Rikthimi i Kodit zbulon armiqësinë e PD me presidentin
Rikthimi i Kodit Elektoral në Kuvend nga Presidenti i Republikës ritestoi dhe një herë klimën politike në të cilën u miratua ai Kod dhe nxori në pah zhvillime të brendshme politike në shumicën në pushtet, që janë mbajtur larg syve të publikut. Arsyetimi që presidenti ka përdorur për të kthyer Kodin është teknik, por ka shumë dyshime se ai mund të jetë vendosur qëllimshëm që zgjedhjet të shtyhen për në vjeshtë. Më 2 dhjetor, pra dy ditë më parë, ka përfunduar afati 9-mujor, para fundit të mandatit të Kuvendit. Mandati i këtij Kuvendi mbyllet më 3 shtator 2009, dhe më 2 dhjetor 2008, sipas këtij Kodi, duhet të dekretoheshin zgjedhjet. Debati mes konstitucionalistëve të PD dhe PS me presidentin qëndron në fije shumë të hollë argumentesh. Ekspertët partiakë thonë se afati prej 9 muajsh si kufi që i është caktuar presidentit nuk e ndalon atë ose nuk e detyron t’i dekretojë zgjedhjet 9 muaj nga data kur bën dekretin. Ai p.sh., mund të dekretojë zgjedhjet në qershor, pra pas gjashtë muajsh, por e mjaftueshme është që ky dekret të dalë 9 muaj para 3 shtatorit 2009. Por presidenti, dhe sikur ta ketë keqkuptuar këtë paragraf, siç thonë ekspertët, nuk ka kohë fizike, pasi 2 dhjetori ka ikur. Kështu, atij i duhet medoemos ose saktësim, ose një dispozitë kalimtare për ta ndrequr këtë gafë teknike, nëse nuk është një shteg i lënë hapur politikisht për t’u zhvilluar zgjedhjet në vjeshtë. Brenda këtij defekti zbulohet dhe shpejtësia, dhe cektësia me të cilën është shqyrtuar Kodi nga palët. Nëse defekti është teknik, atëherë hartuesit e Kodit kanë bërë një punë të përciptë për hartimin e tij dhe kritikët e Kodit po ashtu nuk kanë hetuar ende defektet reale që ai mund të ketë. Mjaftoi një shfletim i kujdesshëm i presidentit dhe Kodi u kthye për arsye teknike. Nëse defekti pastaj është politik, pra i qëllimshëm, atëherë jemi para një zhvillimi të ri që bën përgjegjës opozitën e madhe, PS, që ka lejuar këtë defekt të rëndë.
Zhvillimi tjetër i rëndësishëm që u testua me kthimin e Kodit janë raportet e presidentit me Partinë Demokratike. Ka disa ditë që nga brenda PD po artikulohen akuza kundër presidentit, por dje ato ishin në nivel të lartë. Zonja Topalli e sulmoi atë nga Londra, duke e quajtur përfaqësues të të vegjëlve, edhe pse arsyet që Topi ktheu Kodin nuk kanë asnjë lidhje me arsyet përse të vegjlit duan të kthehet Kodi. Sulmi i PD tregon gatishmërinë dhe tendencën politike që ka PD për t’u distancuar nga presidenti dhe për ta fajësuar atë për reagimin e drejtësisë ndaj tri prej çështjeve që po brejnë autoritetin e pushtetit të sotëm, çështjen “Gërdeci”, çështjen e “rrugës Durrës- Kukës” dhe çështjen “Fazlliç”. Në garën për të sulmuar presidentin janë përfshirë jo vetëm deputetë luajalë me Berishën, por dhe disa nga ata që shoqëronin Topin në dreka dhe darka gjysmë politike kundër Berishës një vit më parë. Kjo do të thotë se Kodi Elektoral ka filluar të prodhojë një klimë të re politike besnike ndaj liderëve në të dy partitë, por veçanërisht në PD.
Por testi më i rëndësishëm që bën kthimi i Kodit është mungesa e dëshirës për të përfillur qoftë dhe formalisht partitë që ishin gjatë miratimit të Kodit në grevë urie. Në atë kohë shfajësimi për t’u miratuar Kodi me urgjencë ishte se deputetët ishin në grevë urie dhe s’mund të bisedohej nën presion. Tashmë gjakrat janë ftohur dhe mund të bisedohej realisht për ndonjë ndryshim. Kështu nuk do të prodhonte shumë emocione as kthimi i Kodit nga presidenti. Por as kjo nuk po ndodh.
Në vitin e tij të dytë si president, në krah të zotit Topi është vetëm PS, e cila po i bën thirrje PD të modifikojë qëndrimin dhe të votojnë saktësimin e presidentit. Ky moment dëshmon realisht se kush ishte i interesuar për Kodin, për mënyrën si u miratua dhe për përmbajtjen e tij. Dhe mbi të gjitha dëshmon se sa shumë i interesuar është Berisha të gjejë argumente për luftë me presidentin.