Vlerësimi i pedagogëve, formulari që do të plotësojnë studentët
Jonida Tashi
Detajohet formulari që do të plotësojnë studentët e Universitetit të Tiranës, për të vlerësuar pedagogët e tyre. Ditën e djeshme, ky Universitet ka publikuar zyrtarisht formën përfundimtare të formularit të vlerësimit të pedagogëve. Përpara çdo provimi, studentët do të plotësojnë formularin, duke vlerësuar çdo pedagog dhe çdo lëndë që kanë kryer. Më pas, këto të dhëna do të grumbullohen nga rektorati dhe fakultetet e Universitetit të Tiranës, me qëllim identifikimin e problematikave dhe marrjen e masave të nevojshme që do të mundësojnë zvogëlimin e tyre.
Formulari
Formulari i vlerësimit të pedagogëve është i përbërë nga katër pjesë kryesore që janë: vlerësimi i lëndës, vlerësimi i pedagogut, vlerësimi i infrastrukturës dhe komentet. Kështu, për të ruajtur dhe përmirësuar më tej cilësinë e mësimdhënies dhe shërbimit, studentët duhet të japin mendimin e tyre për secilën prej pjesëve të formularit për problemet përkatëse. Në pjesën e parë të formularit, që është vlerësimi i lëndës, studentët duhet të klasifikojnë progresin e tyre në një lëndë të caktuar, duke e krahasuar me progresin në lëndët e tjera që ata kanë marrë deri në plotësimin e tij. Për t’iu përgjigjur pyetjeve në formular, studentët duhet të përdorin shkallën e klasifikimit nga 5 në 1 për secilën prej tyre. Vetëm për të treguar vlerësimin që kanë për një lëndë të caktuar në fakultet, studentëve do t’u duhet t’i përgjigjen nëntë pyetjeve. Në të njëjtën mënyrë si vlerësimi i lëndës, studentët do të veprojnë edhe për vlerësimin e pedagogut, që duket se do të jetë edhe pjesa më e rëndësishme e këtij formulari, pasi deri më sot, askujt prej studentëve shqiptarë nuk i është dhënë mundësia që të deklarojnë zyrtarisht mendimin e tyre për pedagogët. Në pjesën e dytë të formuarit, vlerësimi i pedagogut, studentët do të përshkruajnë sjelljen e pedagogut të lëndës, duke iu përgjigjur gjashtë pyetjeve. Më pas do të kalohet tek pjesa e tretë që është vlerësimi i infrastrukturës, për të cilën studentët duhet t’iu përgjigjen pesë pyetjeve. Ndërsa pjesa e fundit e formularit ka të bëjë me komentet e secilit student për çështje që kanë lidhje me universitetin.
Vlerësimi
Universiteti i Tiranës ka përgatitur draftin e formës së vlerësimit të pedagogëve nga studentët, praktikë që do të nisë gjatë semestrit të dytë të këtij viti akademik. Sikurse ishte paralajmëruar edhe nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, formulari është dërguar në fakultete, për të marrë mendimin e pedagogëve dhe të studentëve. Me anë të kësaj forme vlerësimi, studentët e Universitetit të Tiranës do të kenë mundësi të vlerësojnë pedagogët e tyre, lëndët, si edhe infrastrukturën e departamenteve përkatëse, çka do të mundësojë identifikimin e shpejtë dhe real të problematikave që ka Universiteti. Pas vendimit të senatit akademik për hartimin e kësaj forme vlerësimi, formulari u është shpërndarë të gjitha fakulteteve për mendim dhe duke marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e tyre është hartuar forma përfundimtare, që më pas do t’u shpërndahet sërish fakulteteve, për t’u përdorur gjatë provimeve të fundit të semestrit të dytë të këtij viti akademik.
Formulari A1 mbërrin në shkolla, 9 ditë kohë për t’u plotësuar
Formulari A1, që shërben për t’u regjistruar në provimet e Maturës ka mbërritur dje në shkolla. Tashmë të gjithë maturantët, jo vetëm ata që duan të ndjekin studimet e larta, duhet që të plotësojnë formularin e A1, për të cilin do të kenë nëntë ditë kohë në dispozicion. Maturantët mund ta tërheqin këtë formular pranë drejtorive të shkollave dhe duhet ta dorëzojnë atë brenda datës 10 mars, pasi në fund të këtij muaji, drejtoritë arsimore të rretheve do të nxjerrin listat e atyre që do t’i nënshtrohen provimeve të Maturës. Sipas rregullores për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore, maturantët kanë të drejtë që në rast se gabojnë në plotësimin e formularit A1, të tërheqin një tjetër. Nëse maturantët gabojnë në plotësimin e formularit A1 dhe e dorëzojnë atë të pasaktë, ai do të konsiderohet i pavlefshëm.
2 Mars 2010