E Diel, 1 Nëntor 2026

Jozefina Topalli: Unë shpresoj që shoqëria shqiptare do të fillojë të përpunojë institucionin e pendesës.

  Gjatë vizitës së saj në Katedralen e Shkodrës, me rastin e Krishtlindjes, Kryetarja e Kuvendit e rrethuar me përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare, shumë prej të cilëve vuajtën mbi supet e tyre përndjekjet më çnjerëzore të regjimit komunist, foli edhe mbi çështjen e rekuperimit të ndërgjegjies shoqërore për vitet e diktaturës më të egër komuniste. Në këtë qytet jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje dhe në  këtë ditë kur njerëzit ndihen më afër Zotit, Kryetarja e Kuvendit u shpreh:   Mendoj se është diçka më e madhe, është problem i ndërgjegjies shoqërore. Unë nuk jam as psikologe as kam studjuar për filozofi. Nuk di sa thellë në ndërgjegjien e kombit e kemi pendesën. Unë do të doja shumë të besoja që ky komb e ka pendesën si proces në ndërgjegjien e tij.    Besoj kemi kaluar vitet më të tmerrshme, më çnjerëzore në historinë e kombit tonë dhe kanë kaluar 20 vjet dhe unë skam dëgjuar ende njeri të kërkojë të falur. Po në të njejtën kohë unë skam parë kurrë dhe as kam dëgjuar ndonjëherë se një i burgosur, i internuar apo një fëmijë e një të pushkatuari të ketë kërkuar hakmarrje.   Kjo e dyta është vlerë për kombin tonë por ne duhet të injektojmë edhe pendesën si shprehje e civilizimit. Të kërkosh të falur për krimet gjysëm shekullore nuk është çburrëri ajo është forcë është kurajo është guxim për tu përballur me ndergjegjien personale.   Dhe në këtë aspekt besoj se ligji që miratuam së fundmi është vetëm një pjesë e një procesi të madh, e një institucioni të pendesës dhe e rekuperimit të ndërgjegjies për shoqërinë shqiptare. Unë shpresoj që shoqëria shqiptare do të fillojë të përpunojë institucionin e pendesës.


   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›