E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron besimtarët ortodoksë me rastin e Krishtlindjeve

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, znj. Liri Berisha zhvilloi një vizitë në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, me rastin e festës së Krishtlindjeve.

Kryeministri u prit nga Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos dhe drejtues të tjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryeministri u përcolli besimtarëve ortodoksë urimet më të përzemërta dhe vëllazërore në ditën e lindjes së Krishtit, lindjes së përjetësisë dhe shpresës.
“Është ditë e madhe në të cilën unë dua t`ju përcjell urimet më vëllazërore, më të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë  në këtë ditë të lindjes së Krishtit, të lindjes së përjetësisë, shpresës, forcës së pashtershme shpirtërore të njeriut, por dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë që kanë në besimin tek Zoti motivin më të madh të përpjekjeve të sakrificave të tyre për veten, familjen, vendin  dhe shoqërinmë në tërësi”, u shpreh Kryeministri Berisha. 

 Ne, vijoi më tej Kryeministri, i kremtojmë sot Krishtlindjet më të lirë se kurrë, i kremtojmë ato me dinjitet më të madh se kurrë, Kosova u bë e pavarur dhe kemi 1 000 arsye të falenderojmë Zotin për këto Krishtlindje, sepse i festojmë më afër se kurrë në projektet tona të mëdha të integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian.

Gjithashtu Kryeministri theksoi se i festojmë këto Krishtlindje me një rritje ekonomike dyshifrore, e cila në vetvete përfaqëson në realitet levën e Arkimedit për zhvillimin e shpejtë të këtij vendi, përfaqëson kushtin më të madh, rrethanat më pozitive që rinia shqiptare t`i përkushtojë energjitë, gjenitë e veta krijuese, këtij vendi dhe të mos ketë nevojë të largohet në vende të tjera.
“Pra edhe njëherë le të falenderojmë Zotin në këtë ditë të madhe për të gjitha këto mirësi që kombi pati gjatë këtij viti dhe le të urojmë dhe shpresojmë që viti tjetër të na gjejë edhe më mirë”, vijoi më tej Kryeministri Berisha.


-Pyetje: Zoti Kryeministër e uroni këtë edhe për konsensusin në politikë përsa u përket reformave?

Kryeministri Berisha: Në tërësi kjo është ditë mirëkuptimi dhe unë dua që të bëj apel për mirëkuptim në të gjitha aspektet. Edhe njëherë ju uroj gëzuar! 


25/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›