sipas analistëve, një nga arsyet e një rezultati të tillë është divergjenca mes politikave të Fed dhe Bankës Qendrore Europiane. Kjo e fundit duket e pozicionuar më mirë në vazhdimësinë e mbështetjes së programeve të ndihmës emergjente ndaj problemeve që pati monedha e saj. Një nga shqetësimet e tjera të tregut kanë qenë edhe shenjat për një rënie të rritjes ekonomike të Kinës, ndërkohë që edhe ekonomia amerikane nuk ka ende performancën e mirë. Ekonomia kineze e fortë dhe kërkesa e kësaj ekonomie ka qenë një nga shkaqet e rikuperimit të ekonomisë botërore pas krizës, por autoriteti monetar kinez është i shqetësuar në lidhje me presionin potencial të inflacionit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›