E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ju ftoj të bashkoheni me mua dhe të komunikojmë lirisht”

09-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha me llogari personale në rrjetin social, Facebook

Nga koncerti festiv në Pallatin e Sporteve “Asllan Rusi” në Tiranë, me rastin e 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë, kryeministri Sali Berisha informoi të rinjtë, se do të bëhet pjesë e komunikimit elektronik përmes rrjetit social, Facebook.
Duke i ftuar të rinjtë dhe të rejat të komunikojnë së bashku, kryeministri Berisha u shpreh “prej shumë vitesh shkëmbej qindra mesazhe në ditë me të rinjtë, me qytetarët shqiptarë kudo që janë dhe tani janë bërë me qindra e mijëra të tilla”.
Ai u kërkoi të rinjve ta ndjekin në Facebook, duke theksuar se do të jetë një mik i tyre në rrjetin social më popullor në botë.
“Sot ju, të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë, komunikoni në Facebook më shumë se të rinjtë e shumë e shumë vendeve të zhvilluara. E kam për nder, e kam për kënaqësi të jem në Facebook që sot, që Ditën e Rinisë, si një mik i çdonjërit prej jush. Ju ftoj të bashkoheni me mua, të komunikojmë lirisht. Ne e duam votën tuaj, votën e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, për të ngjitur së bashku Shqipërinë në majat më të larta të shoqërisë dixhitale”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se projekti i Shqipërisë dixhitale po ecën drejt dimensioneve të reja. Sot, tha kryeministri, përdorimi i internetit në Shqipëri, është 13 herë më i lartë se gjashtë vjet më parë.
“Unë e di se sot ju ende nuk keni nivelet më të larta të shoqërisë dixhitale, të cilat mendja juaj reaktive, imagjinata juaj e pakufishme po i pret me padurim, por ju, përsëri, keni ndër ritmet më të larta në botë të rritjes së Shqipërisë dixhitale. Vetë gjashtë vjet më parë përdorimi i internetit në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në botë, 4.8 për qind, kurse sot ai është 13 herë më i lartë”, tha Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›