E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mund të luash me gishta të ngrirë?

Mbrëmjen e së enjtes, Tedi Papavrami dha koncertin e parë pas 25 vitesh në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Publiku i dha shumë ngrohtësi, përpos të ftohtit sallës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, që ia vështirësonte situatën të gjithëve
 
Nuk kishte veshur ndonjë uniformë klasike për skenë. Në fund të fundit ishte në shtëpinë e tij. Pantallona të zeza, një xhaketë të leshtë me jakë gjysmë ushtarake dhe një golf gri. Salla e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si çdo dimër akull e ftohtë.
Për Tedi Papavramin, ky kthim pas shumë vjetësh në shtëpi nuk është edhe aq i thjeshtë. Nuk diskutohet pritja. Që pas kuintave mund të dalloje njerëzit që kishin mbushur edhe galerinë e TOB-it. Ndoshta ishte pikërisht kjo pritje që e emociononte violinistin, i mësuar me skenën që në 8 vjeç. Një përkulje e thellë për publikun dhe teatrin ku nisi udhëtimin artistik. Pastaj një qëndrim gati i ftohtë. Di ta kontrollojë fare mirë emocionin. "Është gjithmonë prekëse të luaj në një vend, ku një pjesë e publikut më kanë njohur që të vogël. Po nga ana profesionale, mundohem ta ushtroj zanatin tim njëlloj kudo. Rëndësi ka muzika. Ajo i përket botës së kompozitorit, jo times", - do të thoshte për "Shekullin" pak ditë para koncertit Papavrami. Herë-herë shihte harkun. Seç kishte diçka që e shqetësonte. Gjatë çdo pauze shihte harkun, prej së cilit shumë shpejt u këput një prej telave. Pas nxemjes muzikore nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja, rrodhi Koncerti nr. 1 i Paganinit në re mazhor (allegro maestozo, adagio espresivvo, allegro spiritoso), pjesë me të cilën Papavrami ndihet i lidhur në mënyrën më shpirtërore, pasi e ka luajtur 25 vjet të shkuara tek kjo skenë. Një vepër me të cilën është rritur teknikisht edhe violinisti. Sigurisht nuk ka nevojë për partiturë. Çdo detaj është shkruar në mendjen e tij dhe gjatë kohës që luan, me nofulla të tendosura, duket sikur këndon notat. Faqe të tëra me nota. Madje herë-herë duket si në një botë krejt të tijën, "të shkëputur" prej orkestrës, prej sallës. Shumë rallë ndjek me kokë ritmin. Çdo hyrje është e llogaritur në mënyrë të pagabueshme. Tablotë e kompozuara nga Paganini marrin ngjyrë nën lojën e gishtave, që lëvizin me nxitim. Dukej e çuditshme se si mund të dilnin kaq shumë "zëra" nga një instrument i vetëm. Dramaticiteti i lë vendin romanticizmit e më tej gëzimit. Pas 30 minutash interpretim, vjen edhe pika finale. Përpos lëvizjeve energjike, Maestro Krantja, e shoqëron kulmimin edhe me një klithmë, si të donte të shkarkonte atë emocion që kish mbledhur gjatë këtij koncerti. Publiku (që duhet thënë që ishte i zgjedhur, për faktin që koncerti u luajt vetëm një natë) u ngrit në këmbë për Papavramin. Këtu u ravijëzua e para buzëqeshje e violinistit, që mungoi gjatë gjithë prezantimit të parë.
Një tjetër përkulje e thellë. Pas breshërisë së duartrokitjeve dhe përplasjeve të këmbëve prej orkestrantëve, Papavrami, doli sërish në skenë dhe iu përgjigj bizz-it. "Do t'ju interpretoj Baladën e Isaisë". Ishin të vetmet fjalë të violinistit. Pjesa e dytë ka një tjetër karakter. Është më dramatike. Dhe duket që Papavrami e ka vërtet për zemër. Publiku i kryeqytetit, i etur për pak jetë artistike, nuk mund të ëndërronte më shumë se kaq. Dhe një rast i tillë nuk vjen, e jo më të vijë shpesh. Ishte një kohë e shpenzuar mjaft mirë. E nisur me një koncert në re mazhor nga Brahms, interpretuar nga Orkestra e RTSH-së dhe nën drejtimin spektakolar të Krantjes, për të vijuar me virtuozin Papavrami. Po kaq i kënaqur duket të ketë mbetur edhe vetë violinisti nga ky takim me publikun e tij që i dha shumë ngrohtësi, përpos të ftohtit sallës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, që ia vështirësonte situatën të gjithëve. (Si mund të luash me gishta të ngrirë ?!)
Gjatë ditës së djeshme Papavrami, i shoqëruar nga drejtuesja e shoqatës franko-shqiptare "Argjiro" (që mundësoi ardhjen e tij në Tiranë), Ilda Mara, vizitoi Liceun Artistik "Jordan Misja". Shkoi në klasën ku bënte mësim dy dekada e gjysmë më parë. Takoi nxënës dhe pedagogë dhe ndoqi disa saxho të nxënësve të Liceut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›