E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kë pengon antiterrorizmi në Kosovë?

NEXHMEDIN SPAHIU

Parulla STOP TERRORIZMIT, e vendosur ditë më parë në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë gjatë protestës me po këtë emër, ishte paraparë që të qëndronte aty për një muaj. Por ajo u përdhos brenda natës, pa u mbushur as 24 orë. Droja e organizatorëve se atë mund ta merrte ndonjë hallexhi për shkak të mbajtëseve të saj të drunjta, sepse plastmasi ku u shkrua parulla nuk mund ti hynte në punë asnjë hajduti, u tregua e pabazë. Të nesërmen, në vendin ku duhej të qëndronte parulla STOP TERRORIZMIT qëndronin vetëm gjurmët e saj. Plastmasi ishte bërë copëcopë, ishte futur poshtë një stoli, ndërsa shtyllat e drunjta që e mbanin parullën ishin po aty. Kjo tregonte se shkatërrimi i saj nuk ishte punë hajdutësh, por punë e atyre që u pengon lufta kundër terrorizmit apo e atyre që e kanë mizën mbas veshi se perceptohen në opinionin kosovar si terroristë. Këtë askush nuk e priste, por ja, ky na qenka realiteti kosovar.
Në fakt, protesta e organizuar më 24 prill 2012 nuk u kundërshtua publikisht nga askush. Por përpjekjet për ta luftuar atë ishin të mëdha. Qëndrimi i gazetarëve dhe mediave: Profesionalizëm dhe patriotizëm apo joprofesionalizëm dhe axhendë tjetër politike. Këto përpjekje u manifestuan që në fillim me injorimin e saj në disa media e deri në paraqitjen e saj të shtrembëruar, e cila duket se nuk ka të bëjë vetëm me joprofesionalizmin e disa gazetarëve.Së pari, protesta e menduar për gjithëpopullore u paraqit në disa gazeta si protestë e OJQ-ve. Qëllimisht apo nga injoranca u harrua se gjithëpopullore nuk do të thotë që numerikisht i gjithë populli të protestojë, por që janë të ftuara të gjitha kategoritë e shoqërisë. Ndërsa protestë e OJQ-ve nënkuptohet kur në protestë marrin pjesë vetëm OJQ-të për një arsye specifike. Kështu ishte një ditë para protestës në fjalë protesta e gazetarëve kosovarë ku protestohej për një çështje specifike që nuk kishte të bënte me gjithë popullin, por vetëm me implikimin e Kodit Penal të Kosovës në punën e gazetarëve. Këtu nuk kishte gjë të keqe. Shoqata e Gazetarëve kishte vendosur të ftonte vetëm gazetarët në protestë dhe ata dolën e protestuan. Por te protesta e 24 prillit ishin të ftuar të gjitha shtresat e popullsisë, sepse çështja kishte të bënte me sigurinë e tyre. E siguria është një çështje që prek të gjitha shtresat e popullit, prandaj organizatori i ftonte të gjithë. Së dyti. Protesta e 24 prillit, para se të bëhej e madje edhe mbasi u bë, nga shumë media u prezantua si protestë e mitrovicasve. Pse kjo? Thua se terrorizmi po rrezikon vetëm Mitrovicën e jo edhe gjithë Kosovën. Organizatori zyrtar i protestës ishte Kuvendi i OJQ-ve të Kosovës me seli në Prishtinë. Nga i gjithë këshilli organizativ 15-anëtarësh, vetëm autori i këtyre rreshtave ishte mitrovicas. Në protestë pati njerëz nga Mitrovica, por as më shumë e as më pak se nga qytetet e fshatrat e Kosovës. Vërtet në protestë dolën disa qindra qytetarë dhe jo disa qindra mijëra, sa ndokush mund të ketë pritur dhe çfarë ka merituar kjo çështje, por në protestë kishte njerëz pothuaj nga çdo komunë e Kosovës. Kjo ishte ndërgjegjja e qytetarëve të Kosovës në këtë kohë, në këto rrethana dhe për këtë çështje.  Protesta u prit me simpati nga kori diplomatik edhe pse nuk u prononcua publikisht. Dhe nuk u injorua nga mediat e huaja përkundër pjesëmarrjes me numër jo aq dinjitoz sa meritonte një protestë e tillë. Nga atëherë, protestë e mitrovicasve?! A mos është kjo përpjekje për ta zhvendosur thelbin e protestës. Por, gjithë këto përpjekje destruktive deri në një masë sukses, por jo edhe krejtësisht, sepse shoqëria kosovare dëshmoi se ka forca patriotike në çdo komunë të Kosovës dhe në çdo segment të saj. Natyrisht, në këtë kuadër disa media dhe disa gazetarë e dëshmuan vetën me patriotizmin dhe profesionalizmin e tyre e disa me joprofesionalizmin apo me axhendat e tyre për topitjen e luftës kundër terrorizmit.
Ajo çfarë është më shqetësuese është mungesa e guximit për të protestuar. Shumë njerëz që shqyhen duke e sharë qeverinë e Kosovës ditë e natë, edhe pse protesta e STOP TERRORIZMIT nuk ishte adresuar kundër qeverisë së Kosovës, thoshin se nëse marrin pjesë në protestë mund të largohen nga puna, do tu ndalet ndihma sociale apo edhe se do tu ndalet pensioni! Kur përpiqesha ti bind se nuk është qeveria kundër kësaj proteste, thoshin e përse atëherë Hashim Thaçi nuk po na thërret në protestë?!. Por ti kthehemi tani përdhosjes së parullës STOP TERRORIZMIT pa u mbushur 24 orë. Kujt duhet ti ketë penguar. Unë jam duke u menduar mendoni dhe ju lexues të nderuar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›