Jozefina Topalli: Themelimi i PD na bën ende krenar, sot pas 21 viteve

Dega e Partisë Demokratike në Berat, feston 21-vjetorin e krijimit
Partia Demokratike, forca e parë politike opozitare pas diktaturës së gjatë komuniste, po feston këto ditë në të gjitha rrethet e vendit 21 vjetorin e krijimit të saj. Kryetarja e Kuvendit, njëherazi nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli u shpreh në Berat se, “para 21 vitesh lindi partia e lirisë dhe e të drejtave të njeriut, mrekullia që na bën të ndihemi krenarë. Unë jam shumë e kënaqur sot që jam në Berat. Jam e kënaqur që jam së bashku me strukturat e Partisë Demokratike të Beratit. Jam e kënaqur dhe jam këtu për t’ju falënderuar të gjithë demokrateve, zonja e zotërinj për të gjithë punën, për përkushtimin, për dedikimin që në vite keni treguar ndaj Shqipërisë, ndaj Partisë Demokratike. Sot Partia Demokratike është 21 vjeç. Datëlindja është një festë e bukur dhe unë jam e sigurt se kjo do të jetë një festë e bukur, ashtu siç i takon degës së Partisë Demokratike në Berat. Lindja e një force politike, aq më tepër e një force politike që do ishte një forcë opozitare pas një diktature gjysmë shekullore, është ngjarja më e bukur, lindja e së cilës na mrekullon dhe na bën krenar sot pas 21 viteve”-,u shpreh kryetarja e Kuvendit, Topalli.
Por kjo ditëlindje, sikundër u shpreh kryeparlamentarja, merr një rëndësi edhe më të madhe, pasi përkon me një vit jubilar, me 100 vjetorin e Pavarësisë, një moment ky që të fton jo vetëm në festë, por dhe në reflektim mbi historinë e shqiptarëve në ngjarjet më të mëdha kombëtare që nga kohërat e Skënderbeut deri sot.
“Kjo ditëlindje përkon me një vit jubilar që është 100 vjetori i pavarësisë, që është 100 vjet nga ngritja e flamurit në Vlorë. Një jubile që na bën të festojmë, të reflektojmë, që na bën të mendojmë për historinë tonë, për historinë e shtetit tonë, për ngjarjet më të mëdha kombëtare: Qysh nga krijimi i shtetit në kohën e Skënderbeut në 28 nëntor 1444 për të ardhur pastaj përmes kryengritjeve nga lidhja shqiptare e Lezhës te lidhja shqiptare e Prizrenit, te Kuvendi i Vlorës, te Kongresi i Lushnjës tek 28 nëntori 1912, e deri më sot.
Shqiptarët, si çdo herë në historinë e tyre me sytë nga perëndimi, nga vlerat e lirisë, atdhedashurisë, 21 vite më parë ashtu si në Tiranë, Shkodër, Vlorë edhe këtu në Berat u ngritën dhe krijuan atë që do ishte partia e lirive e të drejtave të njeriut, e të drejtave politike, e të drejtave civile”, tha ajo.
Për kryetaren e Kuvendit, Topalli në krye të 21 viteve, demokratët e konsiderojnë bilancin e tyre pozitiv. Pas dy dekadash demokraci Shqipëria është rritur ekonomikisht dhe politikisht në optikën e forcës që qeveris vendin.
“Natyrisht kur bëjmë bilancin na rezulton se në këtë periudhë Shqipëria është rritur, është rritur ekonomikisht, është rritur politikisht. U bëmë anëtar të NATO-s, pavarësia e Kosovës u kry’, liria e lëvizjes u kry, rruga e kombit u kry’, infrastruktura në Shqipëri po kryhet. Ne do të bëjmë, në sajë të dedikimit të ju demokratëve, të çdo shqiptari që ky vendi ynë i dashur, i bukur, në një periudhë të shkurtër të bëhet një Shqipëri e zhvilluar ashtu siç e kanë ëndërruar 100 vite përpara ata që vendosën bazat e shtetit modern shqiptar, ashtu siç e kanë ëndërruar 21 vite përpara ata që ngritën degën e Partisë Demokratike këtu në Berat, ashtu siç e do çdo beratase dhe çdo shqiptar”, deklaroi më tej nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli.