Juli Ndoci: Dreqi ta hajë nëse nuk jam integruar!

Edhe e bija Dorela luan me të: Nënë e bijë luajnë këtu në një operë vokale të vitit 2007 të frymëzuar sipas një tregimi fantastiko-shkencor të autorit polak Stanislav Lem.
Anila Shuka
Juli Ndoci e ka kaluar gjysmën e parë të jetës në Shqipëri dhe gjysmën e dytë në Gjermani. Këngëtarja e lindur në Shkodër sapo ka mbushur 40 vjeç. Në Shqipëri mund të kishte një karrierë profesionale më fitimprurëse, por ajo preferon të qëndrojë në Gjermani me të shoqin aktor dhe dy vajzat e të shijojë liritë private dhe frymën eksperimentuese në art.
Jo, vetëm kështu nuk e njohim Julin: me fustan retro, me flokë topuz, me rruaza të bardha në qafë, me çorape najlon dhe këpucë me taka. Ku është ajo pankerja që këndon Burrat janë derra, gjezdiset nëpër festivale alternativë nga Apeninet në Ural? Ku është ajo rokerja që valëvit flokët në skenën e KFOR-it në Prizren dhe i bën ushtarët amerikanë e gjermanë të thërrasin me orë të tëra Juli, Juli? Ç’u bë me atë performuesen ilegale që me zërin e saj kumbues prish rehatinë e artdashësve në Hanover, Hamburg a Kasel që me nga një spumante në dorë enden mes punimeve bashkëkohore të Adrian Pacit a Anri Salës? Vallë të jetë tërhequr tani mamaja e dy vajzave në rolin e saj tradicional për t’ia lënë stafetën e rebelimit të bijës dymbëdhjetëvjeçare (foto).

Një vetinskenim ironik: Këtu në rolin e mamasë konservatore në kontrast me të bijën që sapo ka hyrë në moshën e rebelimit antiprindëror
Të gjitha këto pyetje mund t’i shtrojë kushdo që e ka përjetuar Juli Ndocin nëpër shfaqjet e saj zyrtare dhe jozyrtare dhe sheh këtë fotografi familjare të kohëve më të fundit. Ky moment i fiksuar nga vetë artistja sido që është parafytyruar si një parodi, shpreh atë anë të vërtetë të këngëtares që e njeh vetëm rrethi i ngushtë shoqëror: nënën e përkushtuar dhe bashkëshorten besnike. Ajo ka nevojë për të dyja: mbrëmjeve ekzaltimin në skenë, ditëve angazhimin në familje: Tani kam dy sfida në jetën private, atë fizike që ma kërkon vajza e vogël dyvjeçare, Jolinda, dhe atë mendore, që ma kërkon e madhja, e cila sapo ka hyrë në adoleshencë, thotë Juli dhe zbraz në një tavë një qese me arra që sapo i ka mbledhur në parkun e qytetit gjatë shëtitjes me të bijën.
Gjithmonë vetvetja
Që prej dy vjetësh ajo banon në dy katet e sipërme të një vile në qendër të Hildeshemit. Rruga ku është vendosur familja katëranëtarëshe mban emrin e dramaturgut gjerman Friedrich Schiller. Edhe pse jo patjetër veprat e Schillerit, teatri është pjesë e pandashme e jetës së saj. Kjo jo vetëm për shkak të roleve të shokut të saj dhe të atit të Jolindës, Oliverit, që është aktor dhe regjisor. Edhe ajo vetë e ka gjithmonë një rol në teatrin e qytetit: Herë duke parodizuar Lady Gagan, herë duke kënduar në një operë vokale fantastiko-shkencore të frymëzuar nga filozofi polak Stanislav Lem, herë duke hapur valixhen e kujtimeve të kohërave kur binte muri shqiptar, kur ajo këndonte në kuartetin Hapni dritaret, siç bëri në maratonën teatrore të 2009-s në Berlin.
Në këto role Juli nuk del shumë nga vetja. Por të dalët nga vetja për t’u pëlqyer të tjerëve nuk ka qenë kurrë në katalogun e ambicieve të saj. Parimi i jetës sime është të jem e lumtur. Dhe e di që lumturinë nuk ta dhuron kush, por duhet ta bësh vetë. E kjo do të thotë, në radhë të parë të jesh vetvetja, thotë ajo në një intervistë për Dojçe Velen. Kjo është një përvojë që Juli e ka mësuar sidomos në vitet e para të mërgimit, ku në fillim vetvetiu u mundua t’i përshtatej shoqërisë gjermane, derisa e kuptoi se ky lloj asimilimi nuk i jepte aspak kënaqësi: Atëherë unë u çlirova dhe fillova të sillesha ashtu si e ndieja unë, e që në atë moment pata shumë më tepër miq, kujton.
Larg festave folklorike
Ky ishte fillimi i saj në Hildesheim. Një qytet si shumë të tjerë në Gjermaninë Veriore: me një pjesë të vjetër, të shkatërruar në luftë e të rindërtuar e mirëmbajtur pas luftës, me një kala e një katedrale, me buxhet kulturor, skenë alternative të përmbajtur dhe thuajse asnjë skandal. Por ky Hildesheim i pabujshëm i pëlqeu Julit kur erdhi këtu 20 vjet më parë, sepse aty nuk kishte komunitete shqiptarësh si në Hamburg, Shtutgart a Mynih. Asokohe ajo nuk ishte e panjohur në Shqipëri, sapo kishte fituar në treshen me Manjola Nallbanin dhe të vëllanë Frederik Ndoci çmimin e parë në festivalin e këngës në radiotelevizion (Toka e diellit, 1989). Ashtu si shumë kolege të saj në mërgim, ajo nuk do ta kishte të vështirë t’i kthehej repertorit folklorik e të këndonte për bashkëkombasit migrantë nëpër klube e festa kombëtare. Në Hildesheim ku nuk kishte shqiptarë të organizuar, do t’i shpëtoja kësaj joshjeje, sepse nuk ishte repertori i njohur i folklorit shqiptar ai që më kishte shtyrë të vija në Gjermani, rikujton argumentet e asokohe.
Ishte ajo pjesë e panjohur e botës muzikore e artistike që i kishte munguar në Shqipërinë komuniste dhe që ishte jashtë paradës së hiteve në RAI: Që nga grupe kult hardrock e heavy metal, si: Mothers Finest, Skid Row e Motor Head e deri tek legjendat e reja e të vjetra vokale, si: Zap Mama e Bobby McFerin. Kolegët më jepnin muzikë ta dëgjoja dhe unë nuk ngopesha e më vinte keq që ky thesar i muzikës botërore më kishte munguar në Shqipëri, kujton këngëtarja. Ajo mundohet të ecë në gjurmët e mjeshtërve të adhuruar prej saj, çka kuptohet menjëherë, mjafton të dëgjosh emrat e grupeve ku ajo ka kënduar gjatë dy dekadave. Ato pasqyrojnë njëkohësisht edhe zhvillimin e saj muzikor: “Mary Trouble” e “Papa brand News” (Hardrock), “Coustik light” (eksperimentale), “Exile Lounge” (vokal). Një përmbledhje e ndërmjetme e këtij zhvillimi është albumi i saj i parë si kantautore e grupit Goja Mars një përzierje stilesh, rrymash, gjuhësh, e përbashkëta e të cilave është se kanë dalë nga dora e saj: Në të këndon në sfond edhe e motra, Rita, e cila është tërhequr prej disa vitesh në lumturinë private në Mannheim.
Goja Mars – projekti i fundit i Julit para se të lindte Jolindën – fitoi në vitin 2009 në një festival të etnomuzikës në Hamburg.
E pasur shpirtërisht
Në aspektin material jeta e saj nuk është luksoze, por e vetëdijshme për shëndetin dhe mjedisin. Kjo do të thotë ushqime organike dhe sa më pak mbeturina plastike. “Këto janë pasoja të vetëkuptueshme të përvojës së jetesës në një shtet të kamur”, thotë Juli tek ushqen dy lepurushat në oborrin e kopshtit. Karriera muzikore nuk i ka sjellë aq të ardhura sa për të mbijetuar pa kokëçarje. Paralelisht i është dashur të bëjë edhe karrierën e zakonshme të mërgimtarit të suksesshëm: kameriere, këshilltare për refugjatë, përkthyese nëpër gjyqe nga gjermanishtja dhe anglishtja. Këto të ardhura më kanë mundësuar të merrem me ato gjëra që dua unë, thotë artistja. Dhe aftësitë e saj janë të shumëllojshme: përveç muzikës dhe aktrimit është edhe fotografia dhe dizajnimi i rrobave. Talenti më i madh i Julit është arti i të jetuarit, thotë një nga miqtë e saj nga Hildesheimi.