E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimovic rekord ne Champions

Zlatan Ibrahimovic fiton dhe zbavitet. Por, mbi të gjitha shënon. Në fakt, te Paris Saint Germen e blenë pikërisht për këtë arsye, për të tërhequr skuadrën drejt sukseseve në kampionatin francez por edhe në Europë, ku parizienët kërkojnë të jenë protagonistë.

Fitorja 4-1 në “Parc des Princes” kundër Dynamo Kyiv ishte një start i shkëlqyer dhe Ibrahimovic ishte vendimtar. Ai realizoi me 11-metërsh golin që zhbllokoi sfidën, ndërsa ishte pikë referimi në manovrat ofensive të skuadrës.

Rrjeta e Ibrës në Champions bëri që ai të shënonte në aktivitetin më prestigjioz për klube me gjashtë fanella të ndryshme. Për suedezin kjo ishte rrjeta e 32-të në kupat e Europës, por mbi të gjitha një konfirmim se pavarësisht fanellave që ndryshon, ai mbetet vendimtar.

Edhe pse është krijuar psikoza se Ibrahimovic nuk paraqitet në nivele të larta në Champions, mes aktivizimeve me Ajax-in, Juventus-in, Inter-in, Barcelona-n, Milan-in e tashmë me PSG-në, janë të paktë lojtarët që numërojnë 30 gola në 91 ndeshje në këtë turne.

Ndërkohë, në Paris të gjithë janë entuziast për fitoren dhe paraqitjen e skuadrës. Megjithatë, trajneri Carlo Ancelotti kërkon të largojë euforinë, duke nënvijëzuar se është ende shpejt për analiza se deri ku mund të shkojë kjo skuadër.

“Champions-i sapo ka nisur dhe duhet të shikojmë se çfarë do të ndodhë në ndeshjet e ardhshme. U paraqitëm mirë përballë Dynamo Kyiv, megjtihatë askush nuk mund ta dijë se çfarë mund të bëjmë. Fillimisht duhet të mendojmë të kalojmë grupin”, deklaroi drejtuesi i stolit të PSG-së në konferencën për shtyp.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›