Julia Ruvina triumfon mbi 20 drama të tjera me Njeriu i Rërës
Konkursi i austriak për dramën shqiptare Të flasim mbi kufijtë shpalli dje fituesit. Juria e përbërë nga personalitet të njohur të artit dhe kulturës, ka zgjedhur midis 20 krijimtarive teatrale dy prej tyre. Në këtë konkurs me çmimin e parë u vlerësua drama Njeriu i Rërës me autore Julia Ruvina, ndërsa çmimi i dytë shkoi dramën 20 vjet dy javë, dy ditë me autor
dramaturgun e njohur Stefan Çapaliku. Njeriu i Rërës u përzgjodh fituese mes 20 veprave që ishin në konkurrim në këtë konkurs dramaturgjie, i cili këtë vit vjen për herë të dytë. Konkursi i dramës "Te flasim mbi kufijtë" është bërë i njohur në muajin maj të 2009-ës, si një projekt letrar dhe teatror një projekt, që sipas Drejtorit të Teatrit Kombëtar Kristaq Skrami do të ndikonte në krijimtarinë shqiptare. Çmimi i parë përfitoi një shumë prej 3500 euro, ndërsa çmimi i dytë 700 euro. Vepra fituese e çmimit të parë do të përkthehet në gjermanisht dhe do të botohet në 1000 kopje, ndërkohë që do të shpërndahen së bashku me revistën austriake kulturore-teatrore "Buhne". Drama duhet të luhet në skenë maksimalisht nga pesë aktorë. Konkursi i dramës shqiptare Të flasim mbi kufijtë, i cili është bërë i njohur disa muaj më parë, si një projekt letrar dhe teatror ftoi këtë herë autorët shqiptarë të shkruajnë rreth temës Ndjenja jetësore në kohë shndërrimesh. Ky konkurs i dramës Të flasim mbi kufijtë startoi në muajin maj 2009, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë dhe Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Shqipëri dhe Teatrit Kombëtar. Shpallja e konkurrimit u bë në fazën e parë në muajin maj 2009, faza e dytë u bë në muajin dhjetor 2009, ku ishte dhe afati përfundimtar i dorëzimit të dramave. Juria, e cila shpalli dhe fituesit përbëhej nga: Mark Marku, kritik dhe studiues i njohur në fushën e letërsisë dhe shkencave të komunikimit; Adonis Filipi, regjisor dhe drejtor i Festivalit të Teatrit Bashkëkohor Skampa të Elbasanit; Christian Romer drejtor i Neukollner Oper Berlin, skena e katërt operistike e Berlinit dhe që mbahet si teatri musikor më kreativ i kryeqytetit gjerman; Gerald Bauer, ish-intendant dhe dramaturgu kryesor në Schlossparktheater Berlin, lektor në Universitetin e Vjenës dhe që nga viti 2002 drejtues artistik dhe dramaturg i Teatrit të Rinisë, i cili mbahet si teatri më i madh i këtij lloji në Europë; Christian Papke, iniciator në vitin 2004 i konkursit të dramës Të flasim mbi kufijtë. Papke është anëtari më i ri në kryesinë e P.E.N Clubit austriak dhe punon aktualisht në skena të ndryshme europiane si regjisor dhe dramaturg. Konkursi austriak i dramës Të flasim mbi kufijtë organizohet çdo vit prej 2005 për vende të rajonit të Evropës Juglindore. Një juri ndërkombëtare zgjedh dramën më të mirë të dorëzuar dhe vlerëson fituesen apo fituesin me një çmim në shumën 3.500 Euro. Pjesë e çmimit është njëkohësisht edhe përkthimi i tekstit në gjuhën gjermane, publikimi i tij (me një tirazh së paku 10.000 kopje) dhe një prezantim publik në Vjenë, në kuadër të të cilit ftohet edhe fituesja apo fituesi i zgjedhur. Organizatorët përpiqen gjithashtu për inskenimin dhe shfaqjen e dramës. Konkursi austriak i dramës organizohet nga Ministria Austriake për Çështje Europiane dhe Ndërkombëtare, e përfaqësuar nga Ambasada Austriake në Tiranë, në bashkëpunim me Klubin austriak P.E.N dhe Ministrinë shqiptare e Kulturës si dhe Teatrin Kombëtar në Tiranë si partnerë lokal të projektit dhe Dr. Christian Papke si përfaqësues ligjor dhe artistik i konkursit.
Nga Julia Vrapi