E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova organizon Evropianin e futbollit… për robotë

Për herë të parë në histori, Kosova do të presë një Kampionat Evropian në futboll. Nuk bëhet fjalë për aktivitetin e sportit më popullor në botë, por një kampionat ku lojtarët janë robotë. Evenimenti fillon më 10 qershor në Prishtinë dhe është parashikuar të zgjasë tri ditë. Turneu i veçantë do të organizohet nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) dhe "sfidat" janë parashikuar të luhen në ambientet e këtij institucioni. Kosova do të përfaqësohet nga ekipi i këtij universiteti, Kosova-UBT, ndërsa aty pritet të marrin pjesë edhe skuadra nga vende të ndryshme të kontinentit. Edmond Hajrizi, drejtuesi i skuadrës kosovare, është shprehur mjaft i kënaqur, pasi ata bëhen ballkanasit e parë që organizojnë Evropianin e robotëve në futboll. "Federata Evropiane e Futbollit për Robotë (FIRA) ia besoi UBT-së organizimin e kampionatit të këtij viti. Aktiviteti ka peshën e tij, pasi Kosova është shteti i parë në rajon që organizon këtë turne. Ky është edhe një tregues i nivelit të lartë të zhvillimit të arsimit të lartë në vendin tonë", u shpreh ai. Hajrizi zbuloi se realizimi i këtij kampionati, do t‘i kushtojë UBT-së rreth 20 mijë euro. Ndërkohë, kreu i FIRA-s, Peter Kopaçek, bëri të ditur se pesë skuadra kanë konfirmuar pjesëmarrjen: përveç organizatorëve nga Kosova janë edhe dy skuadra nga Austria, një nga Gjermania dhe një nga Zvicra. Në javët në vazhdim priten përgjigjet e një ekipi nga Holanda, një nga Sllovenia dhe një nga Sllovakia. Ky lloj sporti luhet duke përdorur robotë të programuar (gjysmë-inteligjentë), që veprojnë së bashku në fushë. Sipas rregullave, robotët nuk duhet të jenë më të mëdhenj se 7.5 cm dhe të kenë shpejtësi më të madhe sesa 12 km/h. Çdo ekip ka 12 lojtarë, nga të cilët 11 luajnë, ndërsa njëri qëndron rezervë. Ndeshja përbëhet nga dy pjesë me nga pesë minuta secila.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›