E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrimtari Xhevahir Spahiu në 65-vjetorin e lindjes



Shkrimtari dhe poeti i letrave shqipe, Xhevahir Spahiu, ka festuar dje 65-vjetorin e lindjes. Akademia e Shkencave dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i ka kushtuar veprës së tij një retrospektive, ku përveç analizave të bëra nga studiues dhe kritik të letërsisë, kanë qenë edhe aktorët Bujar Asqeriu dhe Sokol Angjeli që kanë interpretuar disa nga poezitë më pikante të poetit Spahiu. Atij iu akordua gjithashtu edhe një vlerësim nga ambasada e Iranit në Shqipëri. Xhevahir Spahiu është nderuar me çmimin "Migjeni". Një vit më parë, poeti pësoi një hemorragji cerebrale, si pasojë e së cilës, ende sot ka vështirësi në artikulim. Gjatë ceremonisë morën pjesë studiues të letrave shqipe, akademikë dhe dashamirës të poetit, të cilët folën për kontributin e Spahiut në letrat shqipe. Është hera e parë që Spahiu merr pjesë në një festë të madhe që organizohet për nder të tij, kur nuk ka kaluar një vit nga gjendja e vështirë shëndetësore që provoi në mars 2009. Ai pësoi ishemi cerebrale dhe falë mbështetjes së autoriteteve shtetërore, u bë e mundur mjekimi i Spahiut në Turqi. Xhevahir Spahiu u lind më 1 mars 1945, në fshatin Malind të Skraparit dhe është shkrimtar i njohur shqiptar. Është i nderuar me çmimin “Migjeni”. Është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të atdheut. Është nderuar nga Presidenti i Shqipërisë Moisiu me titullin Akademik. Spahiu ka botuar një sërë vëllimesh poetike si; "Ti qytet i dashur (1973)", "Vdekje e perëndive (1977)", "Dyer dhe zemra të hapura (1978)", "Poezia shqipe (1990)", "Kohë e krisur (1991)" etj. Së fundi është botuar vepra e tij e zgjedhur, krijimet më të mira ndërmjet viteve 1965-2000. Janë dy vëllime me të njëjtin titull, "Udha". Është ribotuar javë më parë libri i tij me poezi të zgjedhura "Rreziku". Xhevahir Spahiu ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, një institucioni i trashëguar nga diktatura, ku më pas emërohet kryetar i saj deri në vitin 1999. Në këtë kohë Spahiu do mbahet mend si një nga kundërshtarët më të fortë të ish-ministrit të Kulturës, Edi Rama, për të mos ia dhënë godinën që sot është Ministri Kulture, francezëve. Një gjyq që do mbahet mend e ia la të drejtën sërish për administrim shtetit. Poezia e Spahiut reflekton përvojën shpirtërore të shqiptarëve, duke e shndërruar në fillim të viteve ’90-të në një timbër gati rebel. Kjo ndodh në poezitë e Spahiut deri në vëllimet poetike të fundit “Udhëtimet e mia”, ku na janë treguar për herë të parë dhe poezitë e censuruara, nga regjimi.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›