E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jurij Luzhkov

është kryetari i bashkisë së kryeqytetit rus që prej vitit 1992. Shumë i dashur nga moskovitët, tani akuzohet se po e përdor pushtetin për të favorizuar shoqëritë e gruas Njeriu i dashur i Moskës

Nëse autoritetet lokale nuk do të kishin ndryshuar ide në momentin e fundit, delegacionet e huaja që në 9 maj erdhën në Moskë për të celebruar 65-vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, do të kishin mundësi të shihnin fytyrën e buzëqeshur të Stalinit mbi banderolat e shpërndara në të gjithë qytetin. Manifestet kishin qenë ide e Jurij Luzhkovit. Në fillim të vitit, policia e Moskës u paraqit herët në mëngjes në shtëpinë e disa banorëve në lagjen “Reshnick” për të prishur banesat e tyre. Ishte fundi i një beteje mes autoriteteve dhe rezidentëve që kërkonin të drejtën e pronësisë. Këto shkatërrime ishin urdhëruar nga kryetari i bashkisë. Vetë Luzhkov nuk arriti të merrte vizën për t’u futur në Ukrainë, pasi vuri në diskutim sovranitetin e Kievit mbi Krimenë, një enklavë me mazhorancë ruse. Po ashtu Luzhkov e konsideroi si satanike propozimin një manifestimi për të drejtat e gejve në Moskë. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit ka aftësinë të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare me veprime që të befasojnë. Por në Rusi e duan dhe e kritikojnë në të njëjtën kohë. Para së gjithash ai është shumë popullor mes moskovitëve. Kur erdhi në pushtet për herë të parë u angazhua fort për të kombinuar avantazhet e kapitalizmit me ato të socializmit”. Përgjatë viteve ka arritur ta bëjë jetën në kryeqytet më pak të ashpër në krahasim me pjesët e tjera të vendit. Administrata e bashkisë subvencionon qiratë dhe 41 për qind e banorëve të Moskës udhëton falas në mjetet e transportit publik. Pensionistët dhe punëtorët publikë marrin “bonusin Luzhkov” që në disa raste ka vlerën e një rroge apo një pensioni. Megjithatë, Luzhkov është akuzuar se po e përdor pushtetin e tij për të favorizuar interesat e bashkëshortes, Elena Baturina. Sipas kritikëve të tij, kryetari i bashkisë ka transferuar një pjesë të mirë të pasurisë imobiliare të Moskës nën kontrollin e shoqërisë së gruas. Kur u martua me Luzhkovin në vitin 1991, Baturina ishte 28 vjeç dhe punonte si sekretare. Në vitin 2008 revista “Forbes” e vlerësoi pasurinë e saj 3.4 miliardë euro. Kriza ka bërë punën e vet, por kohët e fundit një gazetë ekonomike ruse shkroi se pasuria e saj shkon në 1.8 miliardë euro. Sipas një dosieri të shpërndarë në fund të vitit 2009 nga Boris Memstov, ish-zëvendëskryeministri dhe kundërshtar i Vladimir Putinit, Luzhkov, ka ndihmuar shoqërinë e Baturinas, duke i dhënë 1300 hektarë tokë për ndërtesa në Moskë. Gjithmonë në vitin 2009 administrata lokale ia besoi tenderin për restaurimin e një statuje të madhe kompanisë “Stategiya”, e kontrolluar nga shoqëria e ndërtimit që drejtohet prej Baturinës. Luzhkov, 73 vjeç, ka lindur në vitin 1936 në një familje emigrantësh. Por, si kryetar bashkie ka bërë çmos për t’i ndaluar, për t’i penguar personat me origjinë nga krahinat e tjera që të vendosen në Moskë, madje më 1993 nxori edhe një ligj për këtë që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Luzhkov u diplomua në institutin “Gubkin” për industrinë e naftës dhe gazit në Moskë. Duke qenë se vinte nga një familje e varfër iu desh ta paguante universitetin me një punë si shkarkues mallrash. Gjatë vitit të fundit të studimeve kishte nisur të bënte për vete Marina Gashilovan, vajzën e zëvendësministrit të atëhershëm të naftës. Martesa me Gashilovën i siguroi një karrierë të shpejtë. Në vitin 1964 u bë kreu i departamentit në Ministrinë e Industrisë Kimike ku punoi deri në vitin 1980. Pastaj më vonë u largua për të drejtuar një fabrikë që prodhonte produkte për industrinë e naftës. Pikërisht aty i ngjitën nofkën “Duçe” për shkak të ngjashmërisë me Musolinin dhe metodat e tij autoritare. Luzhkov nuk i ka pranuar kurrë kritikat e asnjë lloji. Për shembull në vitin 1990 paditi revistën “Liternaturnaja Gazeta’ sepse kishte publikuar një artikull mbi cilësinë e keqe të salçiçeve të prodhuara nga një stabiliment publik. U bë kryetari i Bashkisë së Moskës në vitin 1992, me pëlqim të Presidentit Boris Jeltsin. Në ato kohë vendi po jetonte vështirësi të mëdha, por në qytet jeta ishte relativisht e lehtë. Ashtu siç thotë Mikhail Delyagin, drejtori i institutit për globalizimin e Moskës, akoma sot 25 për qind e fluksit të të mirave dhe shërbimeve dhe 33 për qind e flukseve të kasës ruse kalojnë përmes kryeqytetit. “Moska është plot me para”, thotë Delyagin. Brenda pak viteve, Luzhkov bëri për vete moskovitët. Në zgjedhjet e vitit 1996 arriti të merrte 88.5 për qind të votave. Qytetarët e kujtojnë për festimet me rastin e 850-vjetorit të themelimit të Moskës, për fushatën në mbrojtje të rusëve të krimeve dhe rikonstruksionin e katedrales. Bereta e kryetarit të bashkisë është bërë një simbol i Moskës. Luzhkov organizon rregullisht ankande bamirësie me kapelat e firmosura prej tij, ku shifra mund të shkojë deri në 15 mijë euro. Në vitin 2007 shiti një beretë argjendi për 800 mijë euro. Me popullaritetin janë rritur edhe ambiciet e tij. Në gusht të vitit 1998, qeveria e reformatorëve të rinj e drejtuar nga Sergej Kirienko kishte dhënë dorëheqjen dhe Luzhkov ishte në listë për t’u bërë Kryeministër. Por Boris Jeltsin preferoi Evgenij Primakov. Kështu, Luzhkov vendosi të kandidojë për presidencën, duke themeluar partinë “Patria”. Në sondazhet e atij vitit popullariteti i tij arrinte shifrat 42 për qind. Por në gusht të vitit 1999, pasi Rusia kishte lëshuar një ofensivë të re ushtarake në çeçeni dy lagje të Moskës u shkatërruan nga një seri shpërthimesh. Presidenti i ri, Vladimir Putin, shfrytëzoi frikën e qytetarëve për të rritur popullaritetin e tij. Ndërkaq, televizionet e kontrolluara të Kremlinit nisën një fushatë shkatërruese kundër Luzhkovit, që nuk ka bërë kurrë pjesë në rrethin e njerëzve të besuar të Putinit dhe konsiderohej si rivali i tij më i madh.

I penguar nga Putin

Në zgjedhjet administrative të dhjetorit të vitit 1999 Luzhkov u rizgjodh kryetar bashkie me një mazhorancë të jashtëzakonshme votash. Kritikat kundër tij nuk i kishin infektuar moskovitët, por zgjedhësit e krahinave të tjera e njihnin shumë pak dhe nuk votuan për partinë e tij në zgjedhjet parlamentare. Për këtë arsye, Luzhkov hoqi dorë nga ideja për t’u bërë kryetar shteti dhe në 2001 partia e tij u shkri me atë të Putinit, duke formuar “Rusinë e bashkuar”. Gruaja e parë e Luzhkovit vdiq në vitin 1989 duke lënë dy fëmijë të rritur. Dy vjet më vonë u martua me Baturinën me të cilën ka dy vajza. Në ato vite Baturina kishte marrë drejtimin e “Inteko”-s, shoqërisë që deri në atë kohë kishte drejtuar me vëllain Viktor. “Deri në 1999 “Inteko” nuk ishte ndonjë ndërmarrje e madhe. Kishte një xhiro vjetore prej 20 milionë dollarësh dhe operonte vetëm në tregun e produkteve plastike. Sot ajo është një konglomerat që kontrollon rreth 30 shoqëri ndërtimi, nafte dhe çimentoje”, lexohet në dosierin e Boris Nemtsovit. Kur Presidenti Dimitrij Medvedev i detyroi drejtuesit e shtetit të bëjnë publike deklaratat e tyre mbi të ardhurat në 2008, Luzhkov kishte rreth 160 mijë euro, ndërsa Baturina 190 milionë euro. “Baturina u bë miliardere vetëm pasi u fut në sektorin e ndërtimit dhe ai që i jepte lejet e ndërtimit ishte pikërisht Luzhkov”, deklaron Nemtsov. Të gjithë mendojnë se ajo është një grua e zonja, por që kompanitë që zotëron nuk do të kishin ecur kaq shumë pa ndihmën e të shoqit. Sipas një sondazhi të institutit të kërkimeve sociale “Nevada” 62 për qind e moskovitëve i konsiderojnë të besueshme akuzat se Luzhkov favorizon interesat e Baturinas. Por kjo nuk ia ka ulur popullaritetin. “Moskovitët nuk e konsiderojnë korrupsionin si diçka negative, të paktën deri kur Luzhkov do t’i bëjë të jetojnë në kushte më të mira se bashkëkombësit”, thotë Aleksej Grazhdankin, drejtor i “Levada Center”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›