E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësimet që nxjerrim nga ish-at

Ermal Frashëri 

Ditët e fundit jemi njohur me botimin e disa kujtimeve të ish-presidentit Moisiu, falë gazetës “Panorama”. Një profesori im në Harvard thotë që të shkruash do të thotë të kesh një dëshirë. Kur lexojmë natyrisht dëshirojmë të mësojmë diçka. Edhe në rastin tonë, ndonëse të veshura me një tis mjegulle lidhur me qartësinë e tyre, kujtimet e ish-presidentit të fundit përbëjnë një burim nëpërmjet të cilit mund të shikojmë si janë perceptuar ngjarjet në sytë e ish kreut të shtetit. Si fillim, duhet theksuar modestia e pritjeve të mundshme nga materiale autobiografike Autobiografi të tilla, si kjo e Moisiut, synojnë më tepër luanizimin e autorëve në kurriz të të tjerëve,  sesa një distancim dhe reflektim kritik ndaj ngjarjeve. Mënyra më e thjeshtë për ta vërtetuar këtë është se nga observimet mbi sjelljet e ish-presidentëve nga 1997 deri tani, nuk është vënë re ndonjë gjë e jashtëzakonshme, ose me thënë ndryshe, ish-at nuk janë shquar me ndonjë veprim të tyrin, që të klasifikohen në atë kategori që mund të quhet “burrë shteti”. Ish presidenti Mejdani është më tepër aktiv dhe i hapur tani që ka mbaruar mandatin, sesa kur ishte në atë pozicion. Për fat të keq këtë nuk mund ta thuash dot për pasardhësin e tij, Moisiu, kontributi i të cilit para të qënit president ishte në bunkerizimin e Shqipërisë, dhe pas mbarimit të mandatit mbetet ende për t’u parë.
Moisiu mban kryesisht dy linja argumentesh. Njëra ka të bëjë me mitizimin e individit, dhe këtu natyrisht nuk kemi të bëjmë me një perspektivë kritike, apo qoftë edhe modeste që karakterizon autobiografitë serioze, por përkundrazi, kjo linjë shoqërohet me atë ide që mund të quhet ndryshe përvetësimi i kalit të shpëtimtarit nga Moisiu. Rast pas rasti lexojmë si i percepton Moisiu ngjarjet, duke theksuar idenë se sikur të mos ishte për të, vendi do kishte shkuar keq e më keq.
Linja tjetër e argumenteve qëndron në atë që mund të përmblidhet te koncepti i qokave. Me sa duket, pika kulminante e presidencës paska qenë mundësia e shtrimit të drekave dhe darkave. Sipas kësaj logjike të Moisiut, sikur të ishin ngrënë edhe më shumë dreka dhe pirë me shumë kafe midis politikanëve tanë dhe presidentit, atëherë gjërat në vend do të shkonin ku e ku më së miri, dhe Moisiu do të kishte privilegjin, dhe afërmendsh Shqipëria nderin ta kishte përsëri atë për president. Ne fakt, janë të mirëditura epshi për qoka dhe privilegje të Moisiut. Ai shkoi deri aty sa të kërkonte të vriteshin qentë e lagjes se gjoja i prishnin gjumin! Ideja që na ka lënë Moisiu për presidencën e tij, për fat te keq, është e një plaku tekanjoz.
Kujtimet e botuara tregojnë një kuptim të cekët apo të cunguar të problemeve që ka ndeshur vendi. Për shembull, Moisiu në përpjekjet për të zgjidhur krizën e zgjedhjeve lokale të 2007, mundohet të nxjerrë në pah rolin e tij prej negociatori dhe thotë se “…u këshillova palëve të lëshonin pe…” a thua se kemi të bëjmë me një këshilltar rrobaqepësi dhe bëhet fjalë për të qepur ndonjë jelek dhe jo për të zgjidhur probleme jetësore. Po kështu, ai habitet kur një ministër është më luajal ndaj kryeministrit sesa ndaj tij, apo glorifikon komente rutine që bëhen në vizitat ndërkombëtare, kur një i ftuar të thotë një fjalë të mirë ose të buzëqesh.
Cektësia e kuptimit të detyrës si president i vendit lidhet dhe me kompetencat e brendshme. Ne 5 vjet presidencë, argumenti i vetëm që paka gjetur Moisiu në lidhje me zgjerimin e kompetencave të tij, qenka se në një Republikë parlamentare ku pushteti ekzekutiv i jepet kryeministrit, i cili më pas kontrollohet nga parlamenti, ai nuk donte të ishte thjesht një noter për kryeministrat Nano dhe Berisha. Kjo mund të jetë më e shumta një dëshirë e tij për të zgjeruar influencën dhe si rrjedhojë edhe rregullimin e aferave apo njerëzve të tij në detyra shtetërore, por kurrsesi nuk përbën argument ligjor për të mbështetur zgjerimin e kompetencave. Nëse do të kishte vërtet dëshirën për të balancuar pushtetet, ashtu siç mundohet të shprehet, atëherë, ndonëse me vonesë për të, me kënaqësi mund ti referoj disa libra mbi federalizmin apo pushtetin ekzekutiv në SH.B.A, në mënyrë që të zgjerojë repertorin e argumenteve. Ky perceptim sipërfaqësor i problemeve tregon një gjykim të dëmtuar të ish presidentit.
Nëse sjelljet në skenën e politikës vendase mund të shpjegohen me dashurinë për folklorin, për fat të keq të Moisiut, kjo bazë logjike të lë në baltë kur vjen puna tek angazhimet ndërkombëtare. Në pjesën lidhur me vizitën e Bushit në Tiranë, duket që Moisiu është totalisht jashtë njohurive mbi atë që ndodh në politikën Amerikane. Në një kohë kur Bushin e sulmonin se kishte zgjeruar tej mase pushtetin ekzekutiv, Moisiu nga ana tjetër e paska falënderuar për përkrahjen që gjoja Bushi i paska dhënë Moisiut, për forcimin e pushtetit gjyqësor Shqiptar dhe kufizimin e pushtetit ekzekutiv. Duket qartë absurditeti i këtij pretendimi! Gjëja më e fundit që mund të ketë në mend ndonjë president Amerikan, që përballet me sfida shumë herë më të komplikuara, është shqetësimi apo mbështetja që mund t’i japë një presidenti Shqiptar mbi konfliktet e brendshme që mund të ketë ky i fundit me pushtetet e tjerë!
Historia njeh raste kur presidentët mbështesin njëri- tjetrin por ama bëhet fjalë në rastet kur këta presidentë ose ndajnë raporte miqësore dhe shoqërore me njëri-tjetrin, ose kur jua do interesi kombëtar. Nga të gjitha njohuritë, nuk rezulton që Moisiu të ketë qenë mik dhe shok me Bushin, apo të kenë qenë në fermën e Bushit në Teksas. Madje shpërdorimi i mundësive nga Moisiu është dramatik. Në vend që të propozonte ndonjë iniciativë specifike për të forcuar marrëdhëniet midis dy shteteve, paska shpenzuar kohën më të dobishme dhe konfidenciale duke u ankuar për politikanët vendas!
Kuptimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe angazhimi i suksesshëm në politikën e jashtme ka qenë gjithmonë një handikap i politikës shqiptare. Ky observim nuk mund të përbëjë më lajm për shoqërinë tonë. Po të lexosh fjalimet e presidentëve shqiptarë, të paktën në kuadrin e OKB-së, e sheh qartë shterpësinë intelektuale. Përveç se janë fjalime monotone dhe krejt jo interesante, lidhur me idetë që hedhin, unë dyshoj se për shumë nga ato koncepte që ata përsërisin në fakt nuk e kanë idenë e kuptimit të tyre, apo se çfarë implikimesh mund të kenë.
Pozicionimi që i bën vetes Moisiu ndaj Nanos dhe Berishës, nuk e shpëton atë nga rastësia, falë së cilës ai u gjend në pozicionin e kreut të shtetit dhe papërgatitja e tij për këtë detyrë. Nëse Nano dhe Berisha kanë gabuar në deal-in (marrëveshjen) e tyre, atëherë lind pyetja se ç’mund të bëhet me rregullimin e institucionit të Presidencës, që t’i shpëtojë zgjidhjeve të sforcuara dhe që shpesh here janë kundër produktive. 
Problemi nuk është dhe aq i kollajtë për t’u zgjidhur. Nga një anë, kompetencat e presidentit janë më të dobëta në raport me parlamentin apo ekzekutivin. Po kështu është vështirë të zbulosh ndonjë tendencë në vullnetin e dy forcave politike kryesore, për një rishpërndarje të pushtetit në një drejtim të pa kontrolluar prej tyre. Nga ana tjetër, në situatën e tanishme, shihet qartë një tendencë për protagonizëm, si në çështjet e brendshme, po ashtu edhe të jashtme, nga ana e krerëve të tre institucioneve kryesore në vend, Parlamenti, Ekzekutivi dhe Presidenca. Jurisprudenca Shqiptare në stadin e saj infantil, akoma nuk ka mundur të bëjë një trajtim të kompetencave të secilit nga këta aktorë. Gjykata Kushtetuese si institucioni që supozohet të zgjidhë konflikte kushtetuese për fat të keq nuk e bën dot këtë punë, ashtu si e tregojnë një sërë vendimesh të pakuptimta nga ana e argumentimit ligjor. Madje edhe sikur të mundohej ta bënte, përsëri nuk do të shuheshin problemet, pasi në thelb ato janë probleme politike. Atëherë, çfarë mund të bëhet?
Një opsion është të vazhdohet me sistemin aktual, i cili nuk është shumë i dëshirueshëm, pasi nuk është efektiv. Ashtu siç edhe e tregon tranzicioni super i gjatë, ky lloj aranzhmenti institucional nuk është i aftë t’i japë drejtim problemeve që ndesh shteti dhe shoqëria shqiptare. Një opsion i dytë është abrogimi i institucionit të Presidencës dhe kalimi i kompetencave të tij drejt Parlamentit dhe ekzekutivit. Ky vendim do kërkonte mirëkuptimin e më shumë aktorëve sesa forcat politike kryesore dhe nuk mendoj se ka gjasa të ndodhë. Opsioni tretë është që nëpërmjet një ndërhyrje në Kushtetutë, të konkretizohen rastet kur Presidenti mund të angazhohet në mënyrë ekskluzive në politikën e jashtme dhe të brendshme. Sidoqoftë, pavarësisht rregullimit të kompetencave, institucioni nuk funksionin pa titullarin dhe burokracinë, ndaj edhe në fund të fundit vëmendja më e madhe ngelet, që përsëri duhet bërë kujdes me përzgjedhjen e njerëzve.
*Kandidat për
Doktor, Universiteti i Harvardit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›