Jupi: Ata që mohojnë Shqipërinë janë bastardë

Pikërisht për të siguruar dhe vërtetuar të kundërtën, presidenti Duka zgjodhi Redi Jupin, ish-futbollistin e kombëtares, si shef të zyrës së talenteve në Shqipëri, në kuadër të organizimit të përfaqësueseve të moshave. Qëllimi ishte intensifikimi i kontakteve me të gjithë të rinjtë shiptarë në Europë, që të mos na i “grabitin” vendet e tjera.
Irritimi i Jupit
E nis bisedën i qetë, duke shpjeguar si funksionon Zyra e Talenteve, por kur i “kërkon” llogari për Kapinon, për zgjedhjen që ka bërë jo në favor të Shqipërisë, del nga vetja, ndoshta me shumë të drejtë:
“Ata janë bastardë që nuk zgjedhin Shqipërinë. Stefano Kapinos i kemi dërguar ftesë, por ai nuk ka pranuar të luajë për Shqipërinë. I kemi dërguar edhe njerëz për ta bindur, por ai ka bërë zgjedhjen e tij.
Mos vallë duhet t’i lusim? Po ju tregoj një bisedë që kam pasur në telefon me një prind nga Zvicra. Nuk ka shumë rëndësi emri i tij. Më tha se djali i tij nuk po grumbullohet më me Zvicrën, kështu që mund të vinte me Shqipërinë. Fillimisht po e dëgjoja me kujdes, por në një moment nuk durova më dhe i thashë se kombëtarja shqiptare nuk është për t’u tallur. Çfarë do të bënte djali i tij nëse nuk do të aktivizohej me Shqipërinë në disa ndeshje, do të gjente një kombëtare tjetër. Nuk janë këta futbollistët që i duhen Shqipërisë”.
Rasti “Xhaka” Granit dhe Taulant Xhaka
Janë dy vëllezërit me origjinë nga Kosova, që po përfaqësojnë Zvicrën. Përtej talentit të tij, Graniti shfrytëzoi Shqipërinë për t’i bërë presion Zvicrës që t’i merrnin vëllain në kombëtare. “Graniti nuk e kishte hallin për vete, por shfrytëzoi interesimin tonë që të bindte Zvicrën që t’i merrnin Taulantin në kombëtare. Prapë ne e kemi fajin që këta “bastardë” nuk e duan Shqipërinë,” – vijon i irrituar Jupi.
Alban Bunjaku 17-vjeçari i Arsenalit, është një nga futbollistët më të talentuar që po nxjerr futbolli anglez. Ai ka pasaportë angleze, por është i lindur nga prindër shqiptarë me origjinë nga Kosova. Jupi thekson se po i luan të gjitha kartat që ai të luajë për Shqipërinë. “Alban Bunjaku është shumë i talentuar dhe neve do të na bënte shumë punë. Jemi munduar në shumë mënyrë për të biseduar me të, madje Debatik Curri ka takuar vëllain e tij në Prishtinë, por zgjedhja i mbetet atij. Shpresojmë shumë që të mund ta bindim”. (Sporti Shqiptar)