E Diel, 1 Nëntor 2026

Julia Ruvina triumfon në konkursin e dramës shqiptare me “Njeriu i rërës”



Izaura Ndoj

Drama “Njeriu i rërës” triumfoj në konkursin e dramës shqiptare “Të flasim mbi kufijtë”. Çmimi i parë u fitua nga Julia Ruvina me dramën ”Njeriu i rërës”. Ky çmim u mundësua nga Ambasada Austriake. Juria zgjodhi këtë dramë si më të mirën mes 20 pjesëve teatrale që ishin në konkurrim. Çmimi i parë kapi shumën 3.500 Euro, ku pjesë e çmimit është njëkohësisht edhe përkthimi në gjermanisht dhe botimi në 11.000 kopje, prej të cilave 10.000 kopje do të shpërndahen së bashku me revistën austriake kulturore-teatrore "Bühne", kurse 1.000 kopje do t’u dërgohen skenave dhe zyrave letrare e dramatike në hapësirën gjermanishtfolëse. Çmimi i dytë u fitua nga Stefan Capaliku me dramën “20 vjet, 2 javë, 2 ditë”. Ky çmim është dhënë nga MTKRS dhe kap vlerën 700 euro. Konkursi i dramës “Të flasim mbi kufijtë” është bërë i njohur disa muaj më parë, si një projekt letrar dhe teatror, kur ftoi autorët shqiptarë të shkruajnë rreth temës “Ndjenja jetësore në kohë shndërrimesh”. Konkursi është një iniciativë e Ministrisë Austriake për Çështje Europiane dhe Ndërkombëtare, P.E.N Club-it austriak dhe Ministrisë Shqiptare të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nën kurimin e Dr. Christian Papke. Konkursi i dramës shqiptare “Të flasim mbi kufijtë” startoi në muajin maj 2009 si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë dhe Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Shqipëri dhe Teatrit Kombëtar. Shpallja e konkurrimit u bë në fazën e parë në muajin maj 2009, faza e dytë u bë në muajin dhjetor 2009 ku ishte dhe afati përfundimtar i dorëzimit të dramave. Juria përbëhej nga pesë anëtarë; dy shqiptarë, dy austriakë dhe një gjerman.
Mark Marku, kritik dhe studiues i njohur në fushën e letërsisë dhe shkencave të komunikimit, Adonis Filipi, regjisor dhe drejtor i Festivalit të teatrit Bashkëkohor Skampa të Elbasanit, Christian Römer drejtor i Neuköllner Oper Berlin, skena e katërt operistike e Berlinit dhe që mbahet si teatri muzikor më kreativ i kryeqytetit gjerman;
Gerald Bauer, ish-intendant dhe dramaturgu kryesor në Schlossparktheater Berlin, lektor në Universitetin e Vjenës dhe që nga viti 2002 drejtues artistik dhe dramaturg i Teatrit të Rinisë, i cili mbahet si teatri më i madh i këtij lloji në Europë, Christian Papke, iniciator në vitin 2004 i konkursit të dramës “Flasim rreth kufijve”. Papke është anëtari më i ri në kryesinë e P.E.N Clubit austriak dhe punon aktualisht në skena të ndryshme europiane si regjisor dhe dramaturg. Në qershor 2009 nën regjinë e tij u vendos në skenën e Teatrit Kombëtar drama “Forca e Zakonit” e autorit të mirënjohur austriak Thomas Bernhard.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›