E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH parashikon 1.4 për qind rritjen ekonomike për Shqipërinë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim siguron se Shqipëria nuk rrezikohet nga kriza greke

Rritja ekonomike për Shqipërinë do të jetë 1.4 për qind, ndërsa ruajtja e qëndrueshmërisë makroekonomike, mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe e deficitit fiskal janë shumë të  rëndësishme për qeverinë shqiptare. Përfundimet janë nxjerrë nga specialistët

e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilët parashikojnë një rritje prej 3 për qind për vitin 2011. Nga ana tjetër, sipas parashikimeve të BERZH, kriza greke nuk do të ketë ndikime mbi ekonominë shqiptare. Sipas BERZH, në Shqipëri gjatë tremujorit të parë rritja është pozitive dhe mbi mesataren e vendeve të Evropës juglindore por sigurisht është më poshtë nga ajo sa mund të arrijë Shqipëria në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë.


Risqet në ekonomi
Ekonomia shqiptare ka risqe dhe mundësi të reja zhvillimi. Shqipëria ka pasur për më shumë se një dekadë rritje të shpejtë ekonomike, e cila është ulur gjatë krizave të fundit por që mbetet pozitive. Por është ende një ekonomi që i duhet të arrijë nivelet e jetesës të vendeve që janë në Bashkimin Evropian. Rreziqet janë të njëjta me ato të vendeve të tjera të rajonit sepse kriza globale ende nuk ka përfunduar dhe kjo sjell vonesa në kthimin në nivelet e rritjes së shpejtë. Përfundimet janë pasqyruar nga specialistë të BERXH, të cilët kanë arritur në përfundimin se pritet një rritje ekonomike pozitive këtë vit. Publikuam parashikimet tona në takimin vjetor të BERZH-it dhe presim një ulje të rritjes ekonomike në Shqipëri këtë vit. Parashikimi ynë është 1.4% dhe kjo reflekton disa nga shifrat që kemi parë në Shqipëri gjatë tremujorit të parë, janë shprehur specialistët e BERZH.


Kriza greke
Shqipëria është më pak e integruar në ekonominë globale sesa vendet e tjera të rajonit dhe për këtë arsye kriza greke do këtë pak ose aspak ndikim në ekonominë shqiptare. Mjafton të shohësh treguesit e eksporteve dhe importeve në raport me GDP-në, që janë më të ulëta sesa vendet e tjera në rajon. Pra kur ka krizë globale Shqipëria është pak më e mbrojtur. Ekonomia është e dominuar nga firma të vogla që mund të gjejnë mënyra për të përballuar vështirësitë dhe problemet që mund të dalin. Nga ana tjetër specialistë të BERZH po e ndihmojnë Shqipërinë përmes investimeve edhe përmes dialogut me autoritetet për të përmirësuar kornizën rregullatore për sektorin publik, përmirësimin e klimës për bizneset private, për përmirësimin e rregulloreve të sistemit financiar në mënyrë që bankat dhe institucionet e tjera financiare të funksionojnë më me efektshmëri, ka pohuar specialisti i BERZH.


Sistemi bankar
Sistemi bankar në përgjithësi në Shqipëri, ku përfshihen edhe bankat greke është fitimprurës, i kapitalizuar mirë, me shumë likuiditet dhe operon në një treg që është nga pikëpamja financiare ende në zhvillim. Gjatë viteve në vazhdim do të shohim zhvillim të mëtejshëm të tregjeve financiare në Shqipëri dhe jam i sigurtë që bankat greke në Shqipëri do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces, shpjegoi më tej specialisti i BERZH, sipas të cilit, do të ketë efekte anësore por Shqipëria ka treguar elasticitet gjatë krizave të kaluara dhe kjo është e vërtetë për sektorin bankar dhe mbarë ekonominë.

Rriten me 0.6 për qind shpenzimet për transportin
Shpenzimet për transportin janë rritur me 0. 6 për qind gjatë muajit të fundit. Indeksi i çmimeve të ndërtimit në ka shënuar një rritje prej 0.2 për qind. Statistikat janë bërë publike nga Instituti i Statistikave, sipas të cilave mësohet se indeksi i kushtimit në ndërtim ka shënuar një rritje me 0.1 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0.9 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit Shpenzime direkte është rritur 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Sipas të njëjtave burime mësohet se indeksi i nëngrupit Shpenzime materiale është rritur me 0.3 për qind. Në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, çmimet e materialeve të ndërtimit dhe materialeve elektrike janë rritur përkatësisht me 0.3 dhe 0.5 për qind. Gjithashtu rritje kanë pësuar dhe indekset në nëngrupet Shpenzime transporti dhe Shpenzime makinerie përkatësisht me 0.6 dhe 0.2 për qind. Në këtë tremujor, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim për grupet e tjera nuk ka ndryshuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Indeksi i grupit Ushqime dhe pije jo alkoolike shënoi një ulje prej 1.4 për qind, brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin zarzavate përfshirë patatet. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të kastravecave me 44.9 për qind, spinaqit me 25.8 për qind, sallatës jeshile me 19.5 për qind, patellxhaneve me 19.4 për qind, qepëve të njoma me 13.5 për qind, domateve me 3.0 për qind, specave me 2.3 për qind etj. Gjatë muajit Prill çmimet  janë ulur edhe në disa  nëngrupe të  tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë uljet në nëngrupet, peshk 0.4 për qind, qumësht djathë e vezë 0.2 për qind, pije jo alkoolike 0.4 për qind, etj. Ndërsa, çmimet e nëngrupit fruta shënuan një rritje prej 1.4 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të kivit me 4.3 për qind, limonëve me 2.1 për qind, bananeve me 1.8  për qind, portikalleve  me 0.7 për qind, etj. Ndërkohë që indeksi i grupit Veshje dhe këpucë shënoi një ulje prej 0.2 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të veshjeve për gra me  0.3 për qind, këpucëve për burra me 0.5 për qind, këpucëve për gra me 0.3 për qind, etj. Indeksi i grupit pije alkoolike dhe duhan shënoi një rritje prej 0.8 për qind, brenda të cilit  çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 1.4 për qind.

Investimet në infrastrukturë, 500 milionë euro në 4 vjet
Infrastruktura rrugore është sektori që ka thithur pjesën më të madhe të financimeve të huaja në vite. Sektorë të tjerë socialë, si arsimi dhe shëndetësia, mbartin nivelin më të ulët të investimeve nga donatorët e huaj. Mësohet se vendi ynë ka një nevojë të madhe për rrugë, që sipas tij është infrastruktura më e kushtueshme në botë. Në bazë të të dhënave të donatorëve për vitin 2009, rezulton se që nga viti 2000 e në vazhdim, për këtë sektor donatorët e huaj kanë dhënë një ndihmë financiare që i kalon 500 milionë euro.  Departamentit i Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së huaj mundëson që këto projekte të mos përplasen apo të mos mbivendosen. Në Shqipëri operojnë 11 donatorë shumëpalësh dhe 23 donatorë dypalësh. Dy donatorët më të mëdhenj shumëpalësh, gjatë periudhës 2000-2009, kanë qenë Komisioni Evropian dhe Banka Botërore, që së bashku përbëjnë 32 për qind të ndihmës së huaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›