Juka: Pse bllokuam për 3 javë tregtimin e midhjeve

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Genc Juka
Flet drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit: Ja si klasifikohen.
Të ndotura me baktere dhe biotoksina. Kërcënojnë shëndetin
Për 3 javë midhjet e lagunës së Butrintit kanë rezultuar me ngarkesë të lartë të bakterit Escherichia Coli dhe biotoksina. Bëhet fjalë për dy baktere, të cilat janë mjaft të dëmshme për shëndetin. Mund të shkaktojnë helmime të rënda e deri në paralizë të atyre që i konsumojnë. Pas publikimit të lajmit dy ditë më parë, gjithçka e konfirmoi dje për gazetën drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Genc Juka. Duke e cilësuar midhjen si një nga produktet më delikate, ai sqaroi se shkak është bërë ndotja e ujërave si pasojë e reshjeve, të cilat kanë rritur nivelin e pranisë së këtyre baktereve. Por, sipas Jukës, analizat e javës së fundit kanë rezultuar brenda standardeve, çka do të thotë se midhjet mund të konsumohen, ndonëse laguna vijon të jetë në monitorim. Diferenca qëndron vetëm në klasifikimin e tyre sipas tri shkallëve: A, B dhe C, ku vetëm kjo e fundit, ku bëjnë pjesë midhjet e infektuara, nuk lejohet të hidhet në treg. Sipas Jukës, Shqipëria prodhon midhje cilësore, por në periudha të caktuara cilësia e tyre varet nga ngarkesa mikrobiologjike e ujërave. Kreu i AKU-t u ka bërë thirrje konsumatorëve të bëjnë kujdes, ndërkohë që ka bërë apel për më shumë ndërgjegjësim edhe nga subjektet tregtare për molusqet, të cilat duhet të shiten vetëm me certifikatën veterinare. Ai ngriti shqetësimin për tregtimin kontrabandë të midhjeve, ku vetëm një javë më parë inspektorët kanë bllokuar një kamion që vinte drejt Tiranës.
Zoti Juka, prej 3 javësh në treg nuk ka midhje. Shitësit na kanë pranuar se inspektorët tuaj kanë kërkuar bllokimin e këtij produkti që vjen nga Saranda. Mund të na thoni si është aktualisht situata në lagunën e Butrintit? A mund të konsumohet midhja që kultivohet aty?
Është e vërtetë që prej tri javësh ne nuk lejojmë hedhjen në treg të midhjes së Butrintit. Stabilimenti i kultivimit të midhjes është më i madhi dhe furnizon pjesën më të madhe të tregut. Midhja është një produkt mjaft delikat dhe analizat për të parë cilësinë e saj bëhen çdo javë. Por, nga ana tjetër, duke u mbështetur në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bashkimit Europian, Stabilimenti i Butrintit është i vetmi në të gjithë vendin që është nën monitorim në përputhje me të gjitha rekomandimet e ndërkombëtarëve. Pra në analizat e përjavshme shihet ngarkesa e bakterit E. Coli dhe biotoksinave, të cilat janë baza e vlerësimit për situatën e riskut. Mbi bazën e matjeve që kryhen, midhja ndahet në tri klasa. Midhja A, e cila nuk ka ngarkesë mikrobiologjike dhe tregtohet vetëm me certifikatën veterinare. Ajo mund të konsumohet lehtësisht nga qytetarët, pasi është cilësore. Kemi klasën B të midhjes, ku produkti ka ngarkesë dhe shihet domosdoshmëria për tu trajtuar në qendrën e depurimit e më pas hidhet në treg. E fundit, ajo që nuk lejohet të konsumohet, është midhja që i përket klasës C. Ky lloj produkti ka ngarkesë të lartë të baktereve dhe rrezikon qytetarët. Në tri javët e fundit analizat na kanë dëshmuar se midhja e grumbulluar në Butrint ka qenë e këtij lloji. Kjo është arsyeja pse ne e kemi ndaluar hedhjen në treg të saj.
Pavarësisht bllokimit, në restorante shërbehet midhje. Si e shpjegoni këtë?
Jemi në dijeni dhe dua të theksoj se kemi marrë një sërë masash administrative. Midhja mund të tregtohet edhe kontrabandë. Rasti i fundit ishte bllokimi i një kamioni që vinte nga Saranda përpara një jave. Inspektorët tanë, ashtu siç e thatë dhe ju, u kanë kërkuar tregtarëve të mos e shesin produktin, por ne nuk mund të kontrollojmë 100% të gjithë tregun, pasi ka edhe abuzime. Madje midhja mund të vijë edhe nga stabilimente të tjera, të cilat nuk monitorohen si Butrinti. Konsumatorët duhet të jenë të kujdesshëm.
Si mund ta kuptojë një konsumator që midhja nuk është e infektuar?
Është e drejtë e çdo konsumatori dhe për këtë ata duhet të informohen që të kërkojnë certifikatën e veterinarisë në çdo restorant. Është një certifikatë shoqëruese që vërteton se midhja është brenda standardeve. Për të mbrojtur shëndetin e tyre në radhë të parë, por edhe ne, na ndihmojnë për të identifikuar ku ka abuzime.
Kur do të ketë midhje në treg, çfarë tregojnë analizat e javës së fundit?
Analizat për javën e fundit kanë rezultuar se situata është përmirësuar ndjeshëm dhe midhjet mund të tregtohen. Por, pa pasur edhe dy-tri rezultate të tjera të këtij treguesi, që do të jenë javët në vazhdim, ne nuk do të lejojmë shpërndarjen e midhjeve derisa të jemi të sigurt që midhja është e klasës A dhe të mund të konsumohet.
Salmonela
Ministria e Bujqësisë na vuri në dispozicion analizat për Salmonelën. Ky bakter rezulton negativ në Stabilimentin e Butrintit, ndërkohë që janë prezente bakteret E. Coli dhe biotoksinat. Prej vitit 1992 midhja shqiptare nuk eksportohet në BE, pasi nuk plotëson standardet.Midhja e zezë e butrintit
Midhja e zezë, e cila serviret në të gjitha lokalet e peshkut, shpeshherë edhe falas, prej tri javësh ka rezultuar të jetë e infektuar me bakterin E. Coli dhe Biotoksina, të cilat mund të jenë shumë të dëmshme për organizmin. Tregu është bllokuar, ndërkohë që në restorantet e kryeqytetit shërbehej edhe pas urdhrit.
Ja rreziku për shëndetin nga E. Coli dhe bitoksinat e molusqeve
Midhjet e infektuara mund të çojnë deri në paralizë
Infeksionisti Ulqinaku: Të konsumohen të ziera mirë
Midhjet e infektuara me bakterin E. Coli shkaktojnë helmime tepër të rënda për qytetarët. Te njerëzit, infeksionet nga Escherichia kryesisht manifestohen me diarre, nganjëherë të lidhura me lirimin e gjakut dhe mosfunksionimin e veshkave. E. Coli është gjithashtu përgjegjës për infeksionin e rrugëve urinare, infeksionin peritoneal dhe gurëve të tëmthit, meningjitin, bakteremisë. Ndërkohë që biotoksinat (substanca toksike) mund të dëmtojnë shëndetin e tyre duke nisur që nga frymëmarrja, paraliza e muskujve, të vjellat e deri në vdekje. Midhja duhet të konsumohet e zierë, pasi në kushte të tilla bakteret shkatërrohen. Por, problem mbetet fakti se ky produkt shpesh konsumohet i gjallë dhe mund të çojë në helmime mjaft të rënda të organizmit, kryesisht çrregullime gastrointensinale, tha për gazetën shefi i Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku. Ai shtoi se masa e parë që duhet të ndërmerret nga Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit është bllokimi i midhjeve që përbëjnë rrezik për shëndetin e qytetarëve. Më pas në restorante duhet të rritet vigjilenca për ti gatuar siç duhet. Edhe vetë qytetarët duhet të kenë informacion dhe të kuptojnë që molusqet janë produkte mjaft delikate, të cilat mund të kërcënojnë seriozisht shëndetin e tyre, tha Ulqinaku.
Bashkia e Sarandës: Nuk tërhiqemi nga festa e midhjes
Kreu i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa
Bashkia e Sarandës është e vendosur të organizojë festën e midhjes në datat 28-29 prill, e cila
