Juncker kritika ndaj ndihmes per Spanjen

Presidenti i Eurogrupit Jean Claude Juncker ka lëshuar kritika rreth kërkesës së Spanjës dhe nxitjes nga partnerët europian për një paketë shpëtimi europiane. Sipas Juncker nëse Spanja kërkon një ndihmë të tillë, kushtet që do t’i vendosen do të jenë shumë të forta. Nëse Spanja do të kërkonte ndihmë tek Fondi europian i shpëtimit të shteteve si dhe ndërhyrjen e BQE , ashtu sikurse edhe vendet e tjera do tu nënshtrohet kushteve shumë të vështira ka thënë kreu i Eurogrupit në një intervistë për një televizion gjerman. Ministri i Ekonomisë spanjolle Luis De Guindos javën e kaluar ka propozuar të gjitha masat financiare shtesë të nevojshme për të ndjekur objektivin e deficitit buxhetor për këtë vit në 6,3% të PBB. Ndër të tjera presidenti i Eurogrupit ka afirmuar se qeveria spanjolle do të aprovojë brenda fundit të muajit një plan të ri kombëtar të reformave strukturore sikurse janë rekomanduar nga BE. Në javët e fundit është shtuar më së shumti presioni ndaj qeverisë spanjolle për të kërkuar ndihmë nga fondi i shpëtimit të eurozonës. Ekspertët parashikojnë lëkundje të mëtejshme në tregun aksioner nëse qeveria e Rajoy do ta vonojë këtë kërkesë. Por nga Madridi preferojnë më mirë të presin për të njohur me qartësi se cilat do të jenë pasojat e planit të shpëtimit.