E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jozefina Topalli: Mbyllja e reformave, e nevojshme për marrjen e statusit të kandidatit

03-07-2012 / Gazeta 55

Zhvillohet në Tiranë seminari “Trashëgimia zgjedhore evropiane: Dhjetë vjet të kodit të praktikës së mirë për çështjet zgjedhore”


Në kuadrin e Presidencës së Shqipërisë të Këshillit të Evropës, Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Komisioni e Venecias dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve filloi dje aktivitetin me temë “Trashëgimia zgjedhore evropiane: dhjetë vjet të kodit të praktikës së mirë për çështjet zgjedhore”. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila drejtoi sesionin e hapjes së këtij aktiviteti, nënvizoi se Shqipëria e ka parë Kodin e Praktikave të Mira për çështjet zgjedhore si një yll polar. Topalli theksoi domosdoshmërinë e kompletimit të ligjit zgjedhor dhe avancimin e reformave me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, në vjeshtë të këtij viti. “Duke u mbështetur në këtë dokument, 10 vjetorin e të cilit celebrojmë sot, Shqipëria ka bere përpjekje te ndershme, ka bërë hapa te rëndësishëm, ka arritur progres, në realitetin legjislativ dhe jetën elektorale në vend. Këtë dokument ne e kemi shikuar dhe e shohim si yll polar. Edhe gjatë muajve të fundit, bazuar në dokumentin e praktikave te mira zgjedhore dhe në rekomandimet e ODIHR-it, në Komisionin e Reformës Zgjedhore është bërë një punë e madhe dhe e vlerësueshme. Tani është finishi… dhe kjo punë duhet të mbyllet. Nuk ka kohë për të humbur. Ftoj njerëzisht, që ajo çka ka mbetur, të përfundohet shpejt. Sesioni po shkon drejt mbylljes. Kufizimi i imunitetit duhet te votohet po ashtu. Komisioni i Venecias pas kërkesës sime kohe me pare  ka dhënë opinionin e tij. Mazhoranca është e gatshme për cilëndo rrugë që opozita dëshiron. Është koha. Është koha për të vepruar. Është koha tani. Shqiptaret duan statusin, ato e meritojnë. Ata nuk e falin bllokimin. Dhe këtë e kane treguar. Unë jam besimplote. Edhe ky takim sot në Tiranë flet për këtë”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në fjalën e saj në këtë aktivitet ku ishin të pranishëm anëtarë të Komisionit të Venecias, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, drejtues të NGO-ve për zgjedhjet, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se “Komisioni i Venecias është një “think tank” i jashtëzakonshëm”. Sipas saj, ai është instrumenti më i specializuar i çështjeve kushtetuese e jo vetëm. “Në vite ai ka shoqëruar të gjitha vendet e Evropës së lindjes në rrugën e tyre të tranzicionit drejt BE. Shqipëria ka patur po ashtu një bashkëpunim të shkëlqyer ndër vite me Komisionin e Venecias”, tha ajo. Kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje se rëndësia e kësaj konference rritet edhe më shumë pasi Shqipëria kryeson për herë të parë Presidencën e radhës së Këshillit të Evropës, familjes evropiane aq shumë të dëshiruar dhe ku ne jemi anëtarë me të drejta, detyrime dhe atribute të plota që nga ratifikimi i anëtarësimit në korrik 1995. “Kjo konferencë sot në Tiranë flet për këtë besim e bashkëpunim, por edhe për perspektivën po aq të shkëlqyer të këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Bashkëpunimi ynë ridimensionohet me vlere të shumëfishtë sot edhe për dy arsye madhore: Së pari - sepse ai zhvillohet në një kohë kur Shqipëria mban për herë të parë Presidencën e radhës së Këshillit të Evropës, familjes evropiane aq shumë të dëshiruar dhe ku ne jemi anëtarë me të drejta, detyrime dhe atribute të plota që nga ratifikimi i anëtarësimit në korrik 1995. Së dyti - kjo konferencë mbahet në një vit të veçantë në historinë e Shqipërisë, diamantin e përvjetorit te 100  të pavarësisë të shtetit shqiptar. Në këtë kontekst ne kemi ç’të marrim prej vlerave evropiane, ashtu sikundër i kemi dhënë dhe do të japim për sistemin e vlerave që mbron dhe promovon Këshilli i Europës. Tema për të cilën jemi mbledhur dhe do të diskutojmë për dy ditë, është me shumë vlerë, me shumë domethënie dhe do të ishte e njëjtë dhe me po me aq aktualitet si të ishte zhvilluar në Londër, Paris, Berlin, Budapest apo Pragë. Në Tiranë sot do t’i dedikojmë kohën dhe atributet e merituara 10 vjetorit të një prej dokumenteve më fondamentalë të Këshillit të Evropës, dhe që është i diskutueshëm, respektueshëm dhe i aplikueshëm në çdo cep të Këshillit të Evropës sot. Dokumenti i praktikave të mira elektorale është një dokument fondamental se cilës të gjithë i referohemi. Ai është kushtetuta e zgjedhjeve. Sipas parimeve të demokracisë elektorale, të gjithë qytetarët duhet të kenë të drejta të barabarta për të marrë pjesë si zgjedhur dhe si të zgjedhur, të gjithë qytetarët duhet të kenë votë të barabartë, duhet të sigurohet votimi i fshehtë, zgjedhësit duhet të kenë akses në informacionin politik, ligji duhet të sigurojë administrim të drejtë dhe jo politik të zgjedhjeve, zgjedhjet duhet të mbahen rregullisht dhe rezultati të vendoset sipas vullnetit të lirë të shumicës së votave. Këto parime që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme janë parakushte themelore për të pasur integritet zgjedhor në një vend. Integriteti i zgjedhjeve varet nga dedikimi për t’ju bindur sistemit demokratik të qeverisjes dhe shtetit të së drejtës, kanalet e pjesëmarrjes dhe ankimit, transparenca për të ndryshuar atëherë kur është e nevojshme dhe pranimi i rezultateve që rrjedhin nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zgjedhjet janë produkt i një kompleksi procesesh që kërkojnë pjesëmarrjen e aktorëve të shumëfishtë në to. Është një proces që kërkon kontributin e sinqerte dhe gjithëpërfshirës në nivelin politik dhe teknik. Për shkak të rivalitetit politik integriteti i zgjedhjeve nuk është një gjë që mund të merret falas. Ndaj dhe mekanizmat për të krijuar dhe mbajtur integritetin e zgjedhjeve  janë parashikuar në ligj dhe  zbatohen si të atilla. Ka fitues dhe ka të humbur në çdo zgjedhje, sepse të tilla janë ‘rregullat e lojës’. Duke u mbështetur në këtë dokument, 10 vjetorin e të cilit celebrojmë sot, Shqipëria ka bërë përpjekje të ndershme, ka bërë hapa të rëndësishëm, ka arritur progres, në realitetin legjislativ dhe jetën elektorale në vend. Këtë dokument ne e kemi shikuar dhe e shohim si yll polar”, theksoi kryetarja e Kuvendit, Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›