Akuzat për bosin shqiptar, dritë-hijet e kompanisë Ecolog
Patrime mbeturinash, pastrime rrobash apo telefona celularë - firma e shërbimeve Ecolog e Dyseldorfit kryen shumë punë për trupën perëndimore në Afganistan. A e shfrytëzon Ecolog-u këtë për aktivitete ilegale? Komandanti i ISAF-it, gjenerali gjerman Ramms, ka kërkuar që të shpjegohet nëse Ecologu i ka shfrytëzuar këto punë për aktivitete ilegale. Ai flet madje edhe për mundësinë e kontrabandimit të drogës. Shkas për këtë janë informacionet për sfondin e familjes shqiptare nga Maqedonia, e cila ka themeluar këtë sipërmarrje.
Familja me emër në Maqedoni
Në vendlindjen e koncernit Ecolog, kreu i familjes Lazim Destani inaguron shkollën e rinpvuar, në të cilën dikur kanë mësuar edhe fëmijët e tij. Drejtori i shkollës Naim Frashëri, Xhemali Beluli: "Zoti e bekoftë familjen Destani dhe kompaninën Ekolog!" Një rrezatim që për shefin e sektorit të jashtëm të gazetës nga Zvicra „Sonntagsblick“, Johannes von Dohnanyi, nuk është më aq e ndritshme sa ka qenë në vitin 1998, kur ai filloi të interesohej më shumë për familjen e Lazim Destanit. Von Dohnanyi rikujton një dokument të NATO-s për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. "Aty thuhej shumë qartë: UÇK-ja bën tregti me armë, bën tregti me drogë dhe me njerëz. Të gjitha këto nuk janë të mira dhe ne nuk i pëlqejmë, por ata janë aleatët tanë në luftën kundër Millosheviçit, dhe partnerët nuk mund t`i zgjedhësh gjithmonë. Pikërisht sipas këtij modeli, të paktën kështu kisha përshtypjen atëherë, operonte edhe klani Destani."
Kryetari i familjes, Lazim Destani është dënuar në vitin 1994 me më shumë se dy vjet heqje lirie në Gjermani, për shkak të ndihmës në futjen ilegale të njerëzve në Gjermani dhe posedimit ilegal të armëve. Sipas dokumentave të KFOR-it, familja Destani radhitet në radhët e krimit të organizuar. Për këtë shkak NATO-ja ka vendosur që të rishikojë raportet me Ecologun.
Reagimi i Ecolog-ut
Në Tetovë të Maqedonisë gjen shumë njerëz që flasim mirë për Ekolog-un. Shumë prej familjeve të tyre jetojnë prej punëve të kësaj firme. 40 - vjeçari Murtezan ka punuar shumë vite për Ecologun në Irak dhe Afganistan, thotë: "Ata nuk i njoh vetëm unë, të gjithë i njohin Destanët. Ata janë shumë njerëzorë, aq njerëzor sa që nuk gjej fjalët për ta përshkruar. Mua, personalisht më kanë ndihmuar shumë. Ata kanë bërë shumë edhe për Tetovën: Kanë blerë truall për xhaminë, kanë dhënë një milionë euro për një shkollë. Prej kolegëve të punës unë e di se Ekologu i ka dhuruar një bashkëpunëtori të ri 20 mijë deri në 30 mijë euro për të zhvilluar studimet."
Por bamirësia dhe aktivitetet e paligjshme nuk janë kontradiktore për popullsinë shqiptare të Maqedonisë dhe Kosovës. Jo çdo klan është medeomos kriminel, - thekson Norbert Mappes-Niediek, - korrespondent nga Evropa Juglindore dhe autor i librit "Mafia e Ballkanit" (Balkan-Mafia). Por, në këto struktura, sipas njohësve të Ballkanit, krijohet një përzierje forcash politike, ushtarake dhe financiare. Legale dhe ilegale: "Askush deri më sot nuk ka mundur ta ndajë grurin nga egjra. Shumë firma kanë anë legale dhe ilegale. Ana legale shërben pak a shumë si mbulesë. Ndonjëherë ato bëjnë edhe punë të suksesshme. Nuk ka pse të mos ndodhë që njeriu të fitojë një herë fiton para në mënyrë ilegale, për t`i pasur ato si bazë investimesh për biznese legale."
Marrë nga Dojçe Vele
2 Mars 2010