Juliana Pasha kualifikohet në finalen europiane me Nuk mundem pa ty
Juliana Pasha me Nuk mundem pa ty (It's all about you) kualifikohet në finalen e Festivalit Europian. Me një performancë të shkëlqyer, këngëtarja ka rrëmbyer edhe duartrokitjet e shumë spektatorëve. Mes një atmosfere të mbushur me tinguj europianë
startoi edicioni i 55-të i Eurovision 2010, që këtë vit zhvillohet në Oslo, Norvegji. Skena madhështore, e cila ngrihet në stadiumin Telenor Arena mbrëmë priti 17 vende, ku 10 prej tyre hynë në natën finale, që do të zhvillohet më 29 maj. Natën e parë gjysmë finale e hapi Moldavia, për të vijuar më pas me konkurrentë të tjerë të festivalit. Përfaqësuesja shqiptare u ngjit e 12 në konkurrim në skenën e Eurovisionit, ku erdhi një perfomancë e shkëlqyer me një këngë ritmike, e cila i solli dhe kualifikimin në natën finale.Nuk mundem pa ty, është kompozuar nga Ardit Gjebrea dhe e shkruar nga Ardit Gjebrea e Pirro Çako. Këta janë emrat që përfaqësuan Shqipërinë në edicionin e 55-të të Festivalit Evropian të Këngës, i cili këtë vit mbahet më 25, 27 dhe 29 maj. Në natën finale u kualifikuan shtetet: Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Rusia, Greqia, Portugalia, Bjello-Rusia, Serbia, Belgjika dhe Islanda. Mes shumë flamujve europianë në natën e parë të festivalit valëviteshin dhe flamujt shqiptarë. Ashtu si dhe është cilësuar nga kritika, Pasha u transformua në skenën e festivalit. Juliana Pasha ndryshe nga vendet e tjera të rajonit si Mali i Zi, Maqedonia apo Serbia këndoi në anglisht. Pasha ishte tepër elegante duke kënduar versionin e këngës në anglisht nën titullin It's all about you, me një trio shoqëruese, veshja e të cilëve ngjan pak me atë të këngëtares. Ajo që binte në sy është se gjithë kohën këngëtaren e shoqëronte një violinist i veshur me të errëta, me të cilin Juliana improvizon dhe pak në kërcim. It's all about you, është një këngë dhe hit nga Juliana Pasha dhe është përkthyer nga "Nuk mundem pa ty". Konkurrentja shqiptare Juliana Pasha u ngjit në skenë së bashku me Glenys Vargas nga New York City, Desiree Keedjour nga Chicago dhe Joy nga New York, të shoqëruar nga violinisti Olen Çezari. Edhe pse Shqipëria ka disa vende sllave, që nuk e favorizuan shumë në grup sepse të gjithë votojnë për njëri-tjetrin sërish përfaqësuesja shqiptare arrit të hyjë në finalen e festivalit europian të këngës. Mbi 130 milionë teleshikues ndoqën live Eurovision 2010, ku kënduan përfaqësues të 17 shteteve, dhe vetëm 10 prej tyre hynë në finale. Moldavia, Rusia, Estonia, Sllovakia, Finlanda, Letonia, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Polonia, Belgjika, Malta, Shqipëria, Greqia, Portugalia, Maqedonia, Bjellorusia, Islanda ishin 17 vendet pjesëmarrëse në natën e parë gjysmëfinale. Ndërkaq që ndryshe nga vitet e tjera publiku këtë vit pati 50% të votës, ndërsa 50% juria e festivalit, ku votimi i publikut filloi sapo nisi nata e parë e festivalit. Ashtu sikurse ishte pritur, përfaqësuesi i Norvegjisë, Alexander Rybak, ka dalë fituese në edicionin e 54-të të Eurovision, që është mbajtur në Moskë një vit më parë. Edhe një vit më parë pavarësisht se është thënë se do të këtë votim korrekt është parë se ndikimet politike dhe votimi për shtetet fqinjë ka vazhduar. Vendet sllave kanë votuar për vendet e tyre fqinje, ndërkaq ato ballkanase kanë votuar më shumë për vendet e lindjes dhe jo për fqinjët e tyre. Nesër është nata e dytë gjysmëfinale, ku do të vijnë të tjera performanca për publikun. Shqipëria mori pjesë në Eurovizion për herë të parë në vitin 2004, kur kënga me titull Imazhi yt e kompozitorit Edmond Zhulali u interpretua në skenën e Eurosong në Turqi nga këngëtarja Anjeza Shahini.
Nga Julia Vrapi