Magjistarët e futbollit afrikan
Aliyu Mbenkem dhe Julien Aboude janë tërësisht të bindur për fuqitë e tyre magjike. Ata janë shërues në një fshat të quajtur Akolinga në Kamerun të Afrikës Perëndimore. Janë të shumtë perëndimorët që janë kuriozë për fuqitë e këtyre shëruesve dhe së fundi të gjithëve u lind pyetja: a mund të ndikojnë ata në rezultatet e lojërave të kampionatit të futbollit që po zhvillohet në Afrikën e Jugut?
“Ajo që bëj unë është shumë e lehtë. Thjesht duhet të hedh ca guaska dhe të kontaktoj me shpirtrat e atyre që luajnë në fushën e lojës”, thotë magjistari Mbenkem. Ai sigurisht që refuzon të japë detaje të tjera, sepse në fakt ajo çka ai bën nuk është edhe aq e thjeshtë. Por çfarë bëjnë njerëzit kur bëjnë magji? Në vitet ’80 një specialist i sporteve nga Gjermania ishte punësuar si trajner i skuadrës gambeze në kryeqytetin e vendit, Nanjul. Ai kishte vendosur që të injoronte ndikimin e magjive dhe thjesht të merrej me lojën, por pak para ndeshjes së skuadrës së tij me atë të Sierra Leones në kupën e vendeve të Afrikës Perëndimore, e përfshiu një panik i madh. Një nga ndihmësit e tij i tregoi për një pluhur jeshil që ishte hedhur me ndërprerje përgjatë gjithë rrugës nga hoteli ku qëndronte skuadra drejt stadiumit. Sipas tij, ajo ishte një magji dhe lojtarët e skuadrës refuzuan që të shkonin në stadium duke e ditur mirë domethënien e atyre shenjave. Ata thanë se nuk ishin aq budallenj sa të nisnin një betejë me forcat e mbinatyrshme që u kishin zënë rrugën. E gjithë skuadra u rebelua dhe vetë trajneri gjerman e ndjeu veten në një pozicion shumë të vështirë. Ndaj për të mos e humbur ndeshjen ai gjeti një tjetër mënyrë për të hyrë në stadium, jo përmes pluhurit të gjelbër. Kjo vonesë i kushtoi pak kohë skuadrës e cila arriti në fushë vetëm pak minuta para fillimit të ndeshjes të cilën e fitoi 2 me 0. Por jo të gjithë kanë një fat të tillë kur mundohen që t’u shmangen magjive në vendet afrikane. Në vitin 2002 më rastin e Kupës Afrikane, trajneri i Kamerunit, Uini Sschafer, u përball me mungesën e ndihmësit të tij për shkak se para gjysmëfinales, ky i fundit kishte parë të digjeshin kocka pranë dritares së tij. Sipas interpretimeve, kjo ishte një magji që bëhej për dështimin e lojës. Si pasojë, ndihmësi vendosi që të mos shkonte në lojë duke qenë se ishte ai që e kishte parë magjinë dhe do të ndillte ters. Por zakonisht jo të gjithë, sidomos perëndimorët, u besojnë magjive të tilla. Dikur në një intervistë për një revistë franceze, i madhi i futbollit afrikan, Roxher Mila, deklaroi se magjia nuk ndikonte aspak në lojërat e futbollit të kontinentit të tij dhe se thashethemet për magjistarët e Kamerunit ishin vërtet llafe të pabazuara në fakte. Sipas tij fakti ishte se futbollistët e Kamerunit ishin më të mirët e kontinentit dhe kjo falë talentit dhe punës së tyre dhe jo akuzave për magjira. Kësisoj, Federata e Futbollit Afrikan nuk dëshiron më të dëgjojë për magjitë, duke i nxjerrë ato jashtë ligjit që do të thotë se nuk lejohet hedhja e substancave të ndryshme nëpër fushat e lojës dhe skuadrat nuk duhet që të kenë në përbërjen e tyre magjistarë, apo qoftë edhe mjekë që merren me praktika të dyshimta. Kjo rregullore u vendos si domosdoshmëri pas lojës mes skuadrave të kombëtareve të Ugandës dhe Ruandës. Gjatë kësaj loje pati disa fenomene të pashpjegueshme kur lojtarët nuk përqendroheshin në momentin përfundimtar të shënimit në portë, apo bënin autogola. Shumë shpejt u kuptua se nuk ishte faji i paaftësisë së lojtarëve në fushë, por i një palë dorezave shtesë që kishte veshur portieri i skuadrës së Ugandës. Sipas njerëzve, kjo ishte një magji, një mashtrim dhe se autorët e saj duheshin dënuar. Gjendja u përkeqësua pas ndeshjes, pasi pati trazira mes lojtarëve dhe tifozëve të rebeluar dhe inatosur. E gjithë situata zgjati për 5 orë para se të vendosej qetësia. Por ka edhe një histori tjetër që do të mbahet mend gjatë dhe që ka të bëjë me një skuadër të Bregut të Fildishtë, e cila fitoi Kupën Afrikane në vitin 1992 pas një kohe shtesë dhe penalltive. Fansat deklaruan se fitorja në këtë rast erdhi si pasojë e magjistarëve që kishin në skuadër lojtarët e Bregut të Fildishtë, të cilët paguheshin nga Ministria e Sportit. Vetë magjistarët kanë deklaruar se ata ishin thirrur për ndihmë nga ministria, por nuk kishin pranuar asnjë kompensim në para për shërbimin e tyre. Si rezultat, ata mallkuan skuadrën kombëtare dhe ajo për shumë vite rresht nuk ngriti kokë dhe nuk fitoi. Më në fund, 10 vjet pas kësaj ngjarjeje, ministri i Mbrojtjes së vendit u kërkoi falje magjistarëve të zemëruar në emër të kombit dhe u ofroi atyre pagesën e munguar në vitin 1992 duke u kërkuar që të punonin sërish për fatin e futbollit vendas. Sipas disa gazetarëve perëndimorë këta magjistarë që ka të ngjarë të ndodhen të fshehtë edhe në disa nga skuadrat në kampionatin botëror bëjnë me të vërtetë rituale që kanë pasoja te lojtarët në fushë. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Një magjistar është i pranishëm në kombëtaret e skuadrave të vendeve afrikane siç është masazhatori, apo psikologu në skuadrat e vendeve të tjera. Po sa do të ndikojë ky fenomen në lojën e skuadrave në këtë botëror? Kjo mbetet për t’u parë.
#