E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunimi me pronat e sindikatave në Patos



Gëzim Topalli*

Një pjesë e komunitetit te qarkut Fier,duke përfshire edhe rrethinat e Patosit, Ballshit dhe Rroskovecit e kanë të lidhur jetën me ndërmarrjet e naftës: “Alpetrol” sh.a,”Armo” sh. a. etj. (Megjithëse, sot në ketë sektor të industrisë shqiptare, janë të punësuar rreth 5-6 mije punonjës e specialistë dhe për këto familje naftëtarësh, mbetet i vetmi burim të ardhurash).
Organizimi i punonjësve te naftës në organizata sindikale, në përputhje me ligjin dhe parimet e kushtetutshmërisë, nuk është parë asnjëherë nga organet e administratës shtetërore, si një oponencë demokratike e partneritetit social në zgjidhjen e problemeve të kohës. Përkundrazi, organet e administratës shtetërore dhe punëdhënësit, në kundërshtim me ligjin, (Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë), kanë ndërhyrë në krijimin, funksionimin dhe administrimin e organizatave sindikale (punëmarrëse), me qëllim për t’i vënë këto organizata nën kontrollin e tyre. Por, kjo gjë, nuk mund te bëhej dhe nuk bëhet pa veprimet dhe masat diskriminuese e të kundërligjshme te organeve shtetërore dhe të punëdhënësit, që veprojnë nën “tutelën” e gjyqësorit.

Konkretisht, OSPN-Patos, - federata sindikale e krijuar që në vitin 1991 dhe e regjistruar në Regjistrin e Organizatave Sindikale pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Tiranë, ka vite që përballet me procese gjyqësore, që dhunojnë hapur e në mënyrë abuzive, të paprecedent, të Drejtat dhe Liritë Sindikale. Për shembull; gjatë zhvillimit të çështjes gjyqësore civile, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, me nr. 39/1285, me palë paditëse “Albpetrol”sh. a. dhe të paditur OSPN-Patos, u zhvillua në të njëjtën kohë edhe procesi gjyqësor penal me të pandehur ish-presidentin e OSPN-së. Një proces gjyqësor i fabrikuar dhe montuar nga organi i akuzës dhe i mbështetur nga gjykata e këtij rrethi gjyqësor. Një akuzë që i mungojnë elementët e veprës penale (subjekti dhe ana subjektive). Ish-presidenti i OSPN-së , (i zgjedhur me 23 tetor 2005), arrestohet më 30 nëntor te vitit 2007, nën akuzën “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe i jepet masa e sigurisë “burg pa afat”. Pra, në te njëjtën kohë, zhvilloheshin dy procese gjyqësore: Një proces gjyqësor penal, me të pandehur ish-presidentin e OSPN-së –Patos (për një vepër penale të kryer në vitin 1998-2000, kur, ligjërisht, nuk përfaqësonte OSPN-në), dhe procesi gjyqësor civil, ku ish-presidenti i OSPN-së sillej nga burgu i Rrogozhinës për të përfaqësuar personin juridik, OSPN-Patos. Pra, në të njëjtën kohë, duhej një “viktimë”, një “kurban”, për të justifikuar korrupsionin e gjyqësorit, por duhej edhe një “përfaqësues” i OSPN-se në procesin gjyqësor civil(!).

Nuk mund të ketë shkelje procedurale më flagrante: Një dhunim i hapur i të drejtave dhe lirive sindikale, si pjesë e lirive dhe të drejtave të njeriut; një abuzim inkuizicionist i normave kushtetuese, duke shpërfillur me arrogancë aktet procedurale te paraqitura si prova shkresore, përfshire edhe vendimet gjyqësore të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, dhe ne fund, duke dhënë një vendim përfundimtar të padrejtë, që i “mungon” arsyetimi i thjeshtë logjik, ku fshihet e vërteta (krimi) dhe abuzohet me ligjin. Bëhet fjalë për përfitimin e një shume prej 11.3 milionë lekë, në emër te OSPN-së, duke përdorur akte procedural dhe mjete false (Vulën e OSPN-së), dhe mbi bazën e vendimit Nr. 1570, datë 30.10.1998, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Fier. Megjithëse, gjatë shqyrtimit të çështjes civile para Gjykatës u paraqitën provat dokumentare të nxjerra nga dosja gjyqësore e vendimeve Nr. 1557 dhe Nr. 1570 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, ku gjendet edhe vendimi Nr. 45/1999, i Gjykatës së Apelit Vlore, ato (provat), u injoruan me arrogancë dhe në mënyrë arbitrare nga kryesuesit e trupit gjykues.(Vlen të theksohet se, gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje, dhanë dorëheqjen nga gjykimi, dy kryesues dhe një anëtar i trupit gjykues)

Kjo çështje gjyqësore u gjykua nga një kolegj gjyqësor që kishte për kryesues një anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Një kryesues që mbante “spaletat” e anëtarit të K.L.D-së, që shkeli në mënyrë arbitrare dhe me arrogancë rregullat procedurale që shpërfilli dhe injoroi edhe normat kushtetuese (Nenet 45/3, 46, 50), që në fund të fundit, mbuloi korrupsionin gjyqësor, vjedhjen e 11.3 milion lekëve nga arka e shtetit dhe që, duke dhëne vendimin Nr. 1729, ngarkon me barrën e fajit subjektin abstrakt, OSPN-në. Ndërsa, për çështjen gjyqësore penale Nr. 26/321/2008, gjykata shkon edhe më tej, kur në vendimin e dhënë, me Nr. 184, datë 30.06.2009, i trajton, organizatat sindikale si “person juridik publik”(!) dhe përfaqësuesit e sindikatave, si “organe të administratës publike”. E gjithë kjo, nuk është një gabim në arsyetimin logjik, por një mënyrë e sofistikuar e manipulimit të procesit gjyqësor, për të fshehur vjedhjen e kryer me anë të mashtrimit, falsifikimit dhe vendimeve gjyqësore te korruptuara. (Prova dhe fakte të pakundërshtueshme gjenden në dosjen gjyqësore të vendimit të Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Fier).

Kushdo, në një rend demokratik, qoftë ky, njeri i thjeshtë apo pjesëtar i “elitës” politiko-shoqërore, ka të drejtën e ligjshme të kërkojë të informohet dhe të njihet me akte e dokumente shkresorë, që cenojnë ose mbrojnë një të drejtë të ligjshme, individuale apo shoqërore. Por, a mund të ketë të drejtë morale, qoftë ky person, aq më keq, me funksione të larta shtetërore, që me veprimet ose mos veprimet e tij ka shkelur ligjin dhe normat kushtetuese, në dëm të interesit të komunitetit që pretendon të përfaqësojë, (pas përfitimit të postit të deputetit nga lista e partisë dhe nuk është i vetmi si përfitues i tillë), të hiqet si “viktimë” e moszbatimit të parimeve kushtetuese?!

As më shumë e as më pak, se sa qëndrimi i paraardhësit, (ish- deputeti i “xhaketës” dhe politikës së vjetër, i zonës së Patosit), që me veprimet arbitrare dhe akte-administrative, të nxjerra në kundërshtim flagrant me ligjin, dhunoi të drejtat dhe liritë sindikale, tjetërsoi pasurinë e patundshme (publike), duke favorizuar privatizimin në dëm të interesit publik. (Urdhri Administrativ Nr. 342, datë 22.09.1998, i ministrit të Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, i nxjerr në kundërshtim dhe në mashtrim të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 153, dt. 03.04.1993).

As më shumë dhe as më pak, sesa qëndrimi i organeve të sotme shtetërore në pushtet, që për të kënaqur babëzinë e njerëzve të lidhur me pushtetin, nxjerrin dhe miratojnë ligje si ai me Nr. 10159, datë 15.10.2009, që, nuk është gjë tjetër, veçse mbrojtja me ligj e abuzimeve dhe spekulimeve të deritanishme, me pronat e administruara nga sindikatat. Ligji Nr. 8840/1 i trajton pronat e administruara nga sindikatat, si uzufrukte, dhe organizatat sindikale kanë tagrin e uzufruktarit, që gëzohet nga personi juridik. Por, kur rreth 40% e këtyre pronave janë tjetërsuar (privatizuar apo shitur në kundërshtim flagrant me ligjin dhe pjesa tjetër e pronave janë pushtuar nga persona juridik shtetëror ose janë dhënë me qira nga ana e uzufruktarëve, shfuqizimi i ligjit 8340/1, datë 06.05.1998, do të thotë, legalizim i vjedhjeve të kryera nga tjetërsimi i këtyre pronave. Pas miratimit, ky ligj është “hedhur” në Gjykatën Kushtetuese, për të marr “pagëzimin” e kushtetutshmërisë ose, për t’u “shpagëzuar”- si jo kushtetues. Të shpresojmë në drejtësi!

*Autori i letrës është sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Sindikatës së Pavarur të Naftës Patos (OSPN)

Rubrikë për ankesat e qytetarëve

Të gjithë personat që kanë probleme me institucionet shtetërore, apo duan të ngrenë një problem për komunitetin ku jetojnë, kanë një dritare të hapur ku mund të ngrenë zërin e tyre. Kjo rubrikë është hapur me misionin e mirë për të nxitur interaktivitetin me lexuesit dhe qytetarët, të cilët, në jo pak raste, bien pre e korrupsionit shtetëror apo dhunohen gjatë kërkimit të të drejtës së tyre. Materialet që publikohen në këtë faqe nuk përbëjnë qëndrimin redaksional të gazetës, dhe në të gjitha rastet kur atakohen persona, subjekte apo drejtues të institucioneve, gazeta iu rezervon të drejtën e ofrimit të replikës apo sqarimit vetëm në faqen ku është publikuar materiali. Po ashtu, gazeta nuk merr përsipër të mbrojë pretendimet e asnjërës palë, por vetëm shërben si nxitës komunikimi dhe përgjegjësie mes qytetarëve dhe drejtuesve të institucioneve. Adresa e e-mail-it: gazetalbania@gmail.com

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›