E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, Gjykata e Lartë vendos pro Bamir Topit

Gjykata e Lartë

Tridhjetë e një anëtarët e familjes Topi, mes të cilëve edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të ndjekin rrugën gjyqësore për konfliktin e tyre të pronësisë për disa troje në zonën e Linzës në Tiranë.
Gjykata e Lartë zbardhi dje vendimin e shpallur më 23 shkurt 2012 nga një Kolegj Civil i kësaj Gjykate, i cili ligjëron rrugën gjyqësore për zgjidhjen e konfliktit të mbivendosjes së pronave. Vendimi i Gjykatës së Lartë lë në fuqi një vendim të ndërmjetëm të Gjykatës së Tiranës, sipas të cilit çështja nuk mund të zgjidhej në rrugë administrative. Sipas Kolegjit Civil, të kryesuar nga gjyqtari Besnik Imeraj, nëse çështja do të nxirrej jashtë juridiksionit, do ti mohohej e drejta paditësve, në këtë rast familjes Topi, për një gjykim të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm.
GJYKATA E LARTE
Verdikti i 23 shkurtit 2012 në Gjykatën e Lartë ka qenë shqyrtimi i një ankimi të veçantë të kundërshtarëve të familjes Topi. Sipas vendimit të Kolegjit Civil, në seancën gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të datës 05.12.2011, pala e paditur (kundërshtarët e familjes Topi) ka paraqitur një kërkesë për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, pra që çështja të zgjidhej në rrugë administrative, dhe jo gjyqësore. Nga ana e saj, Gjykata e Tiranës ka vendosur rrëzimin e kësaj kërkese. Për këtë, pala e paditur i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një ankim të veçantë. Pasi e ka shqyrtuar kërkesën, Kolegji Penal vendosi lënien në fuqi të vendimit nr.14280, datë 05.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas Gjykatës së Tiranës, pala paditëse e kishte ezauruar rrugën administrative. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin që çështja objekt gjykimi është në juridiksionin gjyqësor, për faktin se të nxjerrësh jashtë juridiksionit gjyqësor çështjen objekt gjykimi, duke e detyruar paditësin ti drejtohet përsëri organeve kompetente administrative, në një kohë që ato kanë disponuar njëherë për pronën te persona të tretë, do të thotë ta bësh gjithë procesin administrativ jo efektiv (pasi këto organe kompetente nuk kanë si të shprehen më për të njëjtën pronë për të cilën janë shprehur njëherë), si dhe ti mohosh të drejtën kushtetuese paditësit për një gjykim të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm, arsyetonte Gjykata e Lartë.

Çështja në Prokurori
Prokuroria po mban ende të hapur një padi penale të hapur nga të afërmit e Presidentit Bamir Topi kundër palës tjetër, me akuzën e falsifikimit. Pretendimet janë se është falsifikuar certifikata e shtetases Hanke Topi, nga e cila buron e drejta e pronësisë për sipërfaqe të konsiderueshme toke në periferi të Tiranës, në zonën e Linzës. Sipas Prokurorisë, falsifikimi është provuar, por rezulton se kjo vepër penale në këtë rast është parashkruar e për rrjedhojë nuk mund të ndiqet penalisht në Gjykatë.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›