Transporti publik i Tiranës, përballë reformimit të plotë prej administratës së re

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha takon krerët e transportit publik të kryeqytetit. “Objektivi kryesor i të ardhmes së afërt, transporti me tarifë të reduktuar deri “zero”, për studentët dhe pensionistët mbi 65 vjeç”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi dje një takim me drejtues të Shoqatës së Transportit Publik të Tiranës. Lulzim Basha nënvizoi se objektivi strategjik afatgjatë i Bashkisë së Tiranës është “një shërbim i transportit publik, me cilësi në përmirësim, me shtrirje në të gjithë qytetin e Tiranës, në dobi të të gjithë qytetarëve të Tiranës”.
Kryebashkiaku Basha tha se përdorimi më i madh i transportit publik është objektiv i Bashkisë së Tiranës, në të gjithë planet, që nga ai urbanistik, tek plani i transportit dhe planet e tjera. “Ky është natyrisht një standard evropian, është një standard i cili do të sjellë një impakt të drejtpërdrejtë, në përmirësimin e cilësisë së jetës, në disa aspekte, më pak ndotje, lëvizshmëri më të shpejtë dhe kosto më të ulët për qytetarët”, tha Basha.
Pavarësisht kompetencave që ka me ligj Bashkia e Tiranës, kryetari i Bashkisë Lulzim Basha theksoi se Bashkia nuk do të qëndrojë indiferente, për çështje të cilat do të kenë një impakt në qytet dhe jetën e qytetarëve.
“Ju e dini shumë mirë, sepse edhe gjatë fushatës ne kemi komunikuar, se unë kam një platformë konkrete për transportin publik, që ka të bëjë me cilësinë aktuale të shërbimit, ka të bëjë me masat që do të merren në kuptimin afatshkurtër mujor apo vjetor, ka të bëjë edhe me vizionin tonë për të ardhmen e transportit publik në Tiranë. Po kështu kam dëgjuar edhe problemet e shqetësimet, që ju si operatorë të transportit dhe natyrisht çka është më e rëndësishme shqetësimet e qytetarëve dhe atë çka ata dëshirojnë të shohin të përmirësuar, apo çfarë dëshirojnë në të ardhmen, për sa i përket ofrimit të këtij shërbimi. Ne na bashkojnë disa objektiva strategjikë afatgjatë; një shërbim i transportit publik me cilësi në përmirësim, me shtrirje në të gjithë qytetin e Tiranës, në dobi të të gjithë qytetarëve të Tiranës. Përdorimi më i madh i transportit publik është dhe duhet të jetë një objektiv i pandryshuar i të gjithëve ne, është një objektiv i Bashkisë së Tiranës, në të gjithë planet që ne bëjmë, që nga plani urbanistik, tek plani i transportit dhe planet e tjera. Ky është natyrisht një standard evropian, është një standard i cili do të sjellë një impakt të drejtpërdrejtë, në përmirësimin e cilësisë së jetës, në disa aspekte, më pak ndotje, lëvizshmëri më të shpejtë, dhe me kosto më të ulët për qytetarët, sepse transporti publik është më pak i kushtueshëm se sa përdorimi i mjeteve private. Për ne është e rëndësishme, të përparojmë me një shërbim më cilësor, që do të thotë autobusë të rinj, me të gjithë parametrat funksionalë, me mundësitë që duhen si gjatë dimrit dhe gjatë verës, me frekuencën e duhur dhe të monitoruar siç duhet të lëvizjes, pra pa vonesa dhe të shtrirë në të gjithë qytetin e Tiranës”, tha Basha.
Për këtë arsye, sipas kryebashkiakut Basha është vendosur edhe funksionimi i një linjë të re, e cila i shërben kryesisht zonës së Qytetit “Studenti”.
Lulzim Basha bëri të ditur se Bashkia është e hapur, për të diskutuar me Shoqatën e Transportit Publik, edhe për miratimin e linjave të tjera, në dobi të transportit të qytetarëve, anembanë qytetit të Tiranës.
Një nga synimet kryesore të Bashkisë së Tiranës, sipas Bashës, është ofrimi i një shërbimi sa më të mirë, por edhe sa më të pranueshëm për xhepat e kategorive të veçanta të qytetarëve, në veçanti për pensionistët mbi 65 vjeç dhe studentët.
“Në këtë kuadër, mendoj se ka hapësira të mjaftueshme, që jo ta diskutojmë si objektiv të veçantë, por në kuadrin e planit të përgjithshëm të masave që do të marrim, për t’u ardhur në ndihmë edhe juve, ne të shikojmë se si mund të realizojmë objektivin e Bashkisë së Tiranës, për transport me tarifë të reduktuar, deri në tarifë “zero”, për studentët dhe pensionistët mbi 65 vjeç”, tha Basha.
Kryebashkiaku i Tiranës u premtoi mbështetje të plotë operatorëve të transportit publik, në thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit me Bashkinë e Tiranës.
“Dua që të dini se në Bashkinë e Tiranës, ju jeni një grup gjithnjë i mirëpritur, sepse transporti urban dhe shoqata që ju mbledh ju, si operatorë të transportit, duhet të ketë një partneritet të drejtë dhe të ndershëm me Bashkinë e Tiranës. Për sa i përket Bashkisë së Tiranës dhe mua si kryetar, ne do të bëjmë gjithçka që ta ndërtojmë këtë partneritet, sigurisht në dobi të objektivave të përbashkëta dhe në veçanti duke mbrojtur interesin publik, pra interesin e qytetarëve të Tiranës, të cilët zgjedhin të përdorin transportin publik. Shqetësimet dhe problemet janë konkrete dhe unë dua që sot t’i diskutojmë ato një për një dhe të vendosim bashkërisht për rrugën e zgjidhjes, sigurisht duke marrë parasysh interesat tuaja, por edhe interesat e qytetarëve të Tiranës dhe projektet e Bashkisë së Tiranës për të ardhmen”, tha ai.
Kryetari i Bashkisë ka ftuar Shoqatën e Transportit Publik, të bëhet pjesë e diskutimit, për të ardhmen e transportit publik, që nga planet për linjat e tramit e deri te rishikimi i plotë i rrjetit rrugor, me përparësi, korsitë e dedikuara. “Së fundmi, ju duhet dhe do të jeni pjesë e diskutimit për të ardhmen e transportit publik, që nga planet për linjat e tramit, veri-jug dhe lindje-perëndim, apo versionet e tjera të këtij moduli të transportit publik e deri tek rishikimi i plotë I rrjetit rrugor, me përparësi korsitë e dedikuara, sepse siç u thashë, në disa synime ne jemi thuajse të përputhur. Zvogëlimi i përdorimit të mjeteve private, në favor të transportit publik është interes edhe i qytetit të Tiranës, por që të ndodhë kjo, transporti publik duhet të ofrojë të gjithë komoditetin e nevojshëm”.